
Një debat i nxehtë ka shpërthyer në Gjermani nëse një grua transgjinore me prejardhje nga e djathta ekstreme duhet ta vuajë dënimin e saj në një burg për gra apo për burra, pasi u dënua për nxitje të urrejtjes dhe fyerje.
Sipas BBC-së , Marla-Svenja Liebig u dënua në korrik 2023 nga Gjykata e Qarkut të Halle në Saksoni-Anhalt me një vit e gjashtë muaj burg pa lirim me kusht, për nxitje të urrejtjes, shpifjes dhe fyerjeve nga e djathta ekstreme. Apeli i saj u refuzua dhe çështja e saj mori formë të prerë.
Gjatë gjyqit, Marla njihej si Sven Liebig , qw i pwrkiste organizatës neonaziste Gjak dhe Nder.
Në fund të vitit 2024, Liebig ndryshoi regjistrimin e saj gjinor në dokumentet zyrtare në femër në vend të mashkullit, si dhe emrin e saj, bazuar në Ligjin e ri të Vetëvendosjes që sapo kishte hyrë në fuqi në vend.
Ky ligj lejon ndryshimin e gjinisë dhe emrit thjesht duke e deklaruar atë në një zyrë regjistrimi, pa urdhër gjykate.
Ky veprim shkaktoi debat të nxehtë në median gjermane, me shumë njerëz që vunë në dyshim motivet dhe sinqeritetin e Marlës.
Der Spiegel shkroi se "është e dyshimtë nëse ndryshimi është serioz", duke kujtuar se Liebig kishte bërë më parë komente kundër personave queer.
Ajo ndërmori veprime ligjore kundër mediave që vunë në dyshim identitetin e saj, por Këshilli Gjerman i Shtypit e hodhi poshtë ankesën e saj kundër Spiegel si të pabazuar.
Kryeprokurori i Halle, Dennis Czernotta , i tha transmetuesit publik MDR se Liebig do të paraqitej në burgun e grave në Chemnitz për të filluar dënimin e saj. Ajo e konfirmoi këtë në një postim në X, duke shkruar: "Më 29 gusht 2025, në orën 22:00, do të shkoj në burgun e Chemnitz me valixhet e mia."
Vendimi përfundimtar se ku do ta vuajë dënimin do të merret pas mbërritjes së saj. Nëse administrata e burgut e konsideron praninë e saj si kërcënim për sigurinë dhe rendin, ajo mund të transferohet në një strukturë tjetër.
Liebig humbi së fundmi një tjetër betejë ligjore, këtë herë kundër gazetarit Julian Reichelt , kryeredaktor i Nius. Reichelt shkroi në X në korrik se "kushdo që ndjek mbulimin e neonazistit Sven Liebig arrin në një përfundim: qeveria gjermane ka arritur të detyrojë ligjërisht pothuajse të gjitha mediat të raportojnë gënjeshtra. Sven Liebig nuk është grua".
Gjykata Rajonale e Berlinit e hodhi poshtë kërkesën e Liebig për urdhër të përkohshëm kundër Reichelt, duke e konsideruar apelin e saj të pabazuar./ Versus.al







