BOTA /

Zjarret kërcënojnë Francën, Macron thërret mbledhje emergjente

Presidenti Macron u shpreh se Franca do të “rindërtohet” dhe garantoi se qeveria do të jetë pranë zonave të prekura për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Shkruar nga Versus

Zjarret kërcënojnë Francën, Macron thërret mbledhje

Franca po përballet me një nga situatat më të rënda të viteve të fundit për shkak të zjarreve masive, të cilat po afrohen drejt qytetit jugperëndimor të Bordosë. Përballë përkeqësimit të situatës, presidenti Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje emergjente të kabinetit qeveritar.

Sipas BBC, vatra kryesore e zjarrit ndodhet rreth 15 kilometra larg Bordosë. Kryebashkiaku Thomas Cazenave tha se, për momentin, nuk ka një vendim për evakuimin e qytetit me rreth 850 mijë banorë, megjithëse dhjetëra mijëra persona janë larguar tashmë nga zonat përreth.

Autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, me temperatura që në disa rajone pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, mund ta bëjë edhe më të vështirë vënien nën kontroll të flakëve.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se situata mbetet shumë e pafavorshme, pasi zjarri po përhapet në mënyrë të paparashikueshme drejt qytetit.

Ndërkohë, presidenti Macron u shpreh se Franca do të “rindërtohet” dhe garantoi se qeveria do të jetë pranë zonave të prekura për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Në rajonin Gironde, zjarri ka krijuar një fenomen të rrallë të quajtur "pirokumulonimbus", një stuhi e gjeneruar nga vetë flakët, e cila ushqehet nga nxehtësia, erërat dhe rrufetë që prodhon.

“Ne nuk e dimë se si do të përhapet zjarri. Fronti i tij ndryshon vazhdimisht. Nuk mund ta luftojmë drejtpërdrejt”, deklaroi zëdhënësi i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, Eric Brocardi.

Sipas tij, për të frenuar flakët do të nevojiteshin reshje të dendura për disa ditë rresht ose drejtimi i zjarrit drejt zonave ku ai mund të shuhet natyrshëm.

Bilanci i dëmeve është i rëndë. Rreth 42 mijë hektarë sipërfaqe janë djegur vetëm në jugperëndim të Francës, ndërsa që nga fillimi i vitit flakët kanë shkrumbuar rreth 98 mijë hektarë. Mbi 220 mijë persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku një vatër e re zjarri pranë Valencias ka detyruar rreth 15 mijë banorë të braktisin shtëpitë e tyre./Versus.al

Poll