Nga data 4 janar e vitit të ardhshëm, në autostradën Thumanë-Kashar nis aplikimi i tarifës së kalimit.
Kompania koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban të vetmin aks rrugor të kategorisë “A”, njofton nisjen e aplikimit të tarifës, pas 6 muajsh kalim pa pagesë.
Pagesa do të jetë 2.5 euro për çdo kalim.
‘Nis Aplikimi i Tarifës Në Segmentin Thumanë-Kashar të Korridorit Blu
Në datën 4 Janar 2025 nis aplikimi i tarifës së rrugës në segmentin e Korridorit Blu,Thumanë-Kashar.
Ky aks i ri ofron një përvojë udhëtimi më të sigurtë, më të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë’, thuhet në një njoftim të shpërndarë për mediat nga kompania koncensionare G2 Infra.
Vepra e re infrastrukturore 21 kilometër e gjatë, pjesë e “Korridorit Blu”, veç sigurisë dhe komoditetit, shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit për qytetarët dhe bizneset.
Autostrada Thumanë-Kashar është segmenti i parë i ndërtuar dhe i hapur për qarkullim prej 30 qershorit, nga pesë të tillë që përbëjnë “Korridorin Blu”.