Bankat tregtare janë vendosur në mes të konflikti të paprecedent ligjor mes Autoritetit të Konkurrencës dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në muajin mars të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të thelluar ndaj bankave tregtare në tregun e sigurimit të jetës për kredinë. Si pjesë e hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga bankat informacion mbi të gjitha kontratat e sigurimit të jetës për kreditë, të lidhura që nga fillimi i vitit 2022. Informacioni përfshin edhe gjeneralitetet e klientëve dhe numrat e tyre të kontaktit.
Në përgjigje të kësaj kërkese, bankat, nëpërmjet Shoqatës së tyre, kanë kërkuar një interpretim ligjor nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nëse të dhënat në fjalë mund t’i vendosen në dispozicion Autoritetit të Konkurrencës.
Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se, në përgjigje të kësaj kërkese, Komisioneri është shprehur se të dhënat personale nuk duhet t’i përcillen Autoritetit të Konkurrencës dhe në informacionin e dërguar këto të dhëna duhet të jenë të anonimizuara ose të fshira.
Bankat i kanë përcjellë Autoritetit të Konkurrencës qëndrimin e Komisionerit, por ky institucion ka përsëritur kërkesën për vendosjen në dispozicion të informacionit të kërkuar, duke paralajmëruar bankat se, në rast të kundërt, mund të sanksionohen me gjobë në masën 1% të xhiros vjetore, siç parashikon ligji “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se ligji i detyron ndërmarrjet të japin të gjithë informacion e kërkuar dhe se nga ky detyrim nuk përjashtohen të dhënat personale të shtetasve.
Detyrimi i subjekteve për të dhënë informacion është i parashikuar në nenin 33 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, që përcakton se “në çdo kohë, Autoriteti, me anë të një kërkese të sekretariatit ose të komisionit, mund t’u kërkojë të tretëve, ndërmarrjeve ose grupimeve të ndërmarrjeve, t’i sigurojnë të gjitha informacionet e nevojshme, për zbatimin e këtij ligji, përfshirë edhe ato, të cilat përmbajnë sekrete tregtare”.
Megjithëse ligji nuk shprehet në mënyrë eksplicite për të dhënat personale, Autoriteti i Konkurrencës gjykon se ato nuk janë të përjashtuara nga detyrimi për informim dhe në këtë rast i vlerëson të domosdoshme për kryerjen e hetimit.
Afati fillestar për dorëzimin e informacionit ishte data 24 prill, ndërsa në komunikimin e fundit Autoriteti i Konkurrencës u ka lënë bankave edhe gjashtë ditë kohë, deri në datë 30 prill për të dorëzuar informacionin, ose në të kundërt mund të përballen me sanksione.
Megjithëse dy institucionet janë vënë në dijeni për qëndrimet respektive, deri tani ato nuk kanë ndërmarrë asnjë komunikim me njëri-tjetrin. Në komunikimin shkresor me Komisionerin, Shoqata e Bankave ka vendosur si palë për dijeni edhe Autoritetin e Konkurrencës. Ndërsa Komisioneri, në përgjigjen e tij i është drejtuar vetëm Shoqatës dhe nuk ka përfshirë në korrespondencë Autoritetin e Konkurrencës.
Bankat janë vendosur në një situatë paradoksale. Në rast se refuzojnë të japin informacionin e kërkuar, rrezikojnë të gjobiten nga Autoriteti i Konkurrencës.
Në rast se e japin informacionin e kërkuar, rrezikojnë të gjobiten nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, që reflekton rregulloren e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR), parashikon gjoba që mund të arrijnë deri në 20 milionë euro.
Bankat tregtare po konsiderojnë një reagim të koordinuar në këtë rast dhe një nga alternativat është kundërshtimi i urdhrit të Autoritetit të Konkurrencës në Gjykatën Administrative. / Monitor.al
