EKONOMI & MJEDIS /

BSH përcakton tarifat tavan për transfertat SEPA, ato hyrëse nuk mund të jenë më të larta se 3 Euro

Shkruar nga Versus

BSH përcakton tarifat tavan për transfertat SEPA, ato hyrëse nuk  
Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që vendos bazat për nivelin e tarifave që bankat dhe institucionet e pagesave do të aplikojnë, pas anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Projektrregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, të raportuara nga “Monitor” javën e kaluar, komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin AIPS Euro, do të ulet nga 6 euro në 4 euro.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar. Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Këto nivele tavan do të aplikohen edhe për transfertat në nisje në zonën SEPA.

Ndërsa, për tarifat e pagesave SEPA hyrëse, nëse aplikohen nga institucioni i përfituesit të pagesës, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave. Këto tarifa, në asnjë rast nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.

Duke filluar nga muaji tetor, pritet që bankat tregtare shqiptare të fillojnë kryerjen e transfertave nëpërmjet sistemeve të SEPA, çka do të sjellë ulje drastike të komisioneve dhe shkurtim të kohës për kryer transfertat në Euro jashtë vendit.

Aktualisht, sektori bankar në Shqipëri i ekzekuton transfertat ndërkombëtare nëpërmjet nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Një zgjidhje e tillë sjell komisione të larta dhe kohë relativisht të gjatë për kryerjen e transfertave.

Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.

Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.

Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet të lehtësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare.

Bizneset shqiptare do të kenë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Monitor.al

Poll