Ndryshe nga më parë, qytetarët shqiptarë po kthejnë kursimet e tyre në monedhën vendase. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë depozitat në lekë janë shtuar me mbi 2.4 miliardë lekë gjatë muajit nëntor.
Ky është muaji i dytë i cili rezulton me një rritje të theksuar të kursimeve në lekë duke shkuar në 794.7 miliardë lekë nga 790.5 miliardë që ishte gjatë muajit tetor, me një rritje 7 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë .
Megjithatë luhatja e kursit të këmbimit për monedhën e euros ka ndikuar në “zbrazjen” e tyre duke shënuar një ulje me të paktën 21 milionë euro gjatë muajit nëntor.
Aktualisht sipas kursit zyrtar, një euro po këmbehet në nivelin e 98 lekëve, duke mbajtur kështu një nivel thuajse standard prej më shumë sesa një viti, që prej nisjes së zhvlerësimit të kësaj monedhe.
Megjithatë sipas ekspertëve të ekonomisë një prej faktorëve që ka ndikuar në këto shifra është edhe faktori psikologjik i cili ka bërë që qytetarët dhe bizneset të orientohen me tepër në depozita në lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë stoku total i depozitave ka shënuar rritje duke arritur në 1.33 trilionë lekë.








