Bashkimi Evropian mund të heqë dorë nga gazi rus brenda 6 deri në 12 muaj, duke e zëvendësuar atë me gaz të lëngshëm natyror (LNG) të importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu deklaroi të premten për Reuters sekretari amerikan i energjisë, Chris Wright, duke shtuar se ky pozicion i është komunikuar zyrtarisht Bashkimit Evropian gjatë kësaj jave.
Wright ndodhej në Bruksel, ku të enjten zhvilloi një takim me komisionerin evropian për energjinë, Dan Jørgensen, me qëllim diskutimin për ndërprerjen e blerjeve evropiane të energjisë nga Rusia.
Aktualisht, BE po negocion një paketë ligjore për heqjen graduale të importeve të naftës dhe gazit rus deri në janar 2028, ndërsa ndalimi i kontratave afatshkurtra me Rusinë do të hyjë në fuqi që nga viti i ardhshëm.
“Mendoj se kjo mund të realizohet lehtësisht brenda 12 muajve – ndoshta edhe brenda 6 muajve,” – tha Wright, duke iu referuar mundësisë së BE-së për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus.
“Sigurisht që unë shpreha mendimin se ne mund ta përshpejtojmë këtë proces. Nga ana e SHBA-së, ne jemi të gatshëm ta bëjmë më shpejt, dhe mendoj se do të ishte mirë që afatet aktuale të afroheshin. Nuk jam i sigurt nëse kjo do të ndodhë, por ky ishte thelbi i diskutimit me z. Jørgensen,” – shtoi Wright.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk dha komente të menjëhershme për këtë deklaratë.
SHBA shton presionin
Shtetet e Bashkuara janë duke rritur presionin ndaj Evropës për të ndalur të ardhurat energjetike të Rusisë, të cilat mbeten një nga burimet kryesore që financojnë luftën e saj në Ukrainë. Rusia vazhdon të përfitojë ndjeshëm nga eksportet e saj të karburanteve, pavarësisht sanksioneve dhe reduktimeve të mëparshme të importeve.
Komisioneri Jørgensen deklaroi të enjten se është e papranueshme që BE ende importon energji nga Rusia, por shtoi se afati i vendosur për vitin 2028 është ambicioz, dhe synon të shmangë rritje të çmimeve apo mungesa në furnizim për vendet anëtare gjatë tranzicionit.
Nga ana tjetër, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha këtë javë se po shqyrtohet mundësia për të përshpejtuar këtë fazë, si pjesë e paketës së re të sanksioneve ndaj Moskës – pa dhënë detaje të qarta se si do të realizohej teknikisht kjo nismë.
Për t’u miratuar, sanksionet e reja kërkojnë unanimitetin e 27 vendeve anëtare të BE-së. Deri tani, Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të gazit rus, çka ka shtyrë BE-në të propozojë vitin 2028 si kompromis, përmes një ligji që mund të kalojë me shumicë të cilësuar.
“Sa më shpejt të shkëputemi nga energjia ruse, aq më shpejt rritet presioni ndaj Moskës,” – deklaroi Wright.
Nga 45% në 13%: Varësia e Evropës nga gazi rus bie ndjeshëm
Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, BE pritet të blejë rreth 13% të gazit të saj nga Rusia në vitin 2025, një rënie drastike nga 45% që ishte përpara fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Shtetet e Bashkuara janë ndër furnizuesit kryesorë të gazit të lëngshëm për Evropën dhe kanë kapacitetet e nevojshme për të zëvendësuar plotësisht pjesën ruse, nëse ekziston vullnet politik dhe marrëveshje të qëndrueshme afatgjata.