Emigracioni është shndërruar në një fenomen kronik në Shqipëri, kur përveç ikjeve, po rritet nga viti në vit numri i personave që po marrin leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2024 u dhanë mbi 79 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së, 5,5 % më shumë se vitin e kaluar. Një vit më parë ishin dhënë rreth 75 mijë leje qëndrimi për herë të parë.
Të dhënat nga lejet e qëndrimit tregojnë se për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.
Në 2023-2024 janë dhënë gjithsej 154 mijë leke qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.
Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 1 milionë shtetas shqiptarë.
Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore e rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me Censin e mëparshëm të 2011. Në vend, sipas INSTAT tashmë jetojnë më pak 2.4 milionë persona.
Vetëm ata që kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE për periudhën 2011-2024 ishin rreth 743 mijë persona, sipas të dhënave të Eurostat.
Lejet e qëndrimit në Europë
Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2024 u dhanë 3.5 milionë leje qëndrimi për herë të parë u lëshuan në BE për shtetas jo-BE, një rënie prej 8.3% (-315,700) krahasuar me vitin 2023, viti me numrin më të lartë të regjistruar deri më sot.
Punësimi ishte arsyeja kryesore për lëshimin e lejeve të qëndrimit në vitin 2024, duke zënë 31.9% (1.1 milion) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara, me rënie 12.2% në krahasim me vitin 2023.
Arsyet familjare përbënin 27.1% (950 600) të të gjitha lejeve, duke reflektuar një rënie prej 6.5% (-65 800) krahasuar me vitin 2023. Arsyet e tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin pak më shumë se një të katërtën e pjesës (25.3%; 886 300), me një rënie prej 10.0% (-98 900). Arsyet e arsimit përbënin 15.7% (549 400) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit, duke përfaqësuar rritjen e vetme të përgjithshme prej 0.8% (+4 500).
Në vitin 2024, numri më i lartë i lejeve të para të qëndrimit iu lëshua qytetarëve të Ukrainës (295 600), e ndjekur nga India (192 400) dhe Maroku (188 400). Shqipëria ishte në vendin e 11 për nga numri i lejeve të lëshuara për herë të parë nga vendet e BE vitin e kaluar.