
Tiranë- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat lidhur me bilancin për ekonominë e vendit gjatë vitit 2023.
Teksa foli për forcimin e lekut në këmbimin valuator, gjë që ka sjellë rënien e vlerës së monedhave të huaja, Sejko tha se ky trend ka ardhur si pasojë e rritjes së eksporteve dhe investimeve të huaja në ekonominë e vendit.
“Në veçanti forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike. Rëndësia e këtij treguesi për zhvillimet ekonomike në vend kanë sjellë atë në fokus të analizave tona. Këto analiza kanë synuar të identifikojnë arsye, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Në mënyrë të përmbledhur ata kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve te huaj direkte”- u shpreh guvernatori.
Sipas tij, forcimi i lekut ka pasur një ndikim pozitiv në ekonomi duke rritur fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Në këto rrethana forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Kontribuoi në kontrollin e inflacionit duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe mundësoi një normalizim me gradual të qëndrimit politikës sonë monetare gjatë 2023, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve”- shtoi Sejko.
Mes të tjerash, ai vuri në dukje se gjatë vitit që lamë pas, Shqipëria ka patur normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit.








