
Një shpërthim tritoli ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Sarandës, duke i marrë jetën një personi. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen nr. 3, ku një automjet tip Toyota u shkatërrua plotësisht nga lënda shpërthyese e vendosur brenda tij.
Policia njofton se eksplozivi ishte vendosur në automjetin në pronësi të Isuf Jacajt, i cili ndodhej brenda në momentin e shpërthimit dhe humbi jetën në vend. Viktima është babai i Klaus Jacajt, 31 vjeç, i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit” në lidhje me ngjarjen e 17 korrikut 2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri dy persona në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Shpërthimi i fuqishëm u dëgjua në gjithë qytetin bregdetar, duke shkaktuar panik dhe frikë tek banorët e zonës.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Vetëm 3 muaj më parë, më 22 korrik, Klaus Jaçajt i hodhën në erë mjetin me tritol. Mjeti ishte i parkuar pranë një pallati, po në lagjen numër 3, në të njëjtën zonë ku babai i tij humbi sot jetën në një atentat me tritol.
Autoritetet bëjnë me dije se po zhvillohen të gjitha hetimet dhe procedurat ligjore për dokumentimin e këtij atentati që ka tronditur thellë Sarandën mbrëmjen e sotme.







