Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Korçë, ku një vajzë e mitur është hedhur nga kati i tretë i një pallati.
E mitura ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e saj shëndetësore nuk është bërë e ditur në detaje, por ngjarja ka tronditur jo vetëm familjen, por dhe komunitetin përreth.
Në një dëshmi jashtë kamerave, nëna e vajzës, e cila rrit e vetme katër fëmijë, pasi bashkëshorti ndodhet në burg për dhunë në familje, rrëfen se dy vajzat e saj janë përballur me dhunë fizike dhe bullizim të vazhdueshëm nga bashkëmoshatarët dhe banorët e lagjes.
“Erdha nga Barmashi i Kolonjës. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e goditën në kurriz. Sot, një vajzë tjetër e sulmoi sërish. Më goditi edhe mua në stomak. Policia më mori mua, ndërsa vajza, që u ndje vetëm dhe e përbuzur, u hodh nga kati i tretë. E tallnin, i thoshin që ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë,” rrëfen ajo me dhimbje.
Javët e fundit ka patur disa raste kur të mitur e adoleshentë janë hedhur nga lartësi të konsiderueshme, ngjarje këto të lidhura me depresionin dhe bullizmin nëpër të cilin kalojnë këta 14-16 vjeçarë.







