EKONOMI & MJEDIS /

Frenimi i lejeve të ndërtimit tkurr me 41% të ardhurat totale të Bashkisë Tiranë për 5 mujorin 2025

Taksa e ndikimit në infrastrukturë kontribuoi në 18% të të ardhurave në janar-maj 2025, nga 50% në pesëmujorin e parë 2024.

Shkruar nga Versus
Frenimi i lejeve të ndërtimit tkurr me 41% të ardhurat totale

Të ardhurat e Bashkisë Tiranë kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme në 5 muajt e parë të këtij viti, duke reflektuar varësinë e lartë që ka kryeqyteti nga dhënia e lejeve të ndërtimit.

Sipas raportit të realizimit të buxhetit të Bashkisë Tiranë për periudhën janar-maj 2025, të ardhurat totale nga taksat e tarifat, ishin 7.4 miliardë lekë, ose rreth 75 milionë euro. Në krahasim më të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin 12.5 miliardë lekë, të ardhurat kanë rënë me 41.5%.

Ndikimin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, që Bashkia arkëton nga dhënia e lejeve të ndërtimit dhe që është 8% e vlerës për ndërtimet rezidenciale. Ky zë ka sjellë në buxhet vetëm 1.3 miliardë lekë, nga 6.3 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një tkurrje prej gati 80%.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë kontribuoi në 18% të të ardhurave në janar-maj 2025, nga 50% në pesëmujorin e parë 2024.

Rënia e këtij zëri është në linjë me tkurrjen e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit. Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në kryeqytet në periudhën janar-mars u dhanë 72 leje ndërtimi, me një sipërfaqe prej rreth 201 mijë metra katror. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja ka rënë me 13.3%. Së bashku me tremujorin e parë 2023, këto janë nivelet më të ulëta që janë dhënë që nga viti 2018.

Vitet e fundit, bashkia e ka rritur ndjeshëm varësinë e të ardhurave nga taksa që merr nga dhënia e lejeve të ndërtimit. Në 2024-n, sipërfaqja e lejeve të ndërtimi arriti një nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metra katror, teksa bashkia arkëtoi nivelin më të lartë historik nga taksa e ndikimit në infrastrukturë prej 14.3 miliardë lekësh (145 mln euro), që i korrespondonte një vlerë ndërtimesh prej 1.8 miliardë euro.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë zunë rreth 54% të totalit të të ardhurave tatimore dhe jotatimore të realizuara për 2024. Kjo varësi është parë me shqetësim nga ekspertët e financave vendore. kjo taksë, e lidhur ngushtë me aktivitetin e ndërtimit, e ekspozon bashkinë ndaj rrezikut fiskal, pasi çdo ngadalësim në sektorin e ndërtimit sjell rënie të menjëhershme të të ardhurave.

Raportet e Co-PLAN dhe të Ministrisë së Financave paralajmërojnë se kjo varësi e tepruar krijon mungesë të qëndrueshmërisë financiare afatgjatë dhe përkeqëson pabarazitë mes bashkive, pasi pjesa dërrmuese e kësaj takse mblidhet në Tiranë, ndërsa bashkitë e tjera mbeten me burime të kufizuara për zhvillim. Raportet rekomandojnë diversifikimin e burimeve të të ardhurave dhe forcimi i autonomisë vendore për një sistem më të balancuar dhe të qëndrueshëm financiar.

Të ardhurat nga taksat e tarifat e tjera

Zëri që solli më shumë të ardhura në pesë muajt e parë të vitit ishte taksa mbi pasuritë e paluajtshme, me 1.722 miliardë lekë, me rritje 11% me bazë vjetore. Më pas renditet tarifa e pastrimit me 1.45 miliardë lekë, me rritje prej 10%. Taksa e ndikimit në infrastrukturë kaloi për herë të parë në vitet e fundit, si kontribuuesi i tretë më i madh.

Shpenzimet, rritet personeli, preken investimet

Për 5 mujorin, Bashkia ka shpenzuar 10 miliardë lekë, me rritje prej 7.5% me bazë vjetore. Fondet për shpenzime, Bashkia i siguron nga të ardhurat e veta, transfertat e pakushtëzua dhe të kushtëzuara që merr nga buxheti qendror, rindërtim, donacione.

Pesha më e madhe e tyre ka shkuar për shpenzime korente, prej 4.6 miliardë lekësh, me rritje prej 13% me bazë vjetore. Shpenzimet e personelit ishin 3.9 miliardë lekë, me rritje prej 17% me bazë vjetore.

Me rënie ishin shpenzimet kapitale, që u realizuan në nivelin e 1.48 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20% me bazë vjetore.

Sipas relacionit të Bashkisë, ndër faktorët që kanë ndikuar në mos realizimin e fondeve të planifikuara kryesisht për shpenzimet kapitale lidhen kryesisht me procedurat e prokurimit, afatet kohore të nevojshme deri në përfundimin e procedurave deri në lidhjen e kontratave.

5 mujori i parë i vitit ka gjithmonë një realizim të ulët të prokurimeve pasi përgjatë dy muajve të parë referuar dhe udhëzimit të zbatimit të buxhetit apo dhe udhëzimit të mbylljes së llogarive të vitit paraardhës mbyllen rakordimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit paraardhës, mbarten kontratat në vazhdim në sistemin e Thesarit në zbatim të buxhetit të miratuar, vijohet me përgatitjen e realizimit të regjistrit të prokurimeve të vitit paraardhës dhe krijimin e regjistrit të ri të prokurimeve në përputhje me buxhetin e miratuar të vitit 2025. Monitor.al

Poll