Sektori bankar në Shqipëri këtë vit ka shfaqur interes nga investitorë të rinj. Pas aplikimit nga banka turke Ziraat, që pritet të miratohet së shpejti, një tjetër subjekt i huaj ka paraqitur interesin për të hyrë në tregun shqiptar.
Sipas burimeve nga tregu, bëhet fjalë për investitorë nga Izraeli, të përfaqësuar nga Gal Bar Dea, që deri para pak muajsh mbante detyrën e drejtorit të përgjithshëm One Zero Digital Bank.
Burime nga Banka e Shqipërisë shprehen se investitorët izraelitë kanë shprehur interes për të ngritur një bankë në vendin tonë, por ende nuk ka një aplikim zyrtar prej tyre për të marrë licencë për aktivitet bankar në Shqipëri.
One Zero është një bankë relativisht e re, e themeluar në vitin 2019, si e para bankë dixhitale në Izrael, por shumë shpejt ka shfaqur plane ambicioze zgjerimi edhe në tregje të tjera, duke përfshirë edhe një projekt të përbashkët për ngritjen e një banke dixhitale në Itali, në bashkëpunim me bankën italiane, Banca Generali.
Megjithatë, mjedisi i pafavorshëm gjeopolitik dhe tensionet e larta në Lindjen e Mesme, kanë bërë që për momentin banka izraelite t’i pezullojë planet e zgjerimit në tregjet e huaja.
Ish-drejtori i përgjithshëm, Gal Bar Dea, u largua pikërisht për shkak të tërheqjes së One Zero nga strategjia e zgjerimit ndërkombëtar dhe nuk përjashtohet që interesi në Shqipëri të jetë pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një model të ngjashëm të bankingut dixhital në vende të tjera, por në mënyrë të pavarur nga One Zero.
Duke filluar nga viti 2015, tregu bankar shqiptar ka hyrë në një cikël përqendrimi, që solli uljen e numrit të bankave tregtare nga 16 në 11 të tilla.
Me përjashtim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë, që doli nga tregu nëpërmjet likuidimit, zvogëlimi i numrit të bankave ka ardhur nëpërmjet blerjes dhe përthithjes nga bankat konkurrente në treg. Etapa e fundit në këtë proces u zhvillua në vitin 2022, kur Alpha Bank Albania u ble dhe u përthith nga Banka OTP Albania.
Por, pas më pak se një dekade nga nisja e ciklit të përqendrimit, sektori bankar shqiptar duket se mund të fillojë një zgjerim të ri të numrit të subjekteve në treg. Rritja e shpejtë e sektorit në vitet e fundit dhe përmirësimi i treguesve të përfitueshmërisë duket se e ka bërë atë tërheqës edhe për hyrjen e aktorëve të rinj.
Interes për të hyrë në tregun bankar në parim ka shfaqur disa vite më parë dhe grupi estonez Iute, i pranishëm në Shqipëri dhe disa vende të Europës Lindore me institucione të mikrofinancës.
Megjithatë, interesi i Iute nuk shkoi shumë larg, edhe për shkak të politikës së ndryshuar licencuese të Bankës së Shqipërisë, që nuk krijon shumë hapësira për hyrjen e investitorëve pa përvojë dhe reputacion të konsoliduar në tregun bankar. Monitor.al



Kursi i këmbimit të Euros mbyll javën me një minimum të ri historik




