EKONOMI & MJEDIS /

Kredia konsumatore në zgjerim të shpejtë, 28% më shumë për tremujor

Vlera e kredisë konsumatore u rrit me 27.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia konsumatore ka prekur njëkohësisht vlerën më të larta historike për këtë periudhë të vitit.

Shkruar nga Versus

Kredia konsumatore në zgjerim të shpejtë, 28% më shumë

Kredia konsumatore u rrit me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë 2025 sektori bankar disbursoi rreth 13.3 miliardë lekë kredia të reja konsumatore.

Vlera e kredisë konsumatore u rrit me 27.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia konsumatore ka prekur njëkohësisht vlerën më të larta historike për këtë periudhë të vitit.

Huadhënia konsumatore është gjithnjë e më e përqendruar në monedhën vendase. Më shumë se 90% e kredisë së re konsumatore të dhënë gjatë këtij viti ka qenë në Lekë.

Në fund të tremujorit 2025, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 92.3 miliardë lekëve, në rritje me 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë konsumatore është e shpërndarë në të gjitha segmentet e saj kryesore. Kredia për mallrat e qëndrueshëm është rritur me 18.5%, kredia për mallra jo të qëndrueshëm me 14.6%, ndërsa overdraftet e përdorura nga individët me 8.4%.

Mallrat e qëndrueshëm në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet. Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.

Ndërkohë, kredia për mallra jo të qëndrueshëm klasifikohet ajo që lidhet me qëllime të tjera, që zakonisht i referohen shpenzimeve për shërbime apo mallra të konsumit afatshkurtër.

Të dhënat e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues treguan se kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2025, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit. Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit solli kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë.

Nga ana tjetër, edhe oferta për kredi e sektorit bankar ngelet e bollshme, e nxitur nga performanca e mirë e sektorit dhe konkurrenca e lartë në tregun e kredisë për individë.

Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij.

Për këtë arsye, ecuria e kredisë konsumatore është një tregues i tërthortë i ecurisë pozitive të konsumit privat në ekonomi.

Të dhënat me bazë tremujore të raportuara nga INSTAT treguan se konsumi final i popullatës u rrit me mesatarisht 3.5% gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, në vlerësimet për konsumin duhet mbajtur në konsideratë edhe një shkallë e caktuar e informalitetit, që reflektohet veçanërisht në këtë komponent të shpenzimeve./ Marrë nga Monitor

Poll