Duke nisur nga 1 tetori, pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë një rritje të pensioneve të tyre mujore me një shumë pothuajse “simbolike”. Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku u miratua indeksimi i pensioneve me 4.1% për 791 mijë pensionistë në të gjithë vendin
Ky vendim konsiston në rritjen e pensioneve me 4.1% sigurisht bazuar në shumën e tyre fillestare dhe jo atë aktualen. Pra rritja do të përllogaritet bazuar në shumën e parë të pensioneve, ndërsa norma e fitimit të pensionistëve përllogaritet si më poshtë:
752 lekë rritje e pensioneve mujore për pensionistët në qytet
453 lekë rritje e pensioneve mujore për pensionistët në fshat.
Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Bledi Gonxhja deklaroi para gazetarëve se qeveria po rishikon skemën e sigurimeve shoqërore për të bërë të mundur që të ketë përfitime sa më të mëdha për pensionistët të cilët e kanë shumë të vështirë jetesën në kushtet kur inflacioni dhe çmimet e ushqimeve janë rritur vazhdimisht që pas pandemisë.
“Është miratuar indeksimi me 4.1% i pensioneve për pensionistët e vendit. Nis me pagesat e muajit tetor 2024, nga ky vendim përfitojnë 791 mijë e 257 pensionistë sipas numrit aktual.
17 milionë euro vetëm për tre muajt e vitit 2024. Synimi është të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve kundrejt inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Është sfidë e jona rritja e të ardhurave të pensionistëve në mënyrë që ata të kenë një jetë sa më të denjë. Po punojmë të ketë rishikim të skemës për të arritur rritjen e të ardhurave për këtë kategori”- u shpreh Gonxhja.
Vetëm brenda 3 muajve të fundit të këtij viti, ky indeksim i pensioneve do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 17 milionë euro. Rritjen e pensioneve e paralajmëroi edhe kreu i qeverisë Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS ku u konfirmuan emrat e drejtuesve politikë të qarqeve për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Gjatë fjalës së tij ai foli për rishikim të skemës së sigurimeve shoqërore ndërsa paralajmëroi bizneset të cilat nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve se në këtë mënyrë po merrnin atë çfarë u takon të moshuarve. Versus.al
