Qeveria ka bërë disa ndryshime sa i takon procedurës së evidentimit të ndërtimeve pa leje në vend, me qëllim lehtësimin e procesit te legalizimeve.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare i cili tashmë ka hyrë në fuqi për “përcaktimin e dokumentacionit dhe rregullave të hollësishme të evidentimit të ndërtimeve pa leje” thuhet se; “Për kryerjen e procedurave të përcaktuara në vendim, Agjencia Shtetërore e Kadastrës mund të veprojë nëpërmjet stafit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar sipas ligjit ose mund të kontraktojë subjekte private të licencuara në fushat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.”
Deri më tani ky proces kryhej vetëm përmes subjekteve private të licencuara në fushat përkatëse.
Konkretisht bëhet fjalë për procesin e evidentimit në terren të gjendjes ndërtimore, i cili përfshin: përditësimin e gjendjes ndërtimore dhe hartimin e “skicës fushore” për ndërtimin së bashku me parcelën ndërtimore; plotësimin e të gjitha elementeve të aktit të evidentimit, përfshirë edhe funksionin, për çdo ndërtim pa leje; hartimin e genplanit dhe planimetrisë, sipas gjendjes së përditësuar për çdo ndërtim pa leje; krijimin e hartës së bllokut kadastral me gjendjen ndërtimore të përditësuar, në format elektronik dhe në hard copy; plotësimin e bazës të të dhënave të ndërtimeve pa leje me informacionin e përftuar nga përditësimi në terren i gjendjes ndërtimore.
Dhe vetëm pasi të ketë kryer procedurat administrative të mësipërme, drejtoria vendore e ASHK-së vijon me procesin e legalizimit të ndërtimit.
Nga ana tjetër ka ndryshuar edhe modeli i aktit të evidentimit që do të zbatohet në raste të tilla.