Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi për bousin e fundvitit të cilin e përfitojnë 724 mijë pensionistë. Duke nisur nga muaji dhjetor të moshuarit mund të paraqiten për të tërhequr bonusin e ndarë në 2 kategori:
150 euro për ata që kanë pension mujor më të ulët se 20 mijë lekë
Dhe 100 euro për ata që kanë pension mujor më të madh se 20 mijë lekë.
Pensionistët kanë mundësi ta tërheqin bonusin deri në qershor të vitit 2025. Nëse nuk i tërheqin brenda këtij afati, e humbasin mundësinë për të përfituar bonusin.
Pensionistët u kthyen në “temë kryesore” të debatit publik pas protestave të zhvilluara prej këtyre të fundit para kryeministrisë ku shpreheshin se pensioni mujor që marrin, nuk u del as për të mbijetuar dhe detyrohen të kërkojnë ndihmën e fëmijëve të tyre.
Kryeministri Edi Rama nisi një fushatë takimesh me pensionistët për t’u bërë me dije se rritja e pensioneve varet edhe nga bizneset, të cilat sipas tij nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre. Ndërsa pas disa protestave para godinës, kryeministri njoftoi se do të përdorte paketën prej 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit.
Një tjetër lajm që kishte për pensionistët është edhe bonusi i pranverës që përkon me periudhën pak para zgjedhjeve parlamentare. Rama deklaroi se nëse arrin të sigurojë mandatin e katërt, bonusi i pranverës do të jetë i përhershëm, ndërsa nuk dha detaje për shumën që pritet të shpërndahet. Versus.al