Dibër- Teksa prezantoi projektin më të ri që pritet të transferojë një zonë ish-ushtarake në një kompleks shërbimesh në Bulqizë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek bonusi për pensionistët që do të shpërndahet këtë fundvit.
Rama premtoi se përveç këtij bonusi, edhe ai i pranverës do të jetë i përhershëm në mandatin e katërt, për të cilën u shpreh besimplotë se PS do ta ketë sërish. Për shifrën që do jepet në bonusin e pranverës për pensionistët, Rama tha se do të bëhet me dije në ditët në vazhdim.
“Bonusi i pranverës do jetë një bonus që edhe në mandatin e katërt do vazhdojmë ta mbajmë në raport me rritjen ekonomike. Edhe me këtë bonus dhe sasinë e tij, pensionistët do të njihen brenda pak ditëve me informacionin e saktë sesa do marrin më tutje në pranverë. Këto bonuse janë rritje e drejtëpërdrejtë e fuqisë blerëse të pensionistëve dhe janë një sinjal i faktit që shifrat e rritjes ekonomike që janë shumë domethënëse dhe tregojnë se në këtë dekadë vendi ka pasur rritjen më të lartë të prodhimit të brendshëm në të gjithë rajonin, është rritje që nuk ka përfshirë vetëm punonjësit e shërbimit publik. Por edhe pjesën më vulnerabël dhe më të vështirë për t’u adresuar, pensionistët. Sepse bëhet fjalë për më shumë se 700 mijë pensionistë të cilët i paguajnë akoma haraç marrëzisë së viteve para se të merrnim detyrën. Fakt absolut, sepse të gjithë pensionistët që dalin në pension prej vitit 2014 kanë pensione më të larta”- deklaroi Rama.
Ashtu si në fjalimet e fundit, Rama ironizoi edhe partitë e reja të cilat kanë organizuar protesta me pensionistët, duke i quajtur "Sude që shesin qilima fluturues". Versus.al