Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në prezantimin e projektit më të ri që pritet të transformojë Bulqizën ku planifikohet ndërtimi i një infrastructure prej 10 hektarësh ku do të reklamohen prodhimet vendase.
Sipas Ramës ky investim do të sjellë rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj për të njohur më shumë traditën artizanale të zonës.
“Do të krijojë destinacion turistik të një lloji të veçantë ku fondi i zhvillimit jo vetëm do e ndërtojë këtë infrastrukturë në një sipërfaqe 10 hektarësh, por do krijojë kushtet për të mikpritur artizanët e zonës. Gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone apo të traditës artizanale të zonës jo vetëm për produktet karakteristike të zonës por edhe të produkteve që janë kaq të rëndësishme për të promovuar turizmin.
Kjo hapësirë do mikpresë ata që përpunojnë produkte qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë grumbulluesit e bimëve medicinale. Do të mikpresë familjet, gjyshërit dhe fëmijët. Gjithashtu do mikpresë udhëtarë vendas, apo edhe turistë të huaj që po rriten në mënyrë befasuese në numër vit pas viti në këtë qark ku deri dje kur flisje për turizëm të shikonin shtrembër sikur po talleshe”- u shpreh Rama.
Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit foli edhe për Rrugën e Arbrit duke e cilësuar problemin me “Tunelin e Murrizit” si “marrje mësysh” dhe shtoi se tuneli po shkon drejt përfundimit.
“Këtu të shohin gati për të të kapur gabim. Sot mund të flasësh për turizëm dhe askush nuk çuditet më. Faktikisht rruga e Arbrit që në njëfarë mënyre pati edhe një “marrje mësysh” me atë tunelin e Murrizit por nga marrja msysh, rruga do dalë edhe më e fortë. Sepse ai tunel po shkon drejt përfundimit. Kjo rrugë i ka dhënë mundësi gjithë zonës që të përjetojë ndjenjën e të qenit një jastëk i gjelbër i metropolit. Me përfundimin e kësaj rruge, Dibra nuk do jetë asgjë më shumë e asgjë më pak se periferia e gjelbër e kryeqytetit”- deklaroi kryeministri.
Duke e cilësuar Dibrën si “periferinë e gjelbër të kryeqytetit”, Rama tha se projekti më i ri në Bulqizë do të përfundojë brenda 2 viteve. Versus.al