EKONOMI & MJEDIS /

Niveli rekord! Prurjet e emigrantëve kalojnë për herë të parë kufirin e 1 miliardë eurove

Shkruar nga Versus

Niveli rekord! Prurjet e emigrantëve kalojnë për herë

Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëri kanë arritur një nivel rekord gjatë vitit 2024, duke e kaluar për herë të parë kufirin e 1 miliardë eurove.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 1.05 miliardë lekë në 2024-n, me një rritje prej 12.5% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.

Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se ritmet e emigracionit të shtetasve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian janë përshpejtuar vitet e fundit dhe kjo reflektohet në numrin e lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna nga shtetet e BE-së. Në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të pare.

Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

I gjithë ky fluks i ri të ikurish është reflektuar në zgjatjen e ciklit të emigracionit. Vlerësohet se në 10-15 vjet lidhjet me vendim amë fillojnë e zbehen, teksa emigrantët krijojnë një jetë të re, në shtetin ku kanë emigruar. Kjo ndodhi me valën e parë të emigracionit të pas viteve ’90, që çoi në një rënie të prurjeve pas vitit 2008.

Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e treguesit të remitancave është dhe ekonomia informale. Prurjet e emigrantëve llogariten nga Banka e Shqipërisë si një zë në total që mbulon të hyrat e ndryshme në bilancin e pagesave, që mund të jetë formale apo jo formale dhe si rrjedhojë këtu mund të përfshihet edhe ajo pjesë e parasë informale që hyn nga burime jo të ligjshme e hidhet në ekonomi, si në ndërtim, apo blerje pasurish të paluajtshme në bregdet./Monitor

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: