Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i janë rikthyer rritjes në muajin maj, pas një rënieje të lehtë gjatë dy muajve të mëparshëm. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit maj arriti në 1.38 trilionë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.6% krahasuar me prillin dhe 0.2% krahasuar me marsin. Rritja është ndikuar kryesisht nga depozitat në lekë, të cilat kanë shënuar një ecuri pozitive, duke arritur në 645 miliardë lekë, ose 0.7% më shumë se në muajin shkurt. Ndërkohë, depozitat në valutë mbeten në nivele më të larta, me një vlerë prej 739 miliardë lekësh dhe një rritje më të moderuar prej 0.5%.
Depozitat e përfshira në paranë e gjerë përfshijnë të gjitha format e kursimeve të individëve dhe bizneseve në sistemin bankar, që nga llogaritë rrjedhëse dhe ato të kursimit, deri te depozitat afatshkurtra dhe afatgjata. Brenda kësaj kategorie, më të përfaqësuarat vazhdojnë të jenë depozitat e transferueshme, pra paratë në llogari rrjedhëse që përdoren për transaksione të përditshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat e transferueshme në lekë arritën në 374 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë në 366 miliardë lekë.
Ndërkohë, një rritje e lehtë është shënuar edhe te depozitat pa afat dhe format e tjera të depozitave në lekë, të cilat janë rritur me 0.5%. E kundërta ka ndodhur me depozitat pa afat në valutë, të cilat kanë pësuar një rënie. Megjithëse depozitat në valutë përbëjnë shumicën e kursimeve në sistemin bankar, të dhënat e muajit maj tregojnë se rritjen e përgjithshme e ka nxitur më shumë rritja e depozitave në monedhën vendase. Kjo tendencë pasqyron një interes më të madh për kursimet në lekë në kushtet e luhatjeve valutore dhe normave të interesit të përmirësuara për monedhën vendase. /Versus.al







