Transaksionet e shitblerjes kanë qenë të pakta në numër mes sipërmarrjeve shqiptare, ndërsa hyrjet e investitorëve të huaj kanë munguar edhe në vitin 2023. Lëvizjet për shitblerjet e aksioneve janë të ulëta.
Kryesisht ato janë kalime aksionesh mes bashkëshortësh, apo nga prindërit te fëmijët. Një tendencë e dy viteve të fundit është kalimi i sipërmarrjeve nga emrat e individëve në emër të grupit (holding) që zotërohet po nga i njëjti/të njëjtët individë.
Bizneset pohuan se kjo lëvizje lidhet me dy arsye: së pari, me menaxhimin më të lehtë të shpërndarjes së dividendit dhe së dyti mundëson një strukturim më të mirë të përgjegjësive operacionale dhe ligjore.
Bizneset me kapital shqiptar janë në pjesën më të madhe familjare dhe nuk shënojnë ndryshime në strukturën e pronësisë. Mbiemrat e njëjtë mbizotërojnë në strukturën e pronësisë së kompanive të mëdha dhe të Bordeve të Këshillave Mbikëqyrës për shoqëritë aksionere.
Shitblerjet e aksioneve janë të pakta, transaksionet e mëdha po ashtu. Nuk ka as bashkime apo ortakëri mes sipërmarrjeve të mëdha me pronarë që nuk kanë lidhje fisnore mes tyre. Blerjet nga sipërmarrje të huaja të kapitalit vendas janë me pikatore. Edhe hyrjet e sipërmarrësve të rinj në kompanitë e mëdha, përgjithësisht mungojnë.
Një dukuri e re është dhe dhurimi i aksioneve nga aksionerë që i kanë ato si garanci në banka për shlyerjen e kredive.
Segmenti që njohu ndryshime më të shumta të pronësisë në vitin 2023 ishte ai i tregtimit të produkteve farmaceutike.
– Në dhjetor 2023 “American Hospital”, i krijuar në vitin 2006 përthithi “International Hospital” i themeluar në 2007, të cilin e zotëronte 100%. Sipas raportit, qëllimi është rritja e performancës, optimizimi i burimeve njerëzore dhe përfitimi i një efekti sinergjik, ulja e kostove, rritja e numrit të klientëve, pacientëve, shtimi i investimeve dhe si rrjedhojë, rritja e të ardhurave.
“American Hospital” e bleu “International Hospital” (ish-Hygeia) në gusht të vitit 2018 nga grupi grek “Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia”. Ky i fundit e shiti njësinë në Shqipëri për 1 milion euro, ndërsa blerësi mori përsipër detyrimet e “Hygeia Hospital Tirana”, që arritën në atë kohë në 29.5 milionë euro në total.
Që prej fillimit të aktivitetit në vitin 2010, pas një investimi fillestar prej 60 milionë eurosh, “Hygeia” në Tiranë ka rezultuar me humbje të mëdha, që deri në vitin 2018 arritën në 2.7 miliardë lekë.
Pas vitit 2018, me ndryshimin e pronësisë, humbjet u reduktuan vazhdimisht për të rezultuar me fitime minimale në 2022 dhe 2023 prej 75 dhe 98 milionë lekësh përkatësisht, sipas të dhënave në bilanc.
“American Hospital”, krahas përthithjes së “International Hospital” ka ndryshuar dhe pronësi. Sipas një raportimi të mëparshëm të “Monitor”, sipërmarrësi Klodian Allajbeu është pronari i ri i “Spitalit Amerikan” (“American Hospital”). Blerja është kryer nëpërmjet marrjes së kontrollit të aksionerit të vetëm të “American Hospital”, shoqërisë holding të regjistruar në Holandë “Balkan Alliance Healthcare B.V”.
Klodian Allajbeu do të blejë 86.3% të shoqërisë nëpërmjet një tjetër kompanie (të regjistruar po në Holandë), “KA Healthcare BV”, për një çmim të vlerësuar në rreth 24 milionë euro. Në QKB nuk është i deklaruar pronari fundor i “Balkan Alliance Healthcare B.V”.
“American Hospital” është spitali i parë privat në Shqipëri, i themeluar në vitin 2006 (si Univers-Alb sh.a.) pikërisht nga Klodian Allajbeu, në partneritet me dy kompani turke. Në vitin 2008, kompania u ble nga “Balkan Alliance Healthcare B.V.”, shoqëri e regjistruar në Holandë, por e kontrolluar nga një fond investimesh amerikan, i specializuar kryesisht në investime (private equity) në kapitalin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
-Një tjetër zhvillim në vitin 2023 është largimi i sipërmarrësit Grigor Joti nga “InfoSoft Systems”. Në maj 2023, z. Grigor Joti ka transferuar në favor të z. Armand Shara 36.6% të kuotave për një vlerë prej 219 milionë lekësh, plus një vlerë prej 18.33% të fitimit të kompanisë për çdo periudhë për tre vitet e ardhshme.
Tashmë “InfoSoft Systems” zotërohet 30% nga “TAG Engineering”, po në pronësi të Armand Shara, i cili tashmë zotëron 66.7% të kompanisë dhe 33.3% nga Bledar Dhima.
“InfoSoft Systems” u themelua në vitin 1995, duke qenë ndër të parat që u orientua në Shqipëri në tregtimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe përpunimin e të dhënave të të gjitha llojeve hardware, software, networking dhe të gjithë periferikeve të tyre. Themeluesit ishin Grigor Joti (60%) dhe Gëzim Dobi (40%), i cili u largua në vitin 2012.
Z. Joti ka mbetur aksioner në “Inter Trade & Distribution”, ku “Investment Joti” ka 52% të aksioneve me aktivitet në tregtinë me shumicë të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, si dhe 52% të aksioneve të “Interbrands” dhe 33% të aksioneve të “Inter Distribution Service”, distributorit më të madh në vend në 2023 si dhe 88% të aksioneve të ITD që tregton pajisje kompjuterike.
-Në dhjetor 2023, Ridgers Mema, që zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë me shumicë të tregtimit të karburanteve “Al Global Oil”, i ka dhuruar aksionet e tij tek aksioneri tjetër “Europetrol Group”, me këtë të fundit që bëhet zotërues 100% i kuotave. Sipas marrëveshjes së shitblerjes, kontrata e dhurimit është për shkak të cedimit të një kredie në bankë.
-Në dhjetor 2023, Dritan Bedo, që ishte zotërues 100% i “Globe Shops”, shoqërisë së tregtimit të artikujve elektroshtëpiakë i ka kaluar pronësinë, nëpërmjet dhurimit të aksioneve, në favor të Dardi Çinari, me kusht që edhe pas ndryshimit të pronësisë së tyre, kuotat të vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara, duke mbartur të gjitha barrët siguruese që aktualisht rëndojnë mbi to, në favor të një banke.
-Në maj 2024 u zbatua projekt-bashkimi me përthithje i shoqërisë përthithëse “Riofarma” sh.p.k. me shoqërinë e përthithur “TRIMED”, të dyja me aktivitet në tregtimin e produkteve farmaceutike. Qëllimi i transaksioneve është zvogëlimi i kostove dhe bashkimi i sinergjive.
-Në shkurt 2024, në shoqërinë e tregtimit të produkteve farmaceutike “Megapharma” është shtuar ortaku “T-Medss”, i cili ka blerë 30% të aksioneve nga aksionerët ekzistues për 4.6 milionë euro. Monika Hamzaraj ka shitur 15% të aksioneve, duke mbajtur 35%, dhe Robert Çina ka shitur po 15% të aksioneve, duke mbajtur 35%. Zotëruesi i “T-Medss” është Sokol Ramizi.
-Një tjetër ndryshim në pronësinë e shoqërive farmaceutike lidhet me transferimin e 20% të kapitalit të z. Izmir Shehu, në favor të znj. Besjana Gradica në shoqërinë “Alfamarkos”, për 70 milionë lekë. Z. Shehu ka ulur pjesëmarrjen në kapital nga 60 në 40%, ndërsa pjesa tjetër prej 40% vijon të zotërohet nga Vladimir Margjeka. Transaksioni ka ndodhur në prill 2024.
-Në qershor 2024, Bardhyl Sali, i cili zotëronte 100% shoqërinë “Sali Elektrik”, me aktivitet në tregtimin e materialeve elektrike, i ka dhuruar 40% të aksioneve të birit, Rikardo Sali.
-Në qershor 2023, kompania “Vodafone Panafon International Holdings B.V.” ka shitur 50% të aksioneve që zotëronte në kompaninë “Vodafone Albania” tek ortaku tjetër i shoqërisë, shoqëria “Vodafone Europe B.V.”.
Sipas marrëveshjes së shitjes, vlera e transaksionit është afërsisht 27.2 milionë euro. Të dyja kompanitë e përfshira në transaksion janë kompani holding të regjistruara në Holandë dhe që zotërohen në masën 100% nga grupi “Vodafone” (“Vodafone Group Plc”). Në këtë kuptim, shitblerja e aksioneve nuk sjell ndryshime për sa i takon kontrollit përfundimtar mbi kompaninë.
Ka vijuar edhe në 2023-2024 kalimi i sipërmarrjeve nga emrat e individëve në emër të grupit (holding) që zotërohet po nga i njëjti/të njëjtët individë.
-Altin Lala, i cili zotëron 25% të aksioneve të “Rossmann Lala” e ka kaluar pronësinë tek “ALF HOLDING”, që është po në pronësi të z. Lala.
-Në prill 2023, Gentian Sula i ka kaluar 100% të aksioneve që zotëronte te shoqëria e tregtimit të energjisë “NOA Energy” tek “NOA Holding”, që është po në pronësi 100% të tij.
-Në mars 2023, ortaku Eduard Curraj është larguar nga shoqëria farmaceutike “Delta Pharma”, ndërsa kapitali është transferuar te “Delta Holding”. Kontributi në para, sipas marrëveshjes së shitblerjes ishte rreth 903 milionë lekë. “Delta Holding”, e krijuar në 16 janar 2023, zotërohet 50% nga Eduard Curraj dhe 50% nga Dorian Sadiku. Monitor.al
