Konsumi përgjatë vitit 2024 ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë pozitive të ekonomisë. Turistët e shumtë që kanë vizituar Shqipërinë, por edhe qytetarët shqiptarë nuk janë kursyer në shpenzime, duke bërë që të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që mblidhet në vend të jetë në nivelet më të larta.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) brenda vendit u realizua në masën 49 miliardë lekë, 8.7 miliardë lekë ose 88 milionë euro më shumë.
E shprehur në përqindje, rezulton 21.7 % më shumë se 10-mujori 2023, duke e bërë taksën me rritjen më të lartë në raport me taksat e tjera.
Po ashtu, të ardhurat nga konsumi kanë tejkaluar planin për 10 mujorin me 1 miliardë lekë apo 10 milionë euro. Ajo që vihet nga të nëse marrim në analizë të njëjtën periudhë në 5 vitet e fundit, rritja është progresive dhe 2024 -ta shënon rekord në të hyrat nga TVSH.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë perfomancë është rritja e numrit të turistëve në vendin tonë, të cilët përpos interesit për zonat bregdetare, kanë pasur interes të shtuar për zonat historike dhe malore.
Duke qenë se kushtet atmosferike kanë qenë favorizuese, turizmi ka vijuar të prodhojë konsum edhe përgjatë muajve të vjeshtës.
Normalizim i çmimeve gjatë këtij viti ka qenë një tjetër faktor që i ka shtyrë qytetarët të rrisin kërkesën dhe konsumin, jo vetëm për produktet e shportës, por edhe më gjerë.
Nga ana tjetër ndikim kryesor ka pasur edhe reforma e pagave në administratë, ku nga 1 Korriku 2024, pagat u rritën sërish për një sërë kategorish që paguhen nga buxheti i shtetit, duke u dhënë kështu shumë mundësi qytetarëve për të shpenzuar.
Kjo reformë ka vënë në lëvizje edhe sektorin privat duke nxitur në mënyrë indirekte lëvizje në paga, çka ka sjellë dhe konsum të shtuar. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i arkëtuar bruto në total për 10 mujorin, përfshirë dhe importin, rezultoi në 177 miliardë lekë.