
Viti 2026 nis me lajme pozitive për pensionistët, pasi hyn zyrtarisht në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve përmes bonuseve mujore, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama. Skema e re sjell mbështetje të drejtpërdrejtë financiare dhe rritje të qëndrueshme të të ardhurave për mijëra qytetarë.

Rritja do të jetë e përmuajshme dhe e diferencuar sipas kategorive të pensionistëve. Konkretisht:
Pensionistët urbanë do të përfitojnë rreth 1.800 lekë shtesë në muaj
Pensionet urbane të pjesshme do të rriten me 800 lekë në muaj
Pensionistët ruralë do të marrin 1.000 lekë më shumë në muaj
Pensionet familjare do të përfitojnë 700 lekë shtesë në muaj
Pensionet e invaliditetit do të rriten me 600 lekë në muaj
Kjo skemë e re, e paprecedentë më parë, synon të përmbushë angazhimin e qeverisë për të çuar pensionin minimal në 20 mijë lekë dhe pensionin mesatar urban në 40 mijë lekë.

Por çfarë do të thotë kjo konkretisht për pensionistët? Një qytetar që sot përfiton një pension prej 27 mijë lekësh në muaj, pritet që deri në vitin 2029 të arrijë një pension prej 40 mijë lekësh në muaj. Po ashtu, një pensionist nga zona rurale, që aktualisht merr 11 mijë lekë, pas katër vitesh do të përfitojë një pension mujor prej 18 mijë lekësh.
Aktualisht, rreth 730 mijë qytetarë janë përfitues në skemën e sigurimeve shoqërore, ndërsa çdo vit këtij numri i shtohen rreth 15 mijë pensionistë të rinj. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka njoftuar se gjatë vitit 2026 pritet reformimi i mëtejshëm i skemës së pensioneve, me synim rritjen e qëndrueshmërisë dhe përfitimeve afatgjata për të gjithë kontribuuesit.

