Tiranë- Një operacion i koduar si “End Point” u realizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas vënies së alertit nga autoritetet austriake se qindra qytetarë ishin mashtruar prej tyre. Dy call centerat vepronin në zonën e Liqenit të Thatë atje ku ishin regjistruar si zyra. Në njërin Call Center u arrestuan edhe dy administratorët Marjo Kolli dhe Bjorn Kareco. Të dy të rinjtë, kanë një histori të gjatë në industrinë e mashtrimit, me të cilën do të njiheni më poshtë.
Operacioni u zhvillua në një klimë tejet hermetike, ndërkohë që për çudi edhe mbulimi mediatik për këtë temë ka qenë tejet i cunguar.
Kjo jo pa shkak. Versus hulumtoi më tej për këtë çështje, nga ku rezultoi se pronari faktik i këtyre pikave rezulton se është një personazh i njohur si biznesmen në kryeqytet. Ai është Flladi Malaj, veprimtaria e të cilit në fushën e call centerave ka mbi 15 vite, nën sytë e të gjitha institucioneve ligjzbatuese. Por si lidhet Malaj me këtë operacion? Në fakt, gjurmët mund lidhen tekn dy administratorët. Të dy janë mbulesa fiktive e Malajt në këtë veprimtari.
Nga kërkimet e Versus, rezulton se dy të rinjtë janë arrestuar edhe në shtator të vitit 2023. Më 22 shtator, Policia e Shtetit realizoi operacionin “Momentum”, ku siç shihet edhe më poshtë, ndër dy të arrestuarit janë edhe dy të rinjtë. Lirimi i tyre dhe ripërsëritja e të njëjtës vepër penale është një tjetër mister shqiptar i pazgjidhur.

Termi “Momentum” është edhe lidhja direkte me Malajn. Policia e Shtetit e kodoi operacionin me të njëjtin emër me të cilin Flladi Malaj kishte vendosur si ombrellë për të gjitha bizneset e tij në këtë fushë.
DOKUMENTI I QKB- MOMENTUM FLLADI MALAJ

Është pikërisht kjo edhe gjurma më direkte që Malaj është sërish personazhi kyç pas aktivitetit të dy call centerave te Liqeni i Thatë.
Por kush është i riu?
Të njohur si të afërm të një ish-deputeti të njohur socialist dhe të një tjetër personazhi të errët të botës së krimit, Malaj bashkë me të vëllain e tij, Xhulio Malajn, kanë një veprimtari të njohur në fushën e Call Centerave. Ata kanë hapur fillimisht në vitin 2019, krijuan firmën “Albreeze” 100% në pronësi të Flladi Malaj, me aktivitet Call-Center në adresën “Rruga Prokop Mima”.
Më 8 gusht 2019, krijuan firmën “ACME Studio Sh,p.k”.
Më 30 shtator 2019, krijuan firmën "Casa Mokador", që më pas i ndryshuan emrin në “Eden Breeze”, “Mokador by Momentum” e së fundi “Momentum Group” 100% në pronësi të Flladi Malaj, me aktivitet Call-Center.
Më 23 tetor 2019, krijuan firmën “Info Tirana Sh.p.k” me 50% ortakëri Flladi Malaj e 50% pronësi një tip me emrin Taulant Ahmetaj nga Fieri.
Më 18 mars 2020, krijuan firmën “Dekript Media Group” 100% në pronësi të Flladi Malaj, me aktivitet Call-Center në adresën Tiranë, Rruga "Prokop Mima", Pallati “Casa Mokador”.
Më 15 qershor 2020, krijuan firmën “Akademia Profesionale M&G” 100% në pronësi të Flladi Malaj.
Më këto 6 firma Call-Center, vëllezërit Xhulio e Flladi Malaj, duke përdorur punonjës operatorë telefonik e kompjuterik, kanë mashtruar qindra qytetarë e biznesmenë të vendeve të BE, duke u zhvatur miliona Euro nëpërmjet platformave Forex, BrokerZ, Globalix, Bitcoin etj. A do të shkojë Prokuroria e Tiranës këtë herë në zemër të problemit, apo sërish dy të rinjtë do të lirohen pas disa muajsh për tu rigoditur në një operacion të dytë?/ Versus.al

