Frederik Paplekaj është identifikuar si autori i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në derën e një marketi në zonën e Thethit.
Policia e Shkodrës ka njoftuar se ai u arrestua tre orë pas ngjarjes, pavarësisht kushteve të vështira, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Paplekaj, 39 vjeç, akuzohet për ‘Shkatërrimin e pronës me eksploziv’ dhe ‘Prishjen e qetësisë publike’.
Autori është identifikuar dhe i filmuar nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë regjistruar momentin kur ai ka afruar dhe vendosur lëndën plasëse në derën e marketit.
Njoftimi i Policise Shkoder:
Vendosi lëndë plasëse në derën e një marketi në fshatin Theth, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga Policia, pas tre orësh pas ngjarjes identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Kapja e tij u bë në kushte të vështira si pasojë e reshjeve të dëborës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin ‘Theth’, në derën e marketit së shtetasve Ç. B., dhe A. B., është hedhur një sasi e vogël, lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen në Qafë Thore dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. P., 39 vjeç.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 39 vjeçarit për veprat penale ‘Shkatërrimi i pronës me eksploziv’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







