Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ashtu si çdo vit, edhe këtë 8 dhjetor demokratët mbajtën homazhe në bustin e Azem Hajdarit, i cili konsiderohet si lideri historik i Lëvizjes Studentore që mundësoi rrëzimin e sistemit komunist dhe sjelljen e pluralizmit në Shqipëri. *Përveç ish-studentëve të dhjetorit të vitit 1990, mbajtën fjalën edhe zyrtarë të PD dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdarit. Djali i tij i vogël që mban të njëjtin emër, foli për të pathënat rreth figurës së babait të tij, ndërsa tha se kishte lënë garant dy fëmijët e tij më të mëdhenj në mënyrë që të fitonte besimin e studentëve të tjerë të pranishëm në shesh. *Fjalën e mbajti edhe kryedemokrati Sali Berisha i cili teksa nderoi kujtimin e Azem Hajdarit, tha se edhe sot shpresa e vetme e vendit për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama, janë të rinjtë.
“E shndërroi 1990-ën në vitin e mrekullisë”, Berisha për Lëvizjen Studentore: Azem Hajdari, prijësi legjendar

Kryedemokrati Sali Berisha ka qenë i pranishëm në homazhet në nder të Azem Hajdarit, drejtuesit të protestës së 8 dhjetorit 1990. Gjatë fjalës së tij, Berisha përshkroi gjendjen e vendit asokohe ndërsa tha se protesta e studentëve erdhi në një moment kur ishin vrarë të gjitha shpresat.
Duke e cilësuar Azem Hajdarin si ‘prijës legjandar të protestës’, Berisha tha se studentët e dhjetorit do të mbeten gjithmonë në historinë e vendit për ndikimin e tyre në rrëzimin e regjimit komunist, ndërsa e mbylli fjalën e tij me thënien: “Azem ti je gjallë”.
“Protestat e guximshme të qytetarëve të Shkodrës, të Kavajës, protesta e heshtur e Tiranës dhe kryengritja paqësore e 2 korrikut, e të rinjve që hynë në ambasada dhe ndezën zemrat dhe shpresat e shqiptarëve, u shtypën dhe bashkë me to shpresat e shqiptarëve të topitur që ndanin njëri me tjetrin frikën nga dhuna shtetërore dhe përtypnin në çdo kafshatë varfërinë dhe shumica e tyre mjerimin e vërtetë. Ndaj mund të thuhet se gjer me 8 dhjetor, viti 1990 po mbyllej si vit i shpresave të vrara, i dëshpërimit të thellë, një anum horribilis për shqiptarët në historinë e tyre.
Por lëvizja studentore e vitit 1990, beteja paqësore e studentëve në rrugë dhe sheshet e këtij qyteti të bekuar dhe në kryeqytetin e vendit, triumfi i tyre mbi diktaturën e shndërroi dhjetorin dhe vitin 1990 në vitin e mrekullisë të kombit shqiptar, anum mirabilis.
Hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri, të zëvendësimit të hiperkolektivizimit total me tregun e lirisë, tëdaljes së vendit nga izolimi më i thellë, të hapjes dhe integrimit evropian dhe euroatlantik të tij. Kjo lëvizje, çështjen kombëtare, nga një çështje e tradhtuar nga klika hoxhiste, e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj. Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë. U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor. Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik. Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE.
Kosova u bë e pavarur ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, i nderimit të veprës së pavdekshme të prijësit legjendar të asaj lëvizje, Azem Hajdari dhe studentëve liberatorë që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët. Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë. Azem, ti je gjallë!" Versus.al
"U lë garant 2 fëmijët e mi", djali i Azem Hajdarit zbulon sesi i ati bindi studentët e dhjetorit që t'i besonin

Partia Demokratike, mbajti sot homazhe në nder të Azem Hajdarit, njërit prej drejtuesve të protestave të studentëve në dhjetorin e vitit 1990.
Në 8 dhjetor, Ditën kombëtare të Rinisë, foli edhe djali i vogël që mban emrin e tij. Teksa zbuloi për publikun disa të pathëna rreth Azem Hajdarit, ai tregoi edhe sesi i ati kishte arritur të fitonte besimin e studentëve duke u lënë garant dy fëmijët asokohe Rudinën dhe Kirin.
“Kam kënaqësi që të jem këtu sot, në një ditë ku të gjithë shqiptarët duhet të jenë kryetar. Mendoj se falë këtij heroizmi që bënë këta njerëz, shqiptarët duhet të dinë se falë asaj sakrifice, sot shqiptarët po përjetojnë demokracinë. Kur vendi im at që të bëhej kryetar i Lëvizjes Studentore, ai sapo ishte bërë baba. Babai kur erdhi herët për studime në Tiranë, donte të rrëmbente gjithçka. Ai ra në dashuri me nënë time, ai u detyrua që ta rrëmbente atë, pavarësisht dashurisë së tyre. Këtë gjë nuk e lejoi sistemi. Ai pas kthimit të tij në Tropojë, ai u nis sërish drejt Tiranës. Gjyshi im, rahmet pastë, duke qenë se ishte pasojë e kohës dhe brezave të kohës, e mendonte të pamundur që djali i vetë të vinte në Tiranë. I thoshte; lëri këto ëndrra, se e ke të pamundur që ta bësh këtë gjë. Qeshte dhe u tallte në mënyrë ironike. Por jo, Azemi nuk mendonte sot për sot, por mendonte më afatgjatë, për veten dhe miqtë e mi. Nuk e kishte konceptin e frikës, por as vdekjen dhe as humbjen, por mund të humbiste lirinë. Ai në Tiranë u njoh me miqtë e tij, dhe vendosëm të dilnin para plumbave dhe tanqeve. Në ditën kur studentët u konfuzuan pak, ata s’po dinin nëse do e përkrahini. Ai u ngrit sipër shokëve të tij dhe tha; dal garant me fëmijët e mi, Kirin dhe Rudinën. Nëse unë ju tradhtoj, keni fëmijët e mi.”- tha djali i liderit historik, Azem Hajdari. Versus.al

