Çfarë do të gjeni në brendësi
*Pas shembjeve në Theth, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është shtrirë së fundmi edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës ku prej tre ditësh fadromat e IKMT kanë zbarkuar për të vijuar me planin. *Ndryshe nga Thethi ku pati edhe rezistencë, banorët e zonës kanë bashkëpunuar, disa prej tyre duke i hequr vetë strukturat e ngritura. *Ndërsa disa banorë të tjerë u shprehën se i kishin ndërtuar para votimeve me leje nga shteti dhe me shpresën se do të mund të mbanin familjet duke ngritur bujtina për turistët. Duke u shprehur se kishin votuar për Ramën në zgjedhjet e 11 majit, banorët gjithashtu shprehin zhgënjimin e madh për shkak të investimit të çuar dëm.
“E ngritëm për një copë bukë”, të moshuarit të përlotur pas shembjes së objekteve në Valbonë
Në Valbonë vijon edhe sot aksioni i IKMT për shembjen e objekteve të ngritura pa leje nga banorët. Për mediat një çift të moshuarish shprehu dhimbjen për objektin që u ishte shembur duke thënë se qëllimi i tyre ishte të vetëpunësoheshin duke u shërbyer turistëve.
“Krejt lagështirë për të ngrënë një copë bukë, se nuk e kishim bërë për asgjë tjetër. Tre fëmijët kanë qajt aty, se për një copë bukë e ngritëm jo për gjë tjetër. Sivjet e bëmë, shihe ku jemi tani”- u shpreh e moshuara.
“Shqiptar jemi, jo serbë. A e rrëzove, po lëre ashtu? Nuk ka bërë vaki ndonjëherë kjo punë. Ishalla jena shëndoshë”- tha bashkëshorti i saj.
Ndërkohë mësohet se për ditën e sotme është planifikuar shembja e 12 objekteve të ndërtuara pa leje nga 22 që është plani në total. Versus.al
Pas Thethit, radha i vjen Valbonës, fadromat e IKMT zbarkojnë në terren dhe prishin dhjetëra objekte pa leje
Tropojë- Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar së fundmi në Valbonë ku do të vijojë me shembjen e ndërtimeve pa leje të strukturave të drurit dhe të betonit.
Mësohet se aksioni ka nisur prej tre ditësh dhe në pamjet e siguruara, mund të shihen edhe ndërtesa pa leje të rrafshuara nga IKMT. Sipas shifrave të mësuara, dy ditë më parë u prishën në total 8 objekte pa leje, ndërsa që prej ditës së djeshme ka nisur puna edhe për shembjen e 12 objekteve të tjera pa leje.
Valona është një tjetër perlë e alpeve shqiptare ku ka vijuar aksioni i nisur në Theth për shembjen e ndërtimeve pa leje. Duke qenë se aksioni nisi në kulmin e sezonit turistik pati kritika ndaj kryeministrit Edi Rama për shkakun se qytetarët e konsdieronin të papranueshme që një veprim i tillë të bëhej aq vrullshëm menjëherë pas zgjedhjeve. Edhe banorët në zonën e Valbonës kanë pretenduar se ndërtimet i kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore me dijeni të përgjegjësve të zonës. Versus.al







