Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot një foltore me demokratët në zonën e Manzës në Durrës ku u fol mbi problematikat e selisë së PD në këtë qark dhe për vijimin e aksionit politik kundër qeverisë. *Berisha e nisi me sfidat që PD kishte kaluar duke akuzuar ish-kryetarin Lulzim Basha se kishte marrëveshje me Ramën që të mos merrej me problematikat e votës, por me shkatërrimin e partisë. *Ndërsa anëtarët e PD të cilët morën fjalën gjatë foltores u ankuan për mungesën e organizimit të degës së partisë dhe për drejtuesit e qarkut për të cilët thanë se nuk kishin shkuar t’i takonin më pas zgjedhjeve. Madje bënë thirrje që protestat të ishin më të ashpra dhe intensive për ta detyruar Ramën të dorëhiqej. *Berisha nga ana tjetër tha se dhuna nuk ishte rruga e duhur, por siguroi demokratët se në janar do të risnisnin protestat e fuqishme dhe u kërkoi që të qëndronin në shesh derisa Rama të largohej.
Berisha cakton janarin si muajin e protestave: Të rikthehemi në shesh çdo natë deri në rrëzimin e Ramës

Kreu i PD, Sali Berisha gjatë foltores së mbajtur me anëtarët demokratë të Manzës foli lidhur me protestat që pritet të zhvillohen në vazhdim kundër qeverisë së Ramës. Berisha caktoi janarin si muajin e protestave, ndërsa përsëiriti se dhuna nuk është rruga për rrëzimin e qeverisë.
Ai u tha të pranishmëve se duhet të ketë një betim për të zënë sheshin dhe për t’u rikthyer aty çdo natë derisa Edi Rama të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
“I përzumë në 2005-ën me votë. Tani Edi Rama që mendon se do t’i vjedhë qytetarët dhe do mbrohet aty ku është, të gjejë vrimën e miut ku të futet. Në mënyrë absolute, jo. E patë se çfarë jehone botërore pati qëndresa në parlament e deputetëve dhe protesta e datës 22. E jashtëzakonshme! Ishte betejë e fituar nga ne në rrafshin e së drejtës.
Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t'i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo.
Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri.
Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe. Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë. Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore”- u shpreh Berisha. Versus.al
"Revolucionarët shkojnë në barrikadë dhe vdesin", anëtari i PD thirrje Berishës: Zjarr në janar!
Gjatë foltores së organizuar nga kryedemokrati Sali Berisha në Manëz, njëri prej anëtarëve të PD mori fjalën dhe shprehu kritikat e tij për degën e demokratëve në Durrës, e cila sipas tij është në “gjumë letargjik”.
“Dega e Durrësit është në gjumë letargjik prej 8 muajsh. Dhe të bëhet analizë paszgjedhore mbas 8 muajve, personalisht unë nuk rri. Sepse kur presim që nga dita në ditë kërmat i kanë tundur këmbët dhe ne duhet të vijmë në pushtet me patjetër, të rrimë në atë gjumë sikur nuk shkon”- u shpreh anëtari.
Ndër të tjera foli edhe për skandalet e qeverisë duke nënvizuar se me zhvillime të tilla duhet të ketë protesta të fuqishme pavarësisht thirrjeve për të mos pasur dhunë.
“Unë dakord jam me ju për protesta dhe e mirëkuptoj si shumë të tjerë që mund të kemi edhe presion ndërkombëtar tani që kemi mbështetjen e tyre që të mos jemi të dhunshëm, por unë të duroj 34 vite në pushtet Gramozin e 2 prillit që thotë pushteti merret me grykën e pushkës dhe lëshohet po ashtu, kjo gjë nuk shkon doktor. Një zonë e nderuar e shekullit 18 ka thënë: revolucionarët shkojnë në barrikadë dhe vdesin, nuk ka kthim mbrapa. Kemi ardhur në momentet më të mira. Këtyre zotërinjve ua bëftë Zoti hallal që kanë mbushur sallën, t’i hajnë festat e fundvitit pranë familjeve. Zoti Berisha zjarr në janar! Me këtë pushtet mercenarësh nga ana ushtarake në front të rrijë një luftëtar, mercenari të lë pushkën në faqe dhe cjapi i Surrelit.. o në Surrel ose të rrimë në shtëpitë tona”- tha mes të tjerash anëtari i PD. Versus.al
Berisha sulmon Bashën: Në vend që të merrej me votën, u mor me mua dhe me PD
Kryedemokrati Sali Berisha ka sulmuar sërish ish-kreun e PD, Lulzim Bashën gjatë një foltoreje të organizuar me demokratët e Manzës. Sipas Berishës, partia kaloi një kalvar të gjatë me probleme për shkak se Basha ishte në marrëveshje me Ramën.
Berisha shtoi se në vend që të merrej me grabitjen e votës në zgjedhjet parlamentare, Basha u mor me të dhe me PD-në.
“Tani duhet të nisim betejën për mbrojtjen e votës. Beteja të padrejta nuk mund të bësh, zgjedhjet janë sa kombëtare dhe aq ndërkombëtare. Ish-kryetari në vend që të merrej me grabitjen e votës, u mor me mua, me partinë. Sepse ishte në marrëveshje me të. Harroi çfarë bëri qeveria. Pastaj filloi periudha kalavare që kaloi PD. Më 11 s’do të humbte kurrë zgjedhjet, nëse Rama s’do falte 2 miliardë euro kamata dhe borxhe dy ditë para zgjedhjeve“, u shpreh ai. Versus.al

