Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i PD Sali Berisha u paraqit mëngjesin e sotëm në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”. *Sot ndryshe nga herët e tjera, ai lexoi para gazetarëve dokumentin e siguruar nga gjykata greke në Janinë ku paraqitej vendimi për dënimin e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, e cila pati firmosur arrestin shtëpiak të tij. *Sipas dokumentit të publikuar në media, Gjoka me mbiemrin Maneku rezulton e dënuar në 2005-ën për falsifikim dokumentesh. Ndaj saj ishte miratuar vendimi për 3 muaj burg dhe gjobë me 1500 euro. *Nga ana e gjyqtares nuk ka patur ndonjë reagim, por mësohet se ajo është larguar nga seanca e dosjes “Metamorfoza” ku duhej të ishte e pranishme për shkaqe familjare. Ndërkohë që ishte e pranishme në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë ndaj Florenc Çapjas.
Berisha i publikoi dënimin nga gjykata greke, Gjoka mungon në dosjen “Metamorfoza”
Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka ka munguar në seancën për dosjen “Metamorfoza” mëngjesin e soitëm në GJKKO. Për pasojë seanca është shtyrë ndërsa drejtuesja Etleva Deda tha se gjyqtares iu desh të largohej për arsye shëndetësore.
Ndërkohë, Gjoka më herët ishte e pranishme në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për Florenc Çapjan, që u mbajt në orën 08:30.
Njëkohësisht mëngjesin e sotëm pasi doli nga SPAK për masën “detyrim paraqitje”, kryedemokrati Sali Berisha publikoi edhe një dokument ku paraqitej vendimi i dënimit të gjyqtares nga gjykata e Janinës me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë. Versus.al
E dënuar me tre muaj burg dhe 1500 euro gjobë, PD publikon vendimin e gjykatës greke për Gjokën

Pas deklaratës së Berishës para SPAK ku lexoi vendimin e gjykatës greke në Janinë për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka, Partia Demokratike ka publikuar edhe dokumentin në greqisht dhe shqip.
Në dokument gjyqtarja mban mbiemrin Maneku dhe ndaj saj është caktuar dënimi me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro për falsifikimin e dokumenteve.
“Meqenëse nga gjithë procedura, dokumentat që u lexuan dhe diskutimi i çështjes u provua se (shkrim dore) e pandehura ne datën 24.12.2002 u kap, gjatë kontrollit te pasaportes, ne posedim te pasaportes shqiptare me numrin 1068376/98 qe ishte e falsifikuar dhe konkretisht ishte e ndryshuar me nderhyrje VISA ne faqen 17 përsa i përket afatit të vlefshmërisë, me dijeninë e mbajtëses. Si rrjedhojë duhet që e pandehura të shpallet fajtore për këtë vepër”- thuhet në përkthimin në shqip të vendimit të gjykatës greke. Versus.al

Berisha lexon dokumentin e gjykatës greke: Gjyqtarja Irena me 5 mbiemra, e dënuar në Janinë
Kryedemokrati Sali Berisha në dalje të SPAK ka lëshuar sërish akuza ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka e cila pati firmosur arrestin shtëpiak ndaj tij. Ai tha rezulton që në vitin 2005, gjyqtarja është dënuar nga kolegji penal i Janinës me burg dhe gjobë 1500 euro.
“Irena me 5 mbiemra, e përfolur për ryshfete gjysëm milionëshe, jo në një por në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë. Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani.
Nga viti 2005, vit i dënimit të saj, të cilin e ka fshehur në kolektiv, bën të pavlefshme absolutisht çdo vendim të saj, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Dokument zyrtar dhe me vulë dhe me firmë nga Gjykata e Janinës së Greqisë, që tregon se; Për këto arsye e dënon të pandehurën të shpallur fajtore me burgim 3 muaj dhe gjobë 1500 euro si dhe shpenzimet gjyqësore prej 73 eurosh. Falsifikim pasaporte a vize, por është dënuar për falsifikim dhe është dënuar nga Kolegj Penal dhe jo administrativ.”- deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, administrata e ish-presidentit amerikan Joe Biden ka ndikuar për të fshehur dënimin e Gjokës në shtetin fqinj. Versus.al
Berisha sot në SPAK, GJKKO vendos nëse kalon për gjykim dosjen e aferës "Partizani"
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet sot në SPAK rreth orës 09:00 për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO për aferën “Partizani”.
Berisha ka mobilizuar mbështetësit e tij para SPAK ashtu si në paraqitjet e mëparshme ku ka lexuar para tyre komunikime të dosjes “Toyota Yaris” ku përfshihej emri i ministrit të Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla.
Njëkohësisht sot në GJKKO do të mbahet edhe seanca paraprake pasi ajo e mëparshmja më 24 prill u shty për shkak se avokatët e Berishës, Malltezit dhe Andia Pustinës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi të cilën e akuzonin për njëanshmëri pavarësisht se ishte kjo e fundit ajo që liroi Berishën nga arresti shtëpiak.
Kërkesa e tyre u rrëzua pak ditë më vonë duke konfirmuar vijimin e gjykimit nga e njëjta gjyqtare. Ky proces ka hyrë tashmë në muajin e gjashtë që nga seanca e parë paraprake e 24 tetorit të vitit 2024.
Për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” janë marrë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë. Versus.al








