Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme policia e Shkodrës zbardhi detaje rreth ngjarjes së ndodhur më 30 gusht në zonën e Zdrales ku u ekzekutua me breshëri plumbash Elis Rroshkodoli i njohur si “ushtar” i grupit të Bajrajve. *Katër persona dyshohet se morën pjesë në planin dhe ekzekutimin e Rroshkodolit. Njëri prej tyre, Xhulio Malo, 26 vjeç u arrestua nën dyshimin se ka ndihmuar 3 ekzekutorët duke u siguruar mjetet e duhura për kryerjen e krimit të rëndë. *Ndërkohë, në kërkim janë shpallur J.Xh, 31 vjeç, V.Xh 38 vjeç dhe D.M 42 vjeç të cilët dyshohet se funksionojnë si grup vrasësish me pagesë. *Gjatë kontrolleve në kuadër të zbardhjes së ngjarjes, u zbulua një garazh në Tiranë ku fshiheshin automjete të vjedhura në vende të ndryshme të BE-së të cilat përdoreshin për ngjarje të ndryshme kriminale. Ndër to u gjetën edhe pjesët e çmontuara të mjetit që u përdor për kryerjen e vrasjes së Rroshkodolit në Shkodër.
Ndihmoi vrasësit e Elis Rroshkodolit në Shkodër! Xhulio Malo ishte arrestuar në 2015-ën për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat

Personi që shihni në foto, me gishtin drejtuar lart është Xhulio Malo, 26 vjeçari i arrestuar ditën e sotme nga policia e Shkodrës si bashkëpunëtor në vrasjen e Elis Rroshkodollit në zonën e Zdrales më 30 gusht.
I riu akuzohet se ka siguruar mjetet për 3 vrasësit e “ushtarit” të grupit të Bajrave në Shkodër. Malo dyshohet se ka qenë garanti për mjetin e përdorur nga autorët ditën e vrasjes, për ta çmontuar më pas dhe për ta fshehur në një garazh në Tiranë.
Por Malo, nuk është një emër i panjohur për policinë e shtetit pasi në vitin 2015 kur ishte vetëm 17 vjeç ai u arrestua për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë të shtënave me armë zjarri në Lazarat.
Në 2015-ën, efektivët e policisë u sulmuan me të shtëna me armë zjarri nga një grup personash të maskuar. Malo, asokohe adoleshent deklaroi në polici se sulmi planifikohej pre 6 muajsh me qëllim për të kthyer fshatin e Lazaratit në gjendjen e tij të mëparshme, ku kultivoheshin lëndë narkotike pa asnjë shqetësim.
Ai rrëfeu gjithashtu se sulmi drejtohej nga dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko të cilët hapën zjarr në drejtim të furgonit ku mbeti i vdekur ish-polici i RENEA-s Ibrahim Basha. Versus.al
Vrasja e Rroshkodolit, plani u bë nga një garazh në Tiranë! 3 ekzekutorët çmontuan makinën që përdorën në krim
Policia publikoi sot detajet për ngjarjen e ndodhur më 30 gusht në një lokal në Shkodër tek zona e Zdrales ku u ekzekutua me breshëri plumbash Elis Rroshkodoli i njohur edhe si anëtar i bandës së Bajrave.
Për ngjarjen u arrestua 26 vjeçari Xh.M si dhe u shpallën në kërkim 3 personat që kryen ekzekutimin e Rroshkodolit. Gjatë operacionit për zbardhjen e vrasjes, në Tiranë u zhvilluan kontrolle në një garazh ku i riu 26 vjeçar i arrestuar si dhe tre autorët e ngjarjes, mbanin automjete të trafikuara nga vende të ndryshme të Europës të cilat dyshohet se janë përdorur për të kryer vrasje apo krime të tjera të rënda.
Pas kontrolleve të zhvilluara në këtë garazh u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët, mes tyre edhe pjesët e çmontuara të automjetit që u përdor për vrasjen e Elis Rroshkodolit teksa ky i fundit pinte kafe në lokal.
Pas ngjarjes, policia u vu në ndjekje të automjetit të autorëve por nuk arriti t’i kapte. Ndërsa të dyshuarit, kanë çmontuar mjetin dhe pjesët i kanë fshehur në një garazh në Tiranë. Versus.al
Zbardhet vrasja e ‘ushtarit’ të Bajrave në Shkodër! Në kërkim 3 autorët, pranga 26 vjeçarit që i ndihmoi (EMRI)
Shkodër- Policia ka zbardhur vrasjen e Elis Rroshkodolli të ndodhur më 30 gusht në zonën e Zdrales ku i ndjeri u qëllua teksa pinte kafe në një lokal. Mësohet se disa prej personave të shoqëruar lidhur me vrasjen, dhanë dëshmi që ndihmuan në zbardhjen e krimit.
Në pranga ka rënë 26 vjeçari Xhulio Malo i cili ndihmoi 3 autorët e ngjarjes të cilët realizuan ekzekutimin e ushtarit të Bajrave. Gjithashtu sipas policisë, është zbuluar në Tiranë dhe baza ku autorët mbanin makinat e vjedhura në Evropë dhe i përdornin për vrasje në vend. Të shpallur në kërkim si autorë të vrasjes së Rroshkodolit në Shkodër janë J.Xh, 31 vjeç, V.Xh 38 vjeç dhe D.M 42 vjeç, të cilët dyshohet se veprojnë si grup vrasësish me pagesë.
"Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç"- njofton policia.
Rroshkodoli u ekzekutua me breshëri plumbash më 30 gusht teksa pinte kafe brenda një lokali. Autorët ia mbathën nga vendngjarja ndërsa policia u vu në ndjekje të tyre por pa mundur t'i kapte. Viktima njihet si person me precedentë të mëparshëm në BE, ku ishte arratisur nga Rumania pas plagosjes së pronarit të një klubi nate si dhe ishte shpallur në kërkim nga Belgjika për grabitje me dhunë dhe plagosje. I konsideruar si "ushtar" i grupit të Bajrajve, në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu, i cili njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Versus.al







