Çfarë do të gjeni në brendësi
* Për herë të parë, Taulant Balla mori pjesë në gjyqin e aferës “Partizani”, ku i pandehur për korrupsion është edhe ish-kryeministri Sali Berisha. * Balla u paraqit në cilësinë e dëshmitarit si kallëzues në këtë çështje. * Ai deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” është kryer në shkelje të ligjit. * Sipas Ballës, persona të caktuar kanë shfrytëzuar lidhje familjare për privatizimin e pronës brenda një periudhe 6-mujore. *Në përfundim të dëshmisë deputeti u shpreh se mban përgjegjesi për ato që ka thënë
Gjyqi për dosjen “Partizani”, Balla: Nuk bëj kallëzim me emër tjetër, drejtësia vonon, por nuk harron
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka përfunduar dëshminë e tij në GJKKO për çështjen “Partizani”, ndërsa pas seancës ka folur për mediat duke komentuar procesin dhe zhvillimet e mëtejshme.
Balla u shpreh se fakti që në bankën e të akuzuarve ndodhen persona që kanë qeverisur vendin për dekada, është sipas tij një sinjal pozitiv për drejtësinë në Shqipëri.
“Fakti që në bankën e të akuzuarve ka persona që këto 35 vite kanë qeverisur vendin dhe akuzohen për korrupsion e fshehje pasurie është lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë te gjithkush që ka këto përgjegjësi,” deklaroi ai.
Ai theksoi se kallëzimin e ka bërë personalisht dhe se i qëndron plotësisht pretendimeve të ngritura prej tij disa vite më parë.
“Unë nuk jam nga ata persona që bëjnë kallëzim me emër tjetër. Kam vënë emrin tim dhe i qëndroj atyre që kam kallëzuar. Drejtësia vonon, por nuk harron,” u shpreh Balla.
Më tej, ai shtoi se privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani” ka ndryshuar destinacionin e një hapësire që sipas tij duhej të ishte në shërbim të të rinjve të Tiranës.
“Kompleksi sportiv ‘Partizani’, që mund të ishte në dobi të të rinjve të Tiranës, sot është kthyer në 17 kulla që kanë prodhuar pasuri,” tha ai.
Balla bëri gjithashtu një lidhje me çështjen e 21 janarit 2011, duke shprehur dëshirën që të thirret si dëshmitar edhe në atë proces.
“Uroj që në ditët dhe muajt në vijim të jem këtu për një kallëzim tjetër, atë për 21 janarin. Ka një vendim të Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut dhe një regjistrim nga prokuroria e posaçme,” u shpreh ai.
I pyetur nëse kryeministri Edi Rama do të paraqitet si dëshmitar në këtë çështje, Balla u përgjigj shkurt:
“Është përgjegjësi individuale paraqitja në gjykatë. Unë mbaj përgjegjësi për ato që kam kallëzuar.”/Versus.al
A e pyeti Ramën para se të depozitonte kallëzimin në SPAK? Balla i përgjigjet avokatit Gjokutaj: Nuk kam marrë ndonjëherë...
Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe pyetje të shumta, ku në qendër ka qenë dëshmia e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, e ka pyetur Ballën nëse kishte informuar kryeministrin Edi Rama për kallëzimin e bërë në lidhje me çështjen.
“Jo fare, nuk e kam vënë,” u përgjigj Balla, duke theksuar se për asnjë kallëzim nuk ka marrë leje nga kryetari i partisë.
Gjokutaj vijoi me pyetjet, duke ngritur dyshime nëse Rama kishte pasur dijeni apo kishte firmosur më herët për çështjen në fjalë, duke aluduar për vendimmarrje lidhur me pronën.
Balla u shpreh se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë: “Nuk kam qenë i informuar për veprime të tilla.”
Avokati ngriti gjithashtu çështjen e interesit publik, duke pyetur nëse Balla e kishte diskutuar këtë shqetësim me drejtuesit politikë.
“Për asnjë kallëzim nuk kam marrë ndonjëherë leje nga kryetari i partisë,” përsëriti Balla.
Gjatë seancës, Gjokutaj e pyeti gjithashtu nëse ai njihte kryeministrin Rama, ndërsa Balla u përgjigj: “E njoh patjetër. E njoh në mënyrë sistematike.”
Në vijim, avokati kërkoi të dinte nëse ishin ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar atë që ai e cilëson si procedurë korruptive.
Balla u shpreh se e kishte ngritur çështjen në Parlament dhe më pas kishte bërë kallëzimin si qytetar.
Në një moment debati, Gjokutaj deklaroi se ekziston një kontradiktë mes dëshmisë së Ballës dhe veprimeve të qeverisë, duke iu referuar ndryshimeve të përdorimit të pronës së ish-klubit sportiv.
“Rrëfimi juaj sot bie ndesh me veprimin që ka kryer kryetari juaj,” tha avokati.
Balla reagoi duke përsëritur se nuk kishte marrë asnjë leje nga kryetari i partisë dhe se kishte vepruar në mënyrë të pavarur në kallëzimin e tij./Versus.al
'Partizani'/ Balla përball Malltezit: Si e dini ju planin e përhapjes, është sekret! Deputeti:Fakti që e privatizuat...

Zbardhet një pjesë e dëshmisë së Taulant Balla në GJKKO, ku ai u paraqit si kallëzues në seancën për çështjen “Partizani”.
Gjatë seancës, në përballjen me Jamarbër Malltezi, u diskutua ndër të tjera për heqjen e ish-kompleksit “Partizani” nga plani i përhapjes, vendim që sipas Ballës i hapi rrugë privatizimit të pronës.
I pyetur nga Malltezi se si kishte dijeni për planin e përhapjes, i cili konsiderohet sekret, Balla u shpreh se vetë fakti që prona është privatizuar tregon se plani nuk ka qenë aq sekret, megjithëse pranoi se nuk e ka parë personalisht.
Në vijim të pyetjeve, Balla deklaroi se nuk kishte dijeni për qëndrimet e ish-zyrtarëve socialistë në vitin 2005 lidhur me privatizimin, ndërsa për emra të tjerë të përfshirë në vitin 2008 tha se kishte dëgjuar.
Sa i përket akuzës se “Malltezi dilte garant”, Balla theksoi se prova më e fortë, sipas tij, është akti i vlerësimit të pronës, ku dy godina në një zonë qendrore të Tiranës janë vlerësuar me rreth 100 mijë euro.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas bindjes së tij, prona nuk duhej t’u kthehej pronarëve privatë, por duhej të mbetej në pronësi të shtetit, duke e konsideruar këtë një shkelje të interesit publik.
Pjesë nga debati:
Malltezi: A mendoni se është 6 muaj afati kur është kryer?
Balla: Në kallëzim kam pohuar se kjo pronë është kthyer shumë e shumë më herët.
Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?
Balla: Nuk e mbaj mend. Nga media kam dëgjuar ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë të shqetësuar për nxjerrjen e kësaj prone nga plani i përhapjes.
Malltezi: Si e dini ju planin e përhapjes, kur plani i përhapjes është sekret?
Balla: Fakti që e privatizuat, tregon se nuk ishte aq sekret.
Malltezi: E keni parë planin e përhapjes?
Balla: Jo, nuk e kam parë.
Malltezi: A jeni në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin në 2005?
Balla: Jo nuk jam në dijeni.
Malltezi: Po që janë Ruli edhe Mediu në 2008?
Balla: Po, e kam dëgjuar.
Malltezi: Po përse nuk e paskeni dëgjuar nga ministrat socialistë?
Balla: Unë i shoh si ministra të shtetit shqiptar, jo se të kujt partie janë. Kushdo që ka bërë paudhësi, të mbajë përgjegjësi.
Malltezi: Cili ligj është shkelur në procedurë?
Balla: Mendoj se kjo pronë nuk duhet t’i kthehej pronarëve, por duhet ta kishte shteti shqiptar. Është shkelur interesi publik.
Malltezi: Në çfarë prove bazoheni kur keni thënë "Malltezi dilte garant".
Balla: Nuk ka prove më të lartë, sesa akti i vlerësimit të një prone, dy godina të mëdha, në mes të Tiranës me 100 mijë euro./ Versus.al
Balla shkon të dëshmojë në GJKKO për ‘Partizanin’: Koha që politikanët e korruptuar, të paguajnë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shkoi sot në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në seancën gjyqësore për aferën ‘’Partizani’’ të cilën ai vetë e ka kallëzuar në SPAK. Balla tha se ka ardhur koha që në Shqipëri, politikanët e korruptuar të japin llogari para drejtësisë.
‘’Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë që në bankën e të akuzuarve gjenden një ish-kryeministër, ish-presidente për korrupsion. A kanë bërë politikanët korrupsion në Shqipëri? Padyshim që kanë bërë korrupsion dhe ajo që kthyem në 2016, kur miratuam drejtësinë e re, me votën e të gjithëve dhe me votën e atij që ndodhet sot në bankën e të akuzuarve, që do vijë një ditë në Shqipëri kur politikanët do të gjenden në bankën e të akuzuarve për korrupsion’’- tha Balla.
“Unë do të përgjigjem për çdo pyetje dhe i qëndroj kallëzimit tim”, u shpreh ai para gazetarëve, para se të hynte në GJKKO për të dëshmuar. Versus.al

