Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në konferencën ndërkombëtare me temë “Formësimi i të Ardhmes së GoTech”, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama i cili foli për një sërë projektesh që qeveria ka në plan të vërë në zbatim në të ardhmen sa i takon digjitalizimit. *Fillimisht ai deklaroi se Shqipëria është më mirë se Gjermania dhe vende të tjera të BE sa i takon gjurmimit dhe luftës ndaj pastrimit të parave, kjo sipas tij duke u bazuar tek Indeksi i Bazelit. *Mes të tjerash, Rama njoftoi se në të ardhmen do të zbatohet i njëjti sistem monitorimi me kamera sigurie në rrugë dhe shkolla për të bërë të mundur që të ulet prezenca e policisë në terren pasi çdo gjë do të jetë më e monitoruar. *Mes të tjerash ai foli për një sistem online të gjurmimit të informalitetit të bizneseve me qëllim uljen e inspektimeve fizike. Ndërsa një tjetër marrëveshje që pritet të firmoset është ajo me Emiratet e Bashkuara për prodhimin e letrave me vlerë dhe realizimit të projektit që të mos jetë e nevojshme që të pajisemi me Karta ID, por identifikimi të bëhet me anë të telefonit.
“Sistem online kundër informalitetit”, Rama: Marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për identifikim prej telefonit dhe jo me kartë ID
Një ndër projektet në të cilat Shqipëria po punon sa i takon digjitalizimit, është edhe ai kundër informalitetit. Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi sot në konferencën e mbajtur për të ardhmen e teknologjisë, se në të ardhmen gjurmimi i informalitetit do të bëhet me anë të një sistemi online dhe jo me inspektorë.
“Por ashtu gjurmimi i transaksioneve do të bëjë të mundur një përshkallëzim të luftës kundër informalitetit dhe do të bëjë të mundur që në bazë risku, bizneset e mëdha e të vogla të mund të monitorohen pa u shqetësuar si sot nga inspektimet fizike nga persona që shkojnë në dyer për të bërë kontrolle, të cilët megjithë trajnimet janë larg së qeni prani e mirëseardhur në derën e një biznesi”- tha Rama.
Mes të tjerash, kryeministri bëri publike idenë për firmosjen e një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara sa i takon transformimin e shtypshkronjës së letrave me vlerë që nga prodhimi i parave e deri tek mundësimi që të identifikohemi me anë të telefonit dhe jo me Karta ID.
“Për ta mbyllur me një tjetër produkt që do të na lehtësojë shumë në aspektin e gjurmimit të të gjithë mallrave që hyjnë në territorin e republikës , mallrat e akcizës. Jemi duke përgatitur një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të transformuar plotësisht shtypshkronjën e letrave me vlerë. Në të ardhmen duam të prodhojmë në vend të gjitha llojet e letrave me vlerë përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën digjitale sa i përket identifikimit përmes telefonit dhe jo më përmes një karte identiteti nëpër xhepa”- u shpreh kreu i qeverisë duke theksuar se kjo vendimmarrje do të rrisë standartin e respektit ndaj ligjit tek qytetarët. Versus.al
“Policia do bëhet e padukshme”, Rama: Rrugët dhe shkollat do monitorohen me kamera sigurie
Gjatë fjalës së tij në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë për përparimin e teknologjisë, kryeministri Edi Rama njoftoi planin për të rritur nivelin e sigurisë në rrugë dhe shkolla.
Ai deklaroi se njëjtë si në vendet e BE do të ketë kamera të bashkuara me një sistem të Inteligjencës Artificiale për të monitoruar gjithçka që ndodh në rrugët dhe shkollat e vendit.
“Tjetra që po punojmë aktualisht… dhe të gjitha këto janë produkte që ose janë vënë në punë ose po përgatiten për t’u vënë në punë. Një tjetër produkt është produkti i sigurisë që lidhet me sigurinë në rrugë që falë një sistemi që këtë e kanë shumë vende të zhvilluara, të kamerave digjitale, por bashkuar me një sistem të Inteligjencës Artificiale, do mund të monitorojë në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në shkolla”- deklaroi Rama.
Ndër të tjera kryeministri tha se me këtë sistem kamerash do të ketë një raport ndryshe mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve me institucionet e vendit.
“Mbi këtë bazë do ketë raport krejtësisht ndryshe mes qytetarit dhe ligjit, ndërkohë që policia do bëhet e padukshme në rrugët e vendit si rezultat i teknologjisë. Do të ketë raport krejt ndryshe mes nxënësit, mësuesit dhe prindit dhe institucioneve falë faktit që gjithçka do jetë në kushte shumë të larta sigurie”- shtoi kryeministri. Versus.al
Lufta kundër pastrimit të parave, Rama: Kemi lënë pas Gjermaninë dhe disa vende të BE
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës ndërkombëtare me temë “Formësimi i të Ardhmes së Gotech” foli mbi digjitalizimin e shërbimeve të vendit. Por gjatë fjalës së tij deklaroi se vendi ynë ka lënë pas Gjermaninë dhe disa vende të tjera të BE sa i takon luftës së pastrimit të parave.
“Sot nuk është nevoja që të bëhemi si gjermanët që meqë ra fjala i kemi lënë mbrapa në një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit. Në pastrimin e parave. Këtë nuk e them unë, por Indeksi i Bazelit. Janë 7 apo 8 vende të BE të cilat në këtë indeks janë prapa Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parave”- deklaroi Rama.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se do të ketë një mekanizëm të ri të Inteligjencës Artificiale për të monitoruar investimet dhe për të arritur të gjurmojmë raste të pastrimit të parave.
“Por ne nuk jemi të kënaqur me këtë dhe i mirëpresim të gjitha goditjet dhe leksionet sepse duam të bëhemi shumë më të mirë dhe për këtë arsye me Inteligjencës Artificiale po përpiqemi të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model i cili praktikisht është një model që do çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës”- u shpreh kryeministri. Versus.al








