Live Updates /

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye të SPAK! Të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadave

*Në orën 09:00 të ditës së sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u mbajt mbledhja për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). *Në garë për të pasuar Altin Dumanin me mandat 3 vjeçar, janë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj. Katë kandidatët do të shpalosin platformat e tyre para anëtarëve të KLP. Votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë duke shkruajtur emrin e kandidatit në letër dhe jo si herën e kaluar, kur u votua me ngritje dore. *Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të ambasadave të huaja të cilët monitoruan të gjithë procesin. *I pari që shpalosi platformën e tij ishte Adnan Xholi i cili tha se është koha që të vijohen hetimet e shpejta dhe cilësore me synim konfiskimin e aseteve të krimit duke bërë që të çrrënjoset kultura e pandëshkueshmërisë.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Në orën 09:00 të ditës së sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u mbajt mbledhja për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). *Në garë për të pasuar Altin Dumanin me mandat 3 vjeçar, janë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj. Katë kandidatët do të shpalosin platformat e tyre para anëtarëve të KLP. Votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë duke shkruajtur emrin e kandidatit në letër dhe jo si herën e kaluar, kur u votua me ngritje dore. *Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të ambasadave të huaja të cilët monitoruan të gjithë procesin. *I pari që shpalosi platformën e tij ishte Adnan Xholi i cili tha se është koha që të vijohen hetimet e shpejta dhe cilësore me synim konfiskimin e aseteve të krimit duke bërë që të çrrënjoset kultura e pandëshkueshmërisë.

6 Postime
1 ORE ME PARE

Statusi i prokurorëve të SPAK, Xholi: Të mos lihen në mëshirë të fatit, janë përballur me grupet më të rrezikshme

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye

Adnan Xholi renditi rregullimin e statusit të prokurorëve të posaçëm si një prej sfidave të cilave u duhen dhënë zgjidhje. Sipas tij, deri tani përpjekjet e Dumanit për rregullimin e statusit të tyre, kishin rënë në vesh të shurdhër.

Xholi shtoi se nuk duhet humbur eksperienca që prokurorët aktualë kanë fituar në SPAK dhe nuk duhen lënë në mëshirë të fatit ata prokurorë që janë përballur me grupet më të rrezikshme kriminale apo me zyrtarë të lartë.

“Ka të bëjë me dhënien zgjihje me statusin e prokurorëve. Drejtuesit aktualë kanë bërë përpjekjet e tyre maksimale që të rregullohet statusi i prokurorëve. Do insistoj bashkë me ju dhe partnerët ndërkombëtarë që statusi i prokurorëve të posaçëm të marrë zgjidhje. Nuk e them për veten time, ligji ma ka garantuar që të kthehem në prokurorinë e përgjithshme, por bëhet fjalë për kolegë të tjerë që vijnë nga prokurori të shkallës së parë. Nuk ka prokurorë të pazëvendëësueshëm, por eksperienca që këto prokurorë kanë fituar, do humbasë. Këta prokurorë janë përballur me grupet më tërrezikshme kriminale apo zyrtarë të lartë dhe do lihen në mëshirë të fatit në ato zyra ku mund të shkojnë. Do duhet t’u gjendemi pranë, sepse do humbasë ekspertiza dhe memoria e institucionit”- u shpreh Xholi duke nënvizuar nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve. Versus.al

1 ORE ME PARE

Metodë tjetër nga ajo që u përdor për Dumanin, si do bëhet votimi për kreun e ri të SPAK

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye
Përfaqësuesit e ambasadave ndjekin procesin në KLP

Ndryshe nga viti 2022 në zgjedhjen e Altin Dumanit në krye të SPAK, këtë herë përzgjedhja e kreut të institucionit do të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Për zgjedhjen e Dumanit, anëtarët e KLP asokohe votuan duke ngritur dorën, ndërsa për zgjedhjet e sotme votimi për kreun e ri të SPAK do bëhet me letër. Anëtarët e KLP do shkruajnë në letër emrin e kandidatit që do të votojnë.

I gjithë procesi do të monitorohet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Versus.al

1 ORE ME PARE

“Më shumë qëndroj në SPAK sesa me familjen”, Xholi: Koha për hetime të shpejta e sekuestrime pasurie

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye
Adnan Xholi

Adnan Xholi ishte kandidati i parë që foli para KLP për platformën e tij nëse do të zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme për një mandat 3 vjeçar. Ai lavdëroi punën e kolegëve të tij, ndërsa theksoi se më shumë kohë kalon me ta sesa me familjen e tij biologjike. Sipas tij, duhet që të vijohet me hetimet e shpejta dhe cilësore që të përmbajnë sekuestrimin e pasurive të aseteve të krimit.

“Falë angazhimit personal kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit. Jam krenar që punoj me ta. Do I mbështes në çdo situatë të aktivitetit pavarësisht votimit të sotëm, punën e kemi me njëri tjetrin dhe ata janë familja ime në sistemin e drejtësisë. Më tepër qëndroj me ta sesa me familjen time biologjike. Krahas sukseseve të arritura, ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtejshme cilësore dhe të shpejta për të goditur kriminalitetin si me hetime penale ashtu edhe me ato pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”- u shpreh Xholi.

Më tej ai tha se roli i tij nëse do të zgjidhet në krye të SPAK do të jetë sigurimi i rezultateve të suksesshme dhe goditja e pandëshkueshmërisë.

“Falë reformës në sistemin e drejtësisë tashmë prokuroria është organ i decentralizuar, prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është menaxher i cili si i parë mes të barabarteve ka detyrim ligjor e moral të sigurojë kushtet e punës dhe kapacitetet infrastrukturës për të goditur pandëshkueshmërinë. Roli i drejtuesit ka në fokus rezultatet sa më të sukseshme me qëllim rritjen e besimit të publikut.  Për shkak se kriminaliteti ka një strukturë fleksibël duhet vëmendje e madhe, trupa e prokurorëve të SPAK duhet të bëjë gjithçka që të përmbushë pritshmëritë e publikut me rezultate konkrete e të shpejta me prova të pakundërshtueshme në gjykatë”- u shpreh Xholi. Versus.al

2 ORE ME PARE

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA mbërrijnë në KLP

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye
Momenti i mbërritjes së përfaqësuesve amerikanë

Përfaqësuesit e ambasadës së SHBA në Tiranë kanë mbërritur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku në orën 09:00 nis procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK që do të ketë një mandat 3 vjeçar.

Në garë janë 4 kandidatë që do të shpalosin platformat e tyre para KLP-së, ndërsa mbledhja do të bëhet me dyer të hapura.

Të pranishëm në këtë proces do të jenë edhe përfaqësues të ambasadave britanike si dhe të Bashkimit Europian. Versus.al

2 ORE ME PARE

Prokurorë të çështjeve të mëdha, profilet e kandidatëve që garojnë sot për kreun e SPAK

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye
Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho

Më 18 dhjetor përfundon zyrtarisht mandati 3 vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK, ndërsa sot në KLP zgjidhet pasuesi i tij mes 4 kandidatëve që janë në garë. Në profilet e kandidatëve vihet re përfshirja e tyre në çështje me ndjeshmëri të lartë dhe dosje tepër të rëndësishme.

Profilet e kandidatëve për kreun e SPAK:

Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të 2004-ës, ajo ka është prokurore e SPAK dhe mbart një rol të rëndësishëm në këtë institucion.  Musabelliu është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo është një nga prokurorët që ka qënë pjesë e grupit të cilët kanë hetuar dosjen “Plumbi i artë”, ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.

Po ashtu ajo ka hetuar edhe masakrën e ndodhur në qendër të Lushnjes në 2017, ku edhe u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017.

Adnan Xholi, i emëruar për herë të parë më 2004, ai është një nga kandidatët me përvojën më të gjatë. Aktualisht Xholi shërben si prokuror në SPAK dhe momentalisht mban detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar. Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Xholi punon prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë. Në janar të vitit 2018 me ndryshimet e kryera në organin e akuzës nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, prokurori Xholi u emërua në krye të Drejtorisë Gjyqësore. Në vitin 2021 kaloi vettingun dhe që prej korrikut të 2021-shit iu bashkua trupës së prokurorëve specialë të SPAK.

Ai është një nga prokurorët që hetoi Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor. Më pas ka hetuar dhe zbardhur atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të vitit 2019, dosje e cila në sajë edhe të zbërthimit të komunikimet në SkyECC ka prodhuar edhe dy dosje të tjera ku është  ekspozuar aktiviteti kriminal i grupit në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe rivalitetin e grupeve kriminale në Durrës, shkatare të shumë viktimave.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën e tij në djetor të vitit 2000 në Prokurorinë e Matit. Nga viti 2007 deri në 2013 ka qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në vitin 2014 është emëruar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ku më vonë ka mbajtur pozicionin e drejtuesit. Në dhjetor 2021 është emëruar prokuror në SPAK.

Ndër çështjet e hetuara dhe të dërguara në gjyq prej tij, është dosja “Buka” ku është marrë i pandehur ish-ministri i Ekonomisë dhe infrastrukturës Arben Ahmetaj. Po ashtu edhe kreu i Komisionit të Prokurorimeve Publike Jonaid Myzyraj është hetuar prej tij në lidhje me abuzime në disa tendera. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.

Klodian Braho, është emëruar prokuror në vitin 2007, dhe shërben si prokuror pranë SPAK, që nga krijimi i tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet edhe ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

Ai po ashtu ha hetuar dosjen 5D, duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në ngjarjen e Gërdecit. Versus.al

3 ORE ME PARE

Sot zgjidhet pasuesi i Altin Dumanit në krye të SPAK! KLP vendos mes 4 kandidaturave

KLP zgjedh sot me votim të fshehtë pasuesin e Dumanit në krye
Altin Dumani në takim me zyrtarin e DASH dhe kreu i BKH Joni Keta

Sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet në orën 09:00 për të zgjedhur pasuesin e Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mbledhja do të jetë e hapur për mediat ndërsa të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues nga Prokurori i Përgjithshëm, ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT.

Në garë për kreun e ri të SPAK janë 4 kandidatë: Doloreza Musabelliu, Adnand Xholi, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho. Kjo është hera e parë që një grua kandidon për të qenë drejtuese të SPAK. Katër kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e institucionit dhe më pas do të votohet për emrin e ri të drejtuesit.

Ndërkohë, dje, një ditë para mbledhjes së SPAK, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit pas një takimi që pati me zyrtarin e DASH, zv.drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise. Në vlerësimin e bërë, theksohet puna e Dumanit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar se ai vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Delegacioni i BE në Tiranë dhe ambasada e Britanisë së Madhe bënë thirrje që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ndërsa mesazhi i tyre ishte për të përzgjedhur një kandidat  i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”.

Drejtuesi i ri do të ketë një mandat 3 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Të gjithë kandidatëve së bashku me kreun aktual, Altin Dumani, u përfundon mandati në SPAK në fundin e 2028-ës dhe Kuvendi ende nuk ka miratuar një ndryshim sa i takon mundësisë së tyre për të rikandiduar për të qenë pjesë e SPAK. Mandati i Dumanit si kryeprokuror i posaçëm përfundon zyrtarisht më 18 dhjetor të këtij viti, më pas ai do të vijojë të jetë prokuror në SPAK edhe për 3 vite. Versus.al

Poll