Çfarë do të gjeni në brendësi
*Debatet e sotme në Kuvend u përqendruan kryesisht rreth rezolutës së propozuar nga PD për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe protestës që do të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së të cilët mbahen të arrestuar në Hagë prej 5 vitesh. *Demokratët akuzuan socialistët se duke mos njohur gjenocidin serb nuk i shërbenin çështjes kombëtare, ndërsa socialistët u kundërpërgjigjur duke përdorur kartën e protestës së thirrur nesër në të cilën PD ka deklaruar se nuk do të jetë e pranishme. *Ndërkohë raportimi i institucioneve të pavarura u kthye në plan të dytë pas debateve të ashpra mes Gazmend Bardhit dhe Kryeparlamentarit Niko Peleshi. *Pavarësisht dakordësimit për t’i votuar, u shty për në seancën tjetër ngritja e komisioneve të posaçme për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.
Bardhi nxjerr mesazhin e Ballës: Ngatërroi grup teksa urdhëronte deputetët e PS, skenar i përgatitur
Ndërkohë që seanca plenare u mbyll pa arritur ngritjen e komisioneve për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar para mediave se i gjithi ishte një skenar i përgatitur nga kryetari i grupit të deputetëve socialistë.
Duke e treguar edhe për mediat, Bardhi deklaroi se Balla dërgoi gabimisht një mesazh në grup ëhatsappi ku urdhëronte deputetët e PS të shkonin në sallë për votim.
“Skenari ishte ndërtuar shumë kohë më parë se Niko Kllouni, gabimisht Taulant Balla ngatërron grup dhe urdhëron gjithë të vetët që të vijnë në sallë të gjithë deputetët e PS, skenari ishte të ndërprisnin debatet, duan ta shndërrojnë Kuvndin në memec. Ta harrojnë se mund ta shndërrojnë Kuvendin, ne do të reagojmë sa herë të shkelet rregullorja. Le të shkojnë tek skenari se në Kuvend s’ka debat”, tha Bardhi.
Ai shtoi më tej se qëllimi i deputetëve socialistë ishte që të kalonin pa debat raportimet e institucioneve të drejtësisë.
“E dini se sa herë vijnë institucionet e drejtësisë, secili deputet ka të drejtë të bëjë pyetje. Meraku i tyre nuk ishte kjo. Duan të kalojnë pa debat, raportimet e komisioneve të drejtësisë. Duan të vendosin standardin e pa ndodhur në 34 vitet e demokracisë. Ne do të reagojmë gjithmonë sa herë të shkelet Kushtetuta e të drejtat e deputetëve.
Masat disiplinore që i jep kllouni I Taulant Ballës, nuk ka patur Kuvendi një kryetar më të dobët, ky është I nivelit që zbaton urdhrat e Taulant Ballës. Skenari ishte ndërtuar shumë kohë më parë se Niko Kllouni, gabimisht Taulant Balla ngatërron grup dhe urdhëron gjithë të vetët që të vijnë në sallë të gjithë deputetët e PS, skenari ishte të ndërprisnin debatet, duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë se mund ta shndërrojnë Kuvendin, ne do të reagojmë sa herë të shkelet rregullorja. Le të shkojnë tek skenari se në Kuvend s’ka debat.”- shtoi Bardhi. Versus.al
Përplasjet në Kuvend, shtyhet votimi për komisionet e 'Zgjedhores' dhe 'Territoriales'
Kuvendi u përfshi nga përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi pasi ky i fundit kërkoi largimin e Gazment Bardhit nga seanca duke e quajtur ‘’të paburrë’’.
Si pasojë e debatit, u vendos që të shtyhej votimi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, atij për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale. Këto dy komisione u dakordësuan dje në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, por pavarësisht kësaj, nuk u arrit ngritja e tyre.
Një pjesë të madhe të diskutimeve e zunë deklaratat për Kosovën ku partitë politike kryesore PD e PS, tentuan secila të nxirrte në pah anën "patriotike" me socialistët që bënin thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme dhe demokratët që kërkonin miratimin e rezolutës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë. Versus.al
Debate në Parlament/ 'I paburrë', Niko Peleshi përjashton nga seanca Gazment Bardhin, vërejtje dhe për Balliun
Seanca plenare e sotme në Kuvend është shoqëruar me debate dhe tensione mes deputetëve të opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Përplasja kulmoi me përjashtimin nga seanca të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pas ndërprerjeve të vazhdueshme dhe fyerjeve ndaj kryeparlamentarit.
“Zoti Bardhi, në bazë të rregullores, ju heq të drejtën e fjalës për gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush”, deklaroi Peleshi, pasi Bardhi e ndërpreu disa herë gjatë zhvillimit të diskutimeve me fjalët “je i paaftë” dhe “i paburrë”.
Bardhi, megjithatë, refuzoi të largohej nga salla duke thënë: “Nuk përjashtohem, fare nuk përjashtohem…”. Në debat u përfshi edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili mori vërejtje nga kryetari i Kuvendit për sjellje të papërshtatshme gjatë seancës.
Përplasja nisi gjatë diskutimeve për pyetjet e drejtuara ndaj Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, ku Bardhi kërkoi respektimin e rregullores së Kuvendit për mënyrën e replikave.
Në vijim, Peleshi ndërpreu seancën për pesë minuta për të qetësuar situatën, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se socialistët do të kërkojnë masë disiplinore ndaj Bardhit për përjashtim 10-ditor nga punimet e Kuvendit.
Rezoluta e PD për gjenocidin serb në Kosovë, Balla kundër: Asgjë që vjen nga Berisha, nuk është e mirë
Rezoluta e PD për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë ka sjellë kundërshtinë e socialistëve në Kuvend. Gjatë një fjalimi në foltore, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se çdo gjë që vjen nga Berisha për Kosovën, nuk është e mirë.
Sipas tij, Berisha ka ndihmuar Serbinë gjatë luftës së Kosovës dhe ka vepruar kundër interesave të Ushtrisë Çlirimtare.
“Po kaloj te diçka emergjente që ndërlidhet me çështjen për të cilën po flasim. Asgjë që vjen nga Berisha kur lidhet me Kosovën, nuk ka ardhur dhe nuk ka për të ardhur kurrë për mirë. Vendimi juaj për të bojkotuar protestën e nesërme mbarëkombëtare në mbështetje të UÇK-së dhe komandantëve të saj, është thjesht konfirmimi i veprimeve kundër interesit të Kosovës.
Meqë thatë se nuk doni të jeni përkrah nesh, krah kryeministrit, ai nuk do jetë nesër në protestë. Bëjeni vetë ju një protest nesër, mos hajdeni tek sheshi, por bëjeni tek Shqupi se mund t’ju vijnë më shumë persona.
Si ka mundësi që pas takimit Berisha-Millosheviç në Shqipëri do të vinte kasapi i Ballkanit, Arkan për t’u takuar me shefin e Shërbimit Sekret të Shtetit asokohe siç e ka dëshmuar edhe komandanti Thaçi. Si ka mundësi që Rugova shmangu çdo takim me Berishën deri në ditën kur u nda nga jeta? Si ka mundësi që u arrestuan njerëz të UÇK-së në Tiranë?”- tha Balla. Versus.al
Seancë plenare në Kuvend, pritet ngritja e komisioneve për Territorialen dhe Zgjedhoren
Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare sot në orën 10:00 për të vijuar me raportimin e disa prej institucioneve për vitin 2024, ndërsa do të ketë diskutime edhe për komisionet e posaçme për Reformën Zgjedhore dhe për Territorialen teksa pritet edhe ngritja e tyre.
Diskutimet për dy komisionet e posaçme u ezauruan në konferencën e kryetarëve të mbajtur ditën e djeshme në kryesinë e Kuvendit. Për Zgjedhoren, PS kërkon një formulë ku dy partitë e mëdha të kenë nga një bashkëkryetar, PS 8 anëtarë dhe partitë e tjera opozitare 8 anëtarë.
Por me këtë lloj përbërje, përfshihet edhe PSD e Tom Doshit e cila prish barazinë në komision pasi historikisht ka votuar pro socialistëve. Edhe për Reformën Territoriale, socialistët kanë kërkuar të njëjtën formulë. Versus.al







