Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një skemë zhvatje e kryer nga institucioni ku qytetarët besojnë kursimet e tyre, është raportuar së fundmi në Tiranë. Policia njoftoi për ekzekutimin e disa masave të sigurisë ndaj 11 punonjësve të “UBA Bank” të cilët dyshohen si të përfshirë në skemën e zhvatjes së rreth 400 mijë eurove nga llogaritë e dy klientëve të tyre. *Në pranga kanë rënë drejtori i bankës, Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha. Ndërsa për 5 punonjës është caktuar masa e arrestit në shtëpi. *Emri i pronarit të UBA Bank, Gazment Neza, nuk përmendet në këtë operacion, por rreth 2 muaj më parë, djemtë e tij, Kevin dhe Jurgen Neza morën peng biznesmenin e call center-ave, Florian Sulën.
“UBA Bank” mori qindra mijëra euro të klientëve, në prill djemtë e pronarit rrëmbyen bossin e call center-ave dhe i vunë gjobë
Sot policia e Tiranës njoftoi për operacionin e zhvilluar në “UBA Bank” ku u arrestuan drejtori dhe zëvendës drejtori pasi u zbulua se nga llogaritë e dy klientëve ishin zhvatur shuma që arrinin deri në rreth 400 mijë euro.
Sipas prokurorisë, punonjësit e bankës me në krye drejtorin dhe zëvendësin e tij, kishin ndërhyrë në systemin kompjuterik duke arritur të merrnin para nga llogaria e klientëve të tyre.
“UBA Bank” është përmendur edhe më herët në media pasi djemtë e pronarit, Gazment Neza, morën peng biznesmenin Florjan Sula i cili njihet si një prej biznesmenëve të përfshirë në aktivitetin e call center-ave.
Shkak për pengmarrjen dyshohet se ishte bërë një borxh prej 30 mijë eurosh që Sula u kishte vëllezërve Jurgen dhe Kevin Neza dhe më pas këta të fundit e morën peng dhe i vunë gjobë prej 2 milionë eurosh.
Megjithatë biznesmeni arriti ta raportonte ngjarjen në polici dhe më pas vëllezërit u arrestuan. Në dëshminë e dhënë para policisë, ata pretenduan se kishin qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike kur kryen pengmarrjen. Gazment Neza, përveçse pronar i Bankës së Bashkuar së Shqipërisë, (UBA BANK),është edhe ortak në Eurosig Albania. Versus.al
Zhvatën rreth 400 mijë euro nga llogaritë e qytetarëve, arrestohet drejtori i "UBA Bank" dhe zëvendësi i tij

Tiranë- Agjentët e krimit ekonomik të policisë së kryeqytetit, kanë arrestuar 2 punonjës të një "UBA Bank", ndërsa 5 punonjës të tjerë u lanë në arrest shtëpie dhe 4 u pezulluan nga detyra. Konkretisht janë arrestuar drejtori Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha.
Operacioni u zhvillua pas denoncimeve të vazhdueshme të disa qytetarëve të cilët ishin klientë në këtë bankë dhe kishin zbuluar se nuk kishin paratë e tyre në llogari. Dyshohet se punonjësit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë zhvatur paratë e klientëve.
Masat e sigurisë:
-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;
-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;
-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç (në kërkim), banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.
Sipas informacioneve paraprake dëmi përllogaritet rreth 400 mijë euro. Hetimet kanë zbuluar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.
Ndërkohë vijojnë hetimet, pasi dyshohet se numri i klientëve të vjedhur është edhe më i madh. Skema e përdorur është përdorimi i mandateve të tërheqjeve false. Versus.al

