Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në Tiranë u prezantua drafti i propozimit për Kodin e ri penal i punuar nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga drejtori i shkollës së magjistraturës, Arben Rakipi. Të pranishëm ishin ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. *Gjatë fjalës së tij, ministri Ulsi Manja tha se kodi i ri penal ka 30 nene shtesë ndërsa e theksoi si të domosdoshëm ndryshim për shkak të sfidave të reja që kanë sjellë ndryshimet e vrullshme teknologjike. Ai ftoi edhe opozitën që të marrë pjesë me sugjerime në konsultimin e gjerë publik me anë të ekspertëve të tyre. *Manja tha se pas konsultimit të gjerë publik, drafti do t’i dërgohet Bashkimit Europian dhe në rast se merr dakordësi, do të kalojë në Kuvend për gjykim. *Mes ndryshimeve të propozuara, Arben Rakipi foli edhe për mundësinë e lirimit me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm, pavarësisht se një gjë e tillë pritet të ngjallë shumë debate. Në vështrimin e përgjithshëm të ndryshimeve që mund të bëhen në kodin penal vihen re edhe propozimet për dënimet alternative për krime të ndryshme duke mos qenë vetëm dënimi me burg si mundësi.
"Nga heqja e disa veprave tek dënimet alternative", çfarë përmban drafti për kodin e ri penal
Janë zbardhur detaje të reja lidhur me draftin për Kodin e ri penal që është shtruar nga sot për konsultim publik deri në arritjen e formës përfundimtare që do të duhet të marrë dakordësinë e Bashkimit Europian për t’u miratuar më pas.
Në një vështrim të përgjithshëm të disa prej neneve që pritet të shtohen apo të ndryshojnë, vihet re se në draft propozohen edhe dënime alternative për vepra penale të lehta dhe jo vetëm dënimi me burg.
Gjithashtu pritet të ketë një heqje të disa shkeljeve që konsiderohen vepra penale në kodin aktual që kemi.
DRAFTI – ÇFARË PARASHIKON
Drejtësia restauruese:
Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës.
Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata, duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal.
Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese.
Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.
Kriminalizimi i veprave të reja:
Terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.
Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre.
Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit.
Ofrimi i ushqimit të pasigurt, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë e produktit ushqimor.
Punësimi i paligjshëm i shtetasve të huaj apo pa shtetësi.
Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike.
Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve të procedurës për autorin e krimit, ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, përdorimi i dhunës gjatë hetimeve, ndikimi në pavarësinë e gjykatës, konflikti i interesit të avokatit dhe mosparaqitja në seancë, dhënia e një vendimi në keqbesim.
Vrasja me pëlqimin e viktimës, shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje.
Dekriminalizimi:
Heqja e disa veprave të vjetruara nga lista e veprave penale.
Përkufizime të reja:
Përcaktim dhe përkufizim i nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar ndër vite, duke reduktuar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë.
Njehsimi i terminologjisë së Kodit.
Saktësimi i nocioneve juridike, duke krijuar kushtet për zbatim korrekt dhe uniform të ligjit penal, si lidhja shkakësore, mosveprimi, tentativa, mbrojtja e nevojshme.
Përputhshmëria me Acquis të BE-së:
Përafrimi me aktet e Bashkimit Evropian që përcaktojnë kriminalizimin e sjelljeve, veprimeve ose mosveprimeve të caktuara, në mënyrë që Kodi i ri Penal të jetë pjesë integrale e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Parashikimi i instituteve të reja që kodi në fuqi nuk i parashikon, si dhe korrektimi i instituteve aktuale që kanë shfaqur probleme gjatë zbatimit, si:
Formimi i përgjegjësisë penale si faji dhe lidhja shkakësore me mosveprim, gabimi në fakt, gabimi në ligj, konkurrimi i veprave penale.
Tentativa: përcaktimi i kufijve të zbatimit të këtij instituti si dhe mekanizmi për zbutjen e dënimit.
Përcaktimi i formave shtesë të bashkëpunëtorëve dhe mekanizmi i dënimit për bashkëpunëtorët sipas rolit që kanë në kryerjen e veprës penale.
Dënimet penale (shtimi i dënimeve plotësuese dhe masave plotësuese) dhe përcaktimi i mekanizmit për caktimin e dënimit, si dhe ndikimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese në masën e dënimit.
Rregullimi i ndikimit të institutit të kryerjes së veprës penale më shumë se një herë dhe recidivizmit në caktimin e masës së dënimit penal.
Rregullimi i përgjegjësisë penale dhe dënimet për personat juridikë në Kod.
Shtimi dhe saktësimi i listës së rrethanave që përjashtojnë nga përgjegjësia penale autorin e një fakti penal.
Për herë të parë është parashikuar instituti i lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që burojnë nga kryerja e veprës penale.
Masat edukative për të miturit
Rikonceptim i trajtimit të të miturve;
Sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;
Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese;
Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;
Një rol qëndror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;
Së bashku me masat gjykata mund të cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktura etj.
Personat juridike
Adresohet në mënyrë të përshtatshme përgjegjësia penale dhe mënyra e dënimit të personave juridikë;
Në përputhje me nevojën për të luftuar kriminalitetin e këtyre subjekteve
Në përputhje me modelin që ofron praktika evropiane.
Përcaktimi i saktë i zbatimit të ligjit penal mbi këto entitete dhe kriteret konkrete të përcaktuara në projekt krijojnë mundësi reale që organet proceduese ta godasin në mënyrë efektive krimin e organizuar. Versus.al
Drafti i kodit të ri penal, Rakipi: Lirim me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm

Arben Rakipi, kreu i grupit të punës që ka hartuar draftin për kodin e ri penal që është hedhur në konsultim publik nga sot, ka deklaruar se kanë propozuar që të përfshihet edhe e drejta e lirimit me kusht edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Teksa theksoi se debati mes ekspertëve ka qenë i fortë, Rakipi tha se është nisur nga besimi që njerëzit mund të ndryshojnë.
“Përfundimisht dskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshë, debati ka qenë i fortë. Sepse këtu mpleksen shumë gjëra, viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, rendi publik, shkalla e kriminalitetit në vend.
Nisur nga besimi që edhe personalisht kam që njerëzit ndryshojnë nëse kushtet në të cilat vendosen janë të efektshme. Kjo është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej. Ndaj e propozuam këtë zgjidhje, por se çfarë fati do ketë kjo zgjidhje apo dekriminalizime të tjera, është për t’u parë. Mund të krijojë debate dhe është mirë të krijojë debate. Unë pres që diskutimi i përgjegjshëm të zhvillohet dhe në fund të dalim me një zgjidhje të përbashkët”- deklaroi Rakipi.
Drafti i ri është hedhur për konsultim publik dhe se mund të ketë ndryshime deri në arritjen e një propozimi përfundimtar. Versus.al
"Ai që kemi nuk u përgjigjet sfidave të kohës", draft për kodin e ri penal, Manja: Miratohet pasi t'i japë 'ok' Brukseli

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, nëpërmjet një konference të organizuar ditën e sotme me përfaqësues të tjerë të institucioneve të pushtetit gjyqësor, ka prezantuar draftin për kodin e ri penal.
Sipas Manjës, një kod i ri penal për sfidat që ka sjellë koha, është mëse i domosdoshëm për t’u lehtësuar punën edhe gjyqtarëve e prokurorëve. Ai theksoi se drafti nuk është përfundimtar dhe se pasi të hidhet në konsultim publik, do të duhet të marrë miratimin e Brukselit për t’u votuar më pas në Kuvend.
“Kodi aktual kishte 285 nene e 550 paragrafe dhe aktualisht janë bërë 30 ndërhyrje dhe ka 327 nene. Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët e prokurorët. Në rrethanat ku jemi formatimi është i pashmangshëm. Puna për një kod të ri penal kishte filluar që në 2019-ën. Nga sot drafti i kodi i ri penal do të jetë për konsultim publik. Ky draft nuk është prodhim i ministrisë së Drejtësisë apo qeverisë. Autorësia intelektuale është dhe do mbetet në pronësi të grupit të punës.
Pasi të kryhet konsultimi publik, drafti do të marrë miratimin në Bruksel dhe vetëm atëherë do të miratohet. Grupi i punës ka shqyrtuar përvojën shqiptare dhe ato të vendeve të BE. Për konsultimin publik më duhet të theksoj se ky nuk është draft përfundimtar. Do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi, nuk kemi ngutje. Ky draft do marrë gjithë kohën e nevojshme”- deklaroi Manja.
Ndërsa ftoi edhe opozitën që të marrë pjesë në konsultime me ekspertizë për pika të caktuara të draftit. Versus.al







