Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët lidhur me ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai përmendi disa prej përfitimeve që do të kenë studentët nëse vendi ynë anëtarësohet, ndërsa nënvizoi se kurrë më parë nuk kemi qenë në pozitë më të favorshme për anëtarësim. *Gjatë këtij takimi, Rama u ndal edhe tek korrupsioni duke deklaruar se sipas tij në Shqipëri është më shumë një perceptim sesa realitet dhe se ndodh për shkak se institucionet janë ende në formësim.
“Këtu korrupsioni është më shumë perceptim sesa realitet”, Rama: Institucionet janë ende në formësim
Në bashkëbisedimin që zhvilloi sot me studentët, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe një pyetje lidhur me korrupsionin duke thënë se në Shqipëri është më shumë një perceptim sesa realitet.
Sipas tij, shkak për korrupsionin është mosfunksionimi si duhet i institucioneve të cilat janë ende në formim e sipër pavarësisht se Shqipëria është shtet prej më shumë se 100 vitesh. Ai tha se problemi i korrupsionit në Shqipëri nuk ndalon thjesht me dënimin e personave që kapen duke e bërë diçka të tillë.
“Unë mendoj që korrupsioni në Shqipëri sot është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet. Jo se në realitet korrupsioni nuk është problem. Akoma institucionet janë në formësim. Sepse çfarë e bën korrupsionin aktiv edhe të suksesshëm në thonjëza, është hapësira që ai gjen si një alternativë për personin ose subjektin që kërkon të marrë një shërbim apo të fitojë një të drejtë të cilën institucionet nuk ja garantojnë. Sepse shpesh njerëzit e ngatërrojnë korrupsionin me thjesht persona të këqinj që duhen marrë dhe duhen çuar në ferr dhe ne do shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duhen dënuar, por vetëm kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Që një vend të çlirohet nga korrupsioni, duhet që të shërbimet që kërkojnë njerëzit, t’ua garantojnë institucionet. Pse shkojnë njerëzit të paguajnë? Sepse nuk e marrin dot atë që kërkojnë pa paguar”- u shpreh Rama. Versus.al
"Pse qesh?", u vu në siklet nga Rama, studenti: I lumtur që do hapen negociatat! Kryeministri: S'e ke patur mendjen
Gjatë bashkëbisedimit të tij me studentët lidhur me procesin e negociatave për anëtarësim në BE, kryeministri Edi Rama nuk kurseu batutat me njërin prej studentëve që ishte i pranishëm në sallë. Duke parë se po qeshte, Rama e pyeti për arsyen dhe më pas edhe për degën ku studionte.
Pjesë nga biseda:
Rama: Jepja pak atij çunit që po qesh se e kam shumë merak këta që qeshin. Përse po qesh?
Studenti: Po dëgjoja me vëmendje
Rama: Jo po pse po qeshje? Se që dëgjoje e dyshoj, por që po qeshje të pashë.
Studenti: Isha i lumtur për negociatat që do hapen.
Rama: Negociatat janë hapur, kjo tregon që nuk e ke patur mendjen. Janë të tëra të hapura.
Studenti: Që do mbyllen pra
Rama: Po çfarë hapet, do mbyllet. Ku studion ti?
Studenti: Te fakulteti i drejtësisë
Rama: Më kujtove kur shkova në një restorant dhe më vjen juristi më thotë na gjej një punë o burr. I thashë po çfarë shkolle ke, jurist tha si gjithë të tjerët. Versus.al
"Kurrë s'e kemi patur buzëqeshjen e fatit si sot", Rama: Yjet në rresht për anëtarësimin tonë në BE

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me studentët lidhur me ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Teksa nënvizoi disa përfitime që studentët shqiptarë do i ndjejnë menjëherë nëse anëtarësohemi në BE, Rama tha se asnjëherë më parë, Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati më shumë se sot.
“Kurrë asnjëherë më parë, Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Kur them sot, në këto vite të fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensing e të ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë, për të qenë të barabartë para ligjit dhe për të pasur në dispozicion jo një vend 28 mijë kilometër katrorë, por një kontinent të tërë si vendas.
Është dukur si buzëqeshje e fatit momenti kur populli shqiptar u çlirua nga pushtuesit apo kur mori rrugën për të ndërtuar socializmin. Koha tregoi se ishte rruga drejt ferrit. Në këtë rast kjo nuk është rruga drejt parajsës, por është rruga e sigurtë drejt një realiteti ku për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do jenë më të sigurtë dhe më të mbrojtur nga çdo lloj rrethane e historisë së tyre”- u shpreh Rama.
Sipas tij, të gjithë shqiptarët mund ta vënë re ndryshimin me mënyrën sesi trajtoheshin para disa viteve. Ndërsa nënvizoi më tej se një ndikim të madh kanë edhe qëndrimet e shteteve të mëdha përsa i takon anëtarësimit edhe në rastin kur shtetet e vogla i bëjnë të gjitha detyrat e tyre.
“Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetje për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë që deri dje ishte e përbuzur dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët që janë jashtë apo dilnin jashtë. Mjafton të tregonin pasaportën për t’u ndjerë se ka diçka që nuk shkon me të qenit shqiptar. Kjo është si rezultat i atyre gjërave me të cilat kemi punuar.
Por nuk mjafton kjo. Ti mund t’i bësh të gjitha detyrat e shtëpisë si vend i vogël, por nëse vendet e mëdha nuk e kanë në plan të të marrin, nuk e kapërcen dot nivelin. Sot jemi në kushtet kur të gjitha vendet e BE duan të na marrin me vete. Pas një periudhe shumë të gjatë pa asnjë anëtar të ri në BE, ata kanë hapur derën. Jo me fjalë, se ashtu e ka patur të hapur gjithmonë që thonin ne ju presim, por ju duhet të bëni më shumë”- shtoi Rama. Versus.al

