Çfarë do të gjeni në brendësi
*Nikoll Deda, ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut është arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës. Dosja e tij ishte kaluar për gjykim në nëntor të vitit të kaluar për shpërdorim të detyrës dhe abuzim me fondet, por së fundmi organi i akuzës ka argumentuar se Deda mund të prishte provat dhe të largohej nga vendi. *Në dosjen e siguruar nga Versus.al bëhet fjalë për një kallëzim të bërë nga Almiro Gurakuqi i cili ka dokumentuar të gjitha shkeljet që sipas tij ka kryer Deda me abuzimin e fondeve të institucionit dhe punësimin e nuseve të djemve të tij në pozicione kyçe. *Dosja flet për dhjetëra miliona lekë të reja të cilat Deda i kishte akorduar për avokatë dhe më pas edhe pagesa prej 1.7 milionë lekësh për një argjendari. Pretendimet vijonin për abuzime me fondet për udhëtime jashtë vendit. *Ish-presidenti ndërkohë ka mohuar akuzat duke thënë se çdo veprim financiar është miratuar fillimisht nga këshilli ku kishte futur familjarë të tij.
Tërhoqi para nga llogaria e institucionit, ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut: Ngatërresë! Kujtova se ishte karta ime

Nikoll Deda, ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut i cili u arrestua për abuzim me fondet dhe nepotizëm, gjatë dëshmisë së tij para hetuesve ka pretenduar se nuk ka kryer shkelje dhe se të gjitha vendimet ishin marrë me konsensus të Këshillit të institucionit.
Sa i takon denoncimit të bërë nga Almiro Gurakuqi për fondet e majme të shpenzuara për mbrojtje ligjore dhe një pagesë prej 1.700.000 lekësh për argjendari Pirron, Deda u shpreh se çdo pagesë është bërë për rastet e lidhura me institucionin.
Ndërsa i pyetur për një tërheqje të shumës prej 500 mijë lekësh nga llogaria e Urdhrit të Stomatologut, Deda ka deklaruar se ishte e vërtetë dhe se e kishte bërë gabimisht duke menduar se po tërhiqte para me kartën e tij personale. Ndërsa argumentoi se shuma është kthyer mbrapsht. Versus.al
Miliona lekë për argjendari dhe 43 mijë euro udhëtime, si Nikoll Deda bëri ‘rrush e kumbulla’ fondet e ‘Urdhrit të Stomatologut’

Versus.al ka zbardhur detaje të reja rreth dosjes në ngarkim të ish-presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda i cili u arrestua me urdhër të prokurorisë së Tiranës.
Sipas dosjes, janë dokumentuar rastet e abuzimit të Dodës me fondet e institucionit duke nisur që nga pagesa prej dhjetëra milionë lekësh të reja për avokatë për mbrojtjen e punonjësve të kallëzuar, në kundërshtim me ligjin pasi sipas rregullit ata duhet të kenë mbrojtje personale.
Denoncuesi Almiro Gurakuqi ka dokumentuar me lëvizje bankare shifrat të cilat tregojnë se institucioni ka bërë pagesa prej 10 milionë lekësh për mbrojtje ligjore. Konkretisht në dosje thuhet se Avokat Idajet Beqiri ka marrë nga Urdhëri i Stomatologut 1.500.000 Lek, Avokate Donika Prela ka marrë nga Urdhëri i Stomatologut 1.800.000 Lek, "Rakipi Partners" 500.000 Lek dhe "Gumi Associates" sh.p.k 1.900.000 Lek.
Gurakuqi ka pretenduar se do merrnin mbrojtje ligjore me tarifat shtetërore që nxirren nga fondi i institucionit, por sipas tij, shumat e lartëpërmendura janë rreth 20 herë më të larta sesa ato që u miratuan në vendimmarrjen e këshillit.
“Gjithashtu në kallëzimin e bërë kallëzuesi ka përmendur dhe një fakt ku bëhet fjalë për një shumë e cila është vjedhur nga fondet. Sipas kallëzuesit është një vlerë prej 500.000 lek dhe është tërhequr nga ATM "Raiffaisen Bank" nga llogaria e USSH për nevoja personale të Nikolla Dedës. Gjithashtu kallëzuesi ka vënë në dijeni edhe disa pagesa që janë bërë nga fondi i urdhërit ndaj zyrave përmbarimore për moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe konkretisht pagesat janë: Përmbarues Ilia Elezaj i janë kaluar 1.000.000 Lek; përmbarues T.Doda 3.200.000 Lek. Kallëzuesi shprehet pagesat sa më sipër janë marrë nga fondi i urdhërit dhe të gjitha të dokumentuara në llogarinë bankare në "Raiffaisen Bank"”- thuhet mes të tjerash në dosje.
Habia më e madhe është në faktin se plot 1.700.000 lekë janë shpenzuar për “Argjendari Pirro” me motiv të panjohur. Udhëtimet jashtë shtetit gjithashtu, kanë kaluar treefish kuotën e përcaktuar nga buxheti duke kapur shumën prej 43 mijë eurove.
“Gjithashtu ndër të tjera në kallëzimin e bërë është preteduar dhe fakti se institucioni i cili ka vetëm 1 (një) makinë, vetëm me firmën e karburanteve "Kastrati" janë shpenzuar 3.300.000 Lek për 2 vite e 6 muaj. Për të gjitha këto shuma shtetasi Almiro Gurakuqi ka deklaruar se janë të dokumentuara në llogarinë bankare.
Kallëzuesi pretendon se ka dhe një vjedhje me rritjen e rrogës, e cila është bërë me 2 vendime të ndryshme, njëra me vendimin nr. 10 Prot., datë 21.9.2020, ku u bë një rritje me 10% për gjithë punonjësit dhe tjetra me nr. prot. 17 datë 23.9.2022 me rritje page 15% për të gjithë punonjësit, ku sipas kallëzimit të bërë nga ana tij institucioni duke qenë në masë sigurie, këto veprime të bëra janë ilegjitime”- shtohet më tej në dosjen hetimore. Versus.al
Abuzoi me fondet dhe punësoi familjarë, arrestohet ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut

Tiranë- Policia ka arrestuar Nikoll Dedën, ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut pas kërkesës së dorëzuar nga prokuroria e kryeqytetit.
Nikoll Deda u denoncua Almiro Gurakuqi se nga viti në vit kishte rritur buxhetin e institucionit duke shpërdoruar fonde për përfitime personale apo familjare.
“Në vitin 2020 ku buxheti ishte 38.500.000 Lek, në vitin 2021 e ka shtuar në vitin me 13.500.000 Lek më shumë. Në vitin 2022 buxheti ka shkuar në vlerën 125.837.000 Lek për arsye se ka blerë dhe godinë për institucionin, duke përfshirë dhe investimin që ka bërë brenda godinës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se gjithë rritja e buxhetit ka qenë me qëllim shpërdorimin e fondeve dhe përfitimeve personale për vete apo persona të tretë”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndaj Dedës rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Prokuroria njofton se Nikoll Deda u është shmangur veprimeve hetimore nga policia gjyqësore duke e bërë konkret rrezikun e arratisjes së tij nga vendi dhe shmangia nga përgjegjësia penale. Sipas organit të akuzës që nga viti 2016, Doda nën cilësinë e presidentit të institucionit lejoi punësimin pa kriter të familjarëve të tij me qëllim manipulimin e vendimmarrjes së këshillit.
Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe aktualisht është në process gjyqësor, Doda ka bërë përpjekje të mëtejshme për të përqendruar kompetencat në duart e tij. Në përfundim të këtyre faktorëve, prokuroria ka argumentuar se arrestimi i Nikoll Dodës ishte i domosdoshëm pasi ekziston rreziku që të largohet nga vendi apo të prishë provat. Versus.al







