Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim me fermerët ku foli për sektorin e bujqësisë dhe përgatitjet që duhet të bëjë për të ndjekur hapin me të cilin duhet të vijohet pas anëtarësimit në BE. *Ndërsa nënvizoi se sektori i bujqësisë ishte në kushte mbijetese para se PS të merrte pushtetin, Rama tha se tanimë mbi 67 mijë fermerë marrin mbështetje me subvencione të mëdha nga shteti. *Më tej njoftoi edhe aplikacionin e ri “EuroAgro Albania” që do të shërbejë si udhërrëfyes për fermerët dhe kompanitë bujqësore të cilat duan të informohen mbi çmimin e produkteve të ndryshme në pikat e grumbullimit. Sipas tij ky aplikacion do të parapërgatisë fermerët për anëtarësimin në BE. *Rama deklaroi gjithashtu se me mbështetjen e AZHBR dhe BE nuk do të mungojnë fondet për këdo që ka një projekt të mbështetur në dije lidhur me sektorin bujqësor.
“S’do jetë më çështje lekësh”, Rama për bujqësinë: Kushdo që do ketë projekt të mirë, do financohet

Në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin e vendit në BE, kryeministri Edi Rama tha se sektori i bujqësisë do të ketë një vëmendje të veçantë ndërsa shtoi se kushdo që ka një projekt dhe do të jetojë me bujqësi, paratë dhe financimi nuk do jenë problem. Sipas tij, mjafton që projekt të jetë i mbështetur në një ide të mirë nga çdo aplikant dhe fondet nuk do të mungojnë.
"Me mbështetjen e agrokreditit që është rivënë në lëvizje dhe patjetër me mbështetjen e AZHBR dhe BE përmes AZHBR ne do arrijmë t’i vëmë në dispozicion fermës dhe bujqësisë shqiptare e të gjithë atyre që dyan të jetojnë me tokën, një fakt, për askënd nuk do jetë çështje lekësh, apo çështje fondesh. Për gjithëkënd do jetë çështje e projektit të duhur dhe garancive të duhura të dijes. Çdo projekt që do jetë i duhuri dhe do mbështetet me dije nga ana e çdo aplikanti, nuk diskutohet se do financohet në një mënyrë apo në një tjetër”- deklaroi Rama. Versus.al
“Mund të merrni përgjigjie për çdo pyetje”, Rama prezanton EuroAgro Albania për fermerët

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me disa fermerë dhe zyrtarë të sektorit të bujqësisë, prezantoi aplikacionin “EuroAgro Albania” për të cilin tha se do të jetë një udhëzues për fermerët të cilët do të kenë nevojë për informacione lidhur me standartet e prodhimeve bujqësore apo afatet e dorëzimit të produkteve.
Rama tha se kjo është një parapërgatitje në mënyrë që anëtarësimi në BE t'i gjejë gati fermerët dhe ndërmarrjet bujqësore.
“Është një udhërrëfyes për të gjithë ju, një burim informacioni për standarte, për afate dhe detyrime konkrete. Është kanal dialogu. Secili nga ju mund të hyjë aty dhe të komunikojë, të pyesë dhe të marrë përgjigjie për aspekte të problematikës me të cilën përballet. Është mjet koordinimi që garanton që mes jush e nesh përmes ministrisë së Bujqësisë ka ndërveprim të vazhdueshëm. Shpresoj që në këtë platformë të futet universiteti Bujqësor sepse është derë e re e hapur për të gjithë ju”- tha Rama.
Ndërsa u bëri thirrje të gjithë pronarëve të kompanive bujësore që të investojnë tek dijet dhe burimet njerëzore në mënyrë që kur Shqipëria të anëtarësohet në BE, të mos jenë në prag falimenti për shkak të mospërgatitjes.
“Dua ta besoni këtë gjë se nuk është dicka që duhet thënë se kështu e do muhabeti. Mos lini ditë të kalojë pa investuar tek mendja e kompanisë, pa investuar tek fuqia njerëzore, pa trajnuar dhe pa përditësuar dijen. Mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit. Sepse dija është ajo që kur ka munguar, flas për eksperienca në vende të tjera, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE”- shtoi Rama. Versus.al
"Bujqësia ishte e braktisur 1 dekadë më parë", Rama: Sot mbi 67 mijë fermerë marrin mbështetje që peshon
Kryeministri Edi Rama mbajti një takim në kuadër të aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030” ku foli mbi përgatitjet që duhen bërë në këtë sektor pasi vendi të anëtarësohet në BE.
Ai soli në vëmendje ndryshimet që ka pësuar ky sektor duke nënvizuar se para se PS të merrte pushtetin, fermerët përballeshin me sfidë mbijetese. Sipas tij, asokohe bujqësia ishte e braktisur me vetëm 5600 fermerë që merrnin mbështetje simbolike. Ndërsa shtoi se sot rreth 67.500 fermerë marrin mbështetje që peshon në xhepat e tyre.
“Unë besoj shumë tek ju dhe të gjithë ata që në kushtet absolutisht të pakrahasueshme me sot një dekadë më parë ishin aty tek toka dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë, kam shumë besim se do kalojë edhe këtë sfidë. Janë të natyrave të ndryshme, por kanë të bëjnë me vullnetin për të bërë sukses. Sepse asokohe bujqësia shqiptare ishte një sektor i braktisur totalisht, një dekadë e pak më parë. Numri i fermerëve që merrnin mbështetje simbolike, ishte 5600. Sot është 67.500. Nuk bëhet fjalë për mbështetje simbolike, por mbështetje që peshon në portofolin e fermës”- tha Rama.
Ndërsa nënvizoi gjithashtu uljen e importeve të cilat kishin një raport negativ në raport me eksportet e vendit.
“Eksportet ishin thjesht dhe vetëm aktivitet i një grushti fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe deficit tregtar ishte një katastrofë unikale në rajon se në Europë nuk po hyjmë fare të bëjmë krahasime. Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro. Ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliardë euro dhe deficiti është ulur”- shtoi kryeministri. Versus.al

