Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ashtu siç ndodh pothuajse në çdo seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, socialistët dhe demokratët nuk u dakordësuan as në Parlamentin Europian në Strasburg. *Rezoluta e përbashkët që kishte të bënte me vlerësimet për ecurinë e vendit në procesin e negociatave për anëtarësim në PE, mori vota kundër nga demokratët. Po ashtu edhe 2 prej eurodeputetëve votuan kundër. *Në këto kushte, palët fajësuan njëra-tjetrën. Demokratët pretenduan se PS nuk kishte miratuar amendamentet e propozuara prej tyre, ndërsa socialistët thanë se i kishin votuar disa amendamente. *Gjatë fjalës së mbajtur në PE përsa i takon situatës në vend me protestat kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla iu drejtua me tone të ashpra eurodeputetëve duke u thënë se ata nuk mund t’u jepnin leksione.
"Mësoni prej nesh, mos na jepni leksione", Balla-eurodeputetëve në PE: E njoh realitetin më mirë sesa ju

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e tij e mbajtur në Strasburg para eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Sa i takon zhvillimeve të fundit në vend, Balla u përqendrua tek korrigjimi i eurodeputetëve duke ju thënë se Vjosa dhe Narta janë parqe të ndara dhe jo i njëjti park.
Ndërsa më tej u tha se nuk mund t’u jepnin leksione në këtë fushë, Balla tha se qeveria kishte anuluar disa leje ndërtimi për të mbrojtur Parkun e Vjosës.
“Në legjislacionin tonë nuk ekziston një park që quhet Vjosa-Narta, pra është një park i Vjosës dhe një tjetër park i Nartës, nuk është i përbashkët. Për këtë arsye u mundova t’ju informoja para 3 javësh dhe mendoj se kjo gjëja është bërë nga ju qëllimisht. E di për luftën e mirë që keni bërë për parkun e Vjosës që është zonë e mbrojtur 100% dhe ne jemi i vetmi vend që ka një park të tillë në Evropë. Besoj se ju duhet të mësoni prej nësh në këtë aspekt dhe të mos na jepni mësime sepse kemi anuluar shumë leje ndërtimi për Parkun e Vjosës”- tha Balla.
Përsa i takon aeroportit të Vlorës, Balla tha se është në dijeni të ankesës, por theksoi se në të njëjtën zonë më herët ka qenë aeroporti i ndërtuar nga italianët.
“Keni bërë një ankesë për aeroportin e Vlorës, por duhet ta dini se aty ka patur një aeroport shumë kohë më përpara dhe është një aeroport i ndërtuar nga italianët fatkeqësisht”-shtoi socialisti duke vijuar më tej: "Nuk ju ndërpreva, unë e njoh realitetin e vendit tim shumë herë sesa ju kështu që më respektoni në bazë të dispozitave të BE". Versus.al
S’ka dakordësi mes PS e PD për rezolutën e përbashkët me PE, demokratët: Qeveria refuzoi amandamentet tona

Socialistët e demokratët nuk janë dakordësuar as në Strasburg përsa i përket rezolutës së përbashkët me Parlamentin Europian. Deklarata e përbashkët që miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe BE, mban vlerësimet për ecurinë e vendit.
Kjo deklaratë pati 7 vota pro dhe 7 kundër, ndërsa PD pretendon se socialistët rrëzuan amendamentet e tyre. PS e mohon diçka të tillë duke thënë se ka miratuar një pjesë të amendamenteve.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, thotë PD.
Ndërsa në reagimin e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thuhet se nuk mund të pranohej tentativa e demokratëve për të deformuar balancën e dokumentit.
“Deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjesë të amendamenteve të Partisë Demokratike, me përjashtim të formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të certifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave”- u shpreh Balla.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeptutetë të PE. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve. Versus.al
“S’ju vjen turp”, Balla, Mazniku dhe deputetët e PS kapen ‘mat’ në Strasburg duke luajtur ‘murlan’

Ndërkohë që shqiptarët presin rezultate nga delegacionet e partive politike shqiptare për anëtarësimin e vendit në BE, deputetët socialistë duket se e kanë marrë me shumë terezi këtë situatë ku ndodhet vendi.
Në rrjetet sociale qarkullon një video e filmuar nga disa shqiptarë në Strasburg ku shihen qartë, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deputetët Arbjan Mazniku, Pirro Vengu, Evis Kushi etj të cilët po luajnë me letra “murlan” teksa konsumojnë edhe pije në një lokal.
Sapo shohin shqiptarët që i filmojnë “të papërgatitur” ata heqin letrat, ndërsa më pas deputeti Pirro Vengu nis t’i filmojë. Teksa u flitej për protestën, Balla nisi bisedën me persona të tjerë duke bërë sikur nuk e kishte mendjen.
Delegacionet e PS dhe PD ndodhen në Strasburg për mbledhjen e radhës së Komitetit të Stabilizim Asocimit. Versus.al

