Çfarë do të gjeni në brendësi
Ka nisur protesta e 38-të qytetare masive kundër qeverisë. Në sheshin para Kryeministrisë, mijëra qytetarë janë mbledhur sërish për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Një ndër problemet që qytetarët ngritën në fjalimet e tyre ishte dhe dhënia e 4 mln eurove nga buxheti rezervë i qeverisë, për koncertin e Kanye West
Protestë kombëtare më 11 korrik? Aktivistja propozon revoltë në ditën e koncertit të Kanye West

Protestuesit kanë paralajmëruar një protestë kombëtare më 11 korrik në Tiranë, në ditën kur është planifikuar të mbahet koncerti i reperit amerikan Kanye West.
Thirrja për tubimin u bë gjatë protestës së 38-të të zhvilluar para Kryeministrisë, ku aktivistët u bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës.
Një prej protestueseve deklaroi se tubimi do të zhvillohet në orën 19:00, me të njëjtin qëllim dhe mesazh të protestave të mëparshme.
“Meqë jemi te tema e koncertit të Kanye West, në datën 11 thërrasim sërish protestë kombëtare. Në orën 19:00, me të njëjtin flamur dhe të njëjtin qëllim. Kjo protestë i takon popullit. Çdo vendim që merret, merret para popullit dhe jo pas dyerve të mbyllura”, u shpreh ajo.
Gjatë protestës, qytetarët ngritën shqetësime edhe për vendimin e qeverisë për të financuar organizimin e koncertit me fonde publike. Protestuesit iu referuan shumës prej 4 milionë eurosh të akorduara për këtë event, duke e kundërshtuar përdorimin e parave publike për një aktivitet të tillë.
Një prej aktivisteve deklaroi se fondi i emergjencës po përdoret për një koncert, ndërsa sipas saj qytetarët nuk kanë marrë të njëjtën mbështetje në raste të tjera emergjencash, si tërmetet apo përmbytjet.
“Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës për të paguar biletat e koncertit të Kanye West. Çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për këtë koncert, edhe pse nuk do të marrë pjesë”, deklaroi ajo.
Protestuesit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e 11 korrikut, duke kërkuar transparencë për vendimet e qeverisë dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike./Versus.al
“Në Onkologjik po vdesin pacientë se s’ka ilaçe dhe aparatura”, Osman Stafa: Për Kanye West i gjetën 4 mln euro!

Gazetari Osman Stafa u shpreh i revoltuar pas vendimit të qeverisë për financimin me 4 mln euro të koncertit të Kanye West.
Gazetari deklaroi para protestuesve se në spitale po vdesin pacientë për mungesë të medikamenteve.
Ai lexoi mesazhin e një pacienteje që u detyrua të largohej jashtë pasi sëmundja e tumorit iu rikthye sepse nuk bëri si duhej terapinë.
“Për mua nuk gjetën mundësi të rregullohej brakiterapia ndërsa për një natë ngritën skenën e koncertit të Kanye Ëest”, thuhej në mesazhin e pacientes.
Gazetari Osman Stafa tha se 4 mln euro duhet të shkonin për blerjen e pajisjeve që mungojnë në spitalin Onkologjik.
“Shkojnë shqiptarët në Kosovë e Maqedoni ku brankoterapia ekziston, kurse tek ne nuk ka. Sfidoj qeveritarët të më kundërshtojnë, nëse del fjala e tyre unë e lë sot gazetarinë. /Versus.al
38 ditë revoltë para Kryeministrisë/ Ambientalisti Sazan Guri kërkon përshkallëzim të protestës

Në protestën e sotme e cila ka hyrë në ditën e 38-të, mori fjalën dhe eksperti i mjedisit Sazan Guri, i cili bëri thirrje për përshkallëzim të protestës.
Ambientalisti tha se vendi ka arritur në një pikë ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do të ikë ose ky që as në emër nuk e meriton t’i thërrasësh.
“Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik. Të rrethohet Parlamenti dhe Kryeministria, që ata të mos marrin vendime për kauzat tona”, tha ai.
Ai iu përgjigj dhe komenteve të deputetëve socialistë për pjesëmarrjen në protestë duke thënë se historia ka treguar se qeveritë mund të rrëzohen vetëm nëse qytetarët nuk heqin dorë nga kauzat e tyre, duke u bërë thirrje protestuesve të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur.
“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që lënë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t’i mundim ata avash-avash, me moral”, u shpreh Guri./Versus.al
38 ditë protestë/ Qytetarët: Qeveria dha 4 mln euro për Kanye West, kurse pacientët po vdesin në spitale!


