
Dy muaj më parë, lajmi se artisti i njohur amerikan, Kanye West, do të vinte në Tiranë më 11 korrik për një koncert, u përcoll nga qeveria si një ngjarje e jashtëzakonshme që do t’i sillte Shqipërisë jo vetëm famë ndërkombëtarisht, por edhe të ardhura të mira në ekonomi, duke marrë parasysh turistët e huaj që do të jenë të pranishëm në koncert.
Shumë nga ministrat përgjegjës për organizimin e këtij eventi sensacional, duke nisur nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja, përgjatë gjithë muajit maj, në daljet e tyre mediatike, propaganduan të mirat që do t’i vinin Shqipërisë nga ky koncert. Që çuditërisht do të ishte me 0 kosto nga qeveria shqiptare.
Por nuk mendonte kështu opozita, e cila në seancën e Kuvendit të datës 7 maj, akuzoi qeverinë për shpërdorim të fondeve publike, sipas së cilës një fond prej 50 milionë eurosh, do të përdorej për ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm (montim-çmontim) për koncertin e Kanye West.
Kjo shkaktoi reagimin e ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili i cilësoi këto pretendime si të pavërteta.
“Ku e keni dëgjuar këtë shifër? I gjithë buxheti i Ministrisë së Kulturës është 70 milionë euro. Është ‘fake news’. Shteti do të investojë 0 lekë në këtë aktivitet. Buxheti është miratuar dhe ju si deputete jeni në dijeni se ku shkojnë fondet.”, tha ministri Malaj.
Nga ana tjetër, qeveria vijoi përgjatë gjithë këtyre dy muajve të insistonte se nuk do të ketë asnjë lek nga buxheti i shtetit për koncertin.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, vijonte me deklaratat se kostoja reale e jona do të ishte në kuptimin e kapaciteteve.
“Do kemi orare më të shtuara të turneve të punës, do të kemi një impenjim më të madh, një angazhim më të madh të mjeteve tona, po themi të shërbimeve, të patrullave etj etj, dogana etj.
Por të ardhurat që mund të ketë një event i tillë llogariten që mund të jenë, pra bazuar në një llogari të përafërt dhe të krahasuar me vendet e tjera të ngjashme me ne në rreth 120 milionë lekë të ardhura të xhiruara”, tha Gonxhja.
E megjithatë, duket se ajo çka u paralajmërua nga opozita qëndron.
Një ditë më parë, më 6 korrik, qeveria shqiptare me një akt normativ ka vendosur financimin e pjesshëm të koncertit, me arsyetimin se do të ndikojë në promovimin dhe imazhin e Shqipërisë.
Lajmi u njoftua më herët dhe nga kryeministri Edi Rama, teksa inspektoi punimet për ngritjen e stadiumit për 60 mijë spektatorë në hyrje të Tiranës.
“Ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale dhe shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë, që ata mijëra e mijëra njerëz të cilët kanë prerë bileta nga Evropa, nga Amerika, nga Australia, 80 shtete dhe janë më shumë deri tani që flasim, më shumë sesa ata që blenë biletat dhe erdhën për finalen e Conference League”, tha Rama.
Lajmi nuk është pritur mirë nga qytetarë ku në rrjetet sociale komentet për këtë zhvillim të fundit janë të shumta.
Një prej tyre, analisti Mentor Kikia, shkruan se nuk është dakord për këtë vendim, që të dhurojë 2 euro nga taksat e tij për koncertin e Kanye West.
“U tha se ishte një koncert privat. Por, për të shitur biletat e tij e gjithë qeveria, parlamenti dhe trupi diplomatik ka një muaj që janë shndërruar në agjenci shitjeje biletash.
Por, po themi se nuk ka ndonjë gjë të keqe ketu.
Më e rënda është se qeveria ime nxorri para nga buxheti rezervë i shtetit, që preket për raste emergjencash e fatkeqesish.
Cila eshte fatkeqësia në rastin konkret?”, shkruan analisti Mentor Kikia duke theksuar se 4.2 milion Euro mund të ishin shpenzuar për një avion zjarrfikës pasi vetëm këtë fundjavë u dogjën mbi 200 hektarë ullishta e pemtore në Shqipeëri, e zjarrfikesit ngelën me degë pemësh në duar./Versus.al

