Çfarë do të gjeni në brendësi
Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, me të njëjtat kërkesa për qeverinë. Me pankarta në duar dhe flamujt kuq e zi, qytetarët në kor kanë kërkuar largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike 36-vjeçare. Në fjalimet e tyre, qytetarët thane se protesta e tyre është e drejtë dhe ajo mbështetet nga vendet e BE-së si Gjermania ku ambasadori gjerman Karl Bergner u shpreh sot se protestat paqësore që po zhvillohen në Tiranë, janë pjesë e vlerave evropiane.
"Rama jepe dorëheqjen", nis marshimi kilometrik i protestuesve në rrugët e kryeqytetit

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin simbolik në rrugët e Tiranës, duke përsëritur në kor thirrjet: “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.
Me pankarta në duar dhe mesazhe drejtuar qeverisë, pjesëmarrësit u zhvendosën fillimisht përgjatë Rrugës së Elbasanit, për të vijuar më pas marshimin në disa nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre dhe kanë bërë thirrje për ndryshime politike./Versus.al
“Kemi 20 vjet që kërkojmë pronat e vjedhura”, protestuesja akuzon publikisht 3 deputetët e PS

Një nga fjalimet e mbrëmjes së sotme në protestën e 37-të para Kryeministrisë, ishte ajo e një qytetareje me origjinë nga Skrapari e cila tregoi kalvarin me pronat e gjyshit.
Zonja drejtoi akuza direkte ndaj disa deputetëve të PS, që nga Taulant Balla, Ardit Bido dhe ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo se kanë ndërhyrë në procesin gjyqësor, ku Ballën dhe Bidon e ka paditur dhe në SPAK e Prokurori.
“Jam trashëgimtare e fisit Jaupaj nga Skrapari. 36 vjet kemi heshtur përballë padrejtësive. Kam 20 vjet që endem gjykatave për padrejtësinë që më është bërë nga pushtetarët, nga Taulant Balla. Shyqyr që më erdhi dita ta denoncoj publikisht, sepse në SPAK dhe prokurori e kam bërë. Erdhi dita të denoncoj Ardit Bidon, që më falsifikoi dhe fshehu dokumentet e pronës së gjyshit dhe më pas u ngrit në detyrë.
Kam ardhur të denoncoj Ervin Demon, ministrin e Pushtetit Vendor, që me paketën e maleve… Ne e dimë ç’kemi hequr nga këta tradhtarë”, tha ajo.
Ajo u shpreh se është trashëgimtare e fisit Jaupaj nga Skrapari dhe se, sipas saj, familja e saj ka 36 vite që përballet me padrejtësi, ndërsa prej 20 vitesh është endur nëpër gjykata për çështjen e pronës.
Protestuesja tha se, me nisjen e protestave ajo ka ardhur çdo ditë në shesh së bashku me familjarët e saj./Versus.al
“Djali u dhunua në protestë”, flet nëna e protestuesit: Nuk na trembni! Do të vazhdojmë rezistencën

Mamaja e një prej protestuesve të liruar një ditë më parë ka deklaruar gjatë fjalës së saj në protestë se i biri është dhunuar dhe se ai mban ende shenja dhune në trup.
Ajo tha se ka parë pamjet e dhunës ndaj të birit dhe se kjo e ka bërë më të vendosur për të vazhduar pjesëmarrjen në protestë.
“Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushteve në furgonin e policisë i ka edhe sot, më 6 korrik. Kur kam parë videon që dhunojnë tim bir u bëra më e fortë dhe thashë: nëse kam ardhur një ditë po e një ditë jo se jam e sëmurë, që sot e tutje përditë këtu në shesh do jem dhe këtu na ke”, u shpreh ajo.
Në mesazhin drejtuar kryeministrit Edi Rama, ajo theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen deri në largimin e tij.
“Edi Ramës po i them kështu: ti kujton se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë? Përkundrazi, jemi bërë edhe më të fortë dhe do jemi këtu në shesh. Jo 37 ditë, por 37 javë e 37 muaj po deshe, deri sa të largohet kjo klasë politike që e ka masakruar këtë popull”, tha ajo./Versus.al
Qytetarët i protestojnë tek dritarja, Rama pret në Kryeministri mysafirët kurdë nga Iraku të veshur me atlete të bardha

Në sheshin para Kryeministrisë po mbahet protesta e 37-të masive qytetare, ndërsa brenda mureve të godinës së qeverisë, kryeministri zhvillonte takim me një delegacion të rajonit të Kurdistanitt të Irakut.
Në foton e postuar në rrjetet sociale të kryeministrit, Rama shihet i buzëqeshur mes mysafirëve dhe ajo që bie në sy është veshja e tyre njësoj, me atlete të bardha.
“Me zëvendëskryeministrin e rajonit të Kurdistanit të Irakut, Qubad Talabani, dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën e parë në Shqipëri”, shkruan Rama./Versus.al
FOTO-LAJM/ "Rruga për në BE kalon nga llogaridhënia", mesazhet e qytetarëve në ditën e 37-të të protestës

Në ditën e 37-të të protestës, mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë Rama, duke shënuar ditën e 37-të të tubimeve të vazhdueshme.
"Rruga për në BE kalon nga llogaridhënia", ishte një nga pankartat e qytetarëve, ndërsa të tjerat shkruanin "Babëzia të verbon, tahmaja të rrëzon", e cila akuzon qeverinë për korrupsion dhe babëzi, duke paralajmëruar se kjo sjellje do të çojë në rënien e saj./Versus.al
37 ditë protestë, qytetarët në shesh për tubimin para Kryeministrisë

Zhvillohet sonte protesta e 37-të masive në Tiranë, ku mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.
Ata shprehen të zhgënjyer me qeverisjen në këto 36 vjet pluralizëm.
Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, ata kanë bërë thirrje për ndryshim. Duke përshkuar bulevardin kryesor, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Rama nga qeveria.

