MAGAZINË /

"Ju jeni egërsirë", senatorja paraguaiane sulmon me komente raciste Mbappén, reagon edhe Franca

Në postimet e saj, Amarilla e quajti Mbappén me terma denigrues dhe ofendues, duke përdorur stereotipe raciste

Shkruar nga Versus

"Ju jeni egërsirë", senatorja paraguaiane sulmon me komente

Një skandal i rëndë ka shpërthyer pas ndeshjes Francë–Paraguai në Kupën e Botës, ku senatorja paraguaiane Celeste Amarilla de Boccia ka publikuar një seri komentesh me përmbajtje raciste dhe fyese ndaj kapitenit të Francës, Kylian Mbappé.

BBC shkruan se në postimet e saj, Amarilla e quajti Mbappén me terma denigrues dhe ofendues, duke përdorur stereotipe raciste që kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në botën e sportit.

 “Kjo egërsirë as nuk ka mësuar të shkruajë. Në vend të qumështit të nënës, ai ka thithur arrë kokosi, dhe qeniet më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë kanë qenë shimpanzetë. Duhet t’i kishe treguar gishtin e mesit, Orlando Gill (portieri i Paraguait). Unë e bëj në Senat dhe nuk ndodh asgjë!”, shkruan senatorja duke përdorur terma të turpshëm.

Politikania paraguaiane vazhdoi me një tjetër postim akoma më të rëndë.

 “Një kamerunas i kolonizuar, që shtiret si francez, i mbushur me mllef, i pasuruar rishtazi, arrogant dhe i shëmtuar. Ishte nervoz dhe i tmerruar gjatë gjithë ndeshjes, si e gjithë skuadra e tij. Nuk arritën dot të shënonin asnjë gol, fituan vetëm nga fati… E vetmja gjë që shumë prej nesh i vënë në dukje ‘Albirroja-s’ (kombëtares paraguaiane) është që nuk i dhanë një shpullë të mirë në fytyrë në fund të ndeshjes. Dhe unë as nuk jam tifoze futbolli.”

Mbappé iu përgjigj deklaratave duke dënuar gjuhën e urrejtjes dhe duke theksuar se një figurë publike nuk duhet të përdorë racizmin për të sulmuar askënd.

“Ju jeni një grua e padenjë për detyrën që mbani. Nuk e përfaqësoni Paraguain, një vend që tregoi pasion dhe dinjitet gjatë këtij turneu. Nuk do t’i lejoj kurrë njerëz si ju të përhapin urrejtje dhe racizëm”, u shpreh kapiteni i Francës.

Skandali mori përmasa edhe më të mëdha pas reagimit të ministres franceze të Sportit, Marina Ferrari, e cila i cilësoi komentet e senatores si “të neveritshme, të turpshme dhe të papranueshme”, duke theksuar se sulmi ndaj Mbappé është një sulm ndaj vlerave që përfaqëson Franca.

Tensionet mes dy skuadrave kishin nisur që në fund të takimit, kur portieri i Paraguait, Orlando Gill, goditi me top Mbappén pas vërshëllimës përfundimtare. Më pas ai deklaroi se incidenti ishte pjesë e lojës, por polemikat morën një tjetër dimension pas deklaratave të senatores, të cilat kanë nxitur reagime të shumta dhe dënime për gjuhën raciste të përdorur.

Poll