Çfarë do të gjeni në brendësi
*Policia ka zbardhur ekzekutimin e biznesmenit Eduart Reçit *Në pranga janë vënë dy vëllezërit Florian dhe Shkëlqim Dukaj, ku i fundit efektiv policie. *Shkak për ngjarjen u bë një konflikt mbi pronësinë e një trualli, në të cilin viktima Reçi planifikonte të ndërtonte një pallat. *Personi që e qëlloi biznesmenin ishte efektivi i policisë, Shkëlqim Dukaj. *Vëllezërve Dukaj iu sekuestrua një armë zjarri, si dhe 6 silenciatorë që dyshohet se u përdorën në krim. *Sipas burimeve nga Policia, hetuesit realizuan një eksperiment hetimor për të përcaktuar pozicionin e mundshëm nga ku mund të ishte qëlluar biznesmeni
Si u zbuluan nga policia dy vëllezërit që ekzekutuan Eduart Reçin
Policia ka bërë të mundur zbardhjen e rrethana të ngjarjes së rëndë që çoi në vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi disa ditë më parë, pas një serie hetimesh të thelluara dhe analizash.
Hetuesit kanë arritur të ndjekin gjurmët e dy vëllezërve, Shkëlqim dhe Florian Dukaj, të cilët dyshohet të jenë autorët e vrasjes së Reçit, pas një konflikti të gjatë mbi pronësinë e një trualli që ai po përgatitej të zhvillonte për ndërtimin e një pallati.
Sipas burimeve nga Policia, hetuesit realizuan një eksperiment hetimor për të përcaktuar pozicionin e mundshëm nga ku mund të ishte qëlluar biznesmeni, si dhe drejtimin e plumbit. Ky hulumtim ka qenë një hap kyç për të ngushtuar hetimet dhe për të identifikuar burimin e plumbit që shkaktoi vdekjen e Reçit. Pas analizës së këtyre elementeve, hetuesit kanë arritur të kryejnë një hetim të detajuar mbi vendndodhjen e autorëve të dyshuar.
Në vijim të hetimeve, policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Dukaj. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre, që ndodhen afër vendit të ngjarjes, u sekuestruan prova të tjera materiale që mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në ngjarjen kriminale.
Për më tepër, hetuesit zbuluan se vëllezërit Duka kishin pasur një konflikt të hapur me Eduart Reçin lidhur me pronësinë e truallit ku ai po planifikonte ndërtimin e pallatit.
Pas realizimit të një sërë veprimesh hetimore dhe kontrolli të dokumenteve, dy vëllezërit Duka u arrestuan dhe janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje armësh”.
Njëri prej tyre polic, publikohen fotot e vëllezërve Dukaj që dyshohet se ekzekutuan biznesmenin Eduart Reçi

Janë publikuar fotot e dy vëllezërve që dyshohen se ekzekutuan biznesmenin Eduart Reçi ditë më parë me një plumb në kokë.
Shkëlqim Dukaj 48 vjeç i cili është dhe oficer policie bashkë më vëllanë e tij Florian Dukaj 45 vjeç, janë arrestuar ditën e sotme pasi dyshohet se ekzekutuan biznesmenin Reçi për motive pronësie.
Burime në media bëjne me dije se ka qenë pikërisht oficeri i policisë, Shkëlqim Dukaj, autori që ka qëlluar me plumb në kokë 52 vjeçarin. Hetuesit, pas provave kanë përcaktuar edhe vendin nga ku është qëlluar, pasi kanë mundur të sigurojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë të autorit.
Vëllezërit Dukaj të dy banues në Tiranë dyshohet se akuzohen për kryerjen e veprave penale "Vrasja me paramendim" e kryer ne bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nëntor 2024), (fillimisht i plagosur rëndë), poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. /Versus.al

EMRAT/ Zbardhet vrasja e biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçit! Arrestohen 2 vëllezër, njëri prej tyre oficer policie
Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb në kokë pranë Rrugës së Elbasanit.
Në pranga janë vënë dy vëllezër të dyshuar si autorë të ngjarjes, Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, (oficer Policie) dhe Florian Dukaj, 45 vjeç. Sipas njoftimit të policisë dyshohet se vrasja e biznesmemit është kryer për konflikt pronësie.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se biznesmeni Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Sipas njoftimit të policisë biznesmeni Reçi ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit me dy vëllezërit tashmë të arrestuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nëntor 2024), (fillimisht i plagosur rëndë), poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën "Faik Konica", u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.
Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja me paramendim" e kryer ne bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Versus.al







