Çfarë do të gjeni në brendësi
*Seanca plenare maratonë për diskutimet dhe votimin e projektbuxhetit 2025, ka nisur me fjalën e kryeministrit Edi Rama i cili njoftoi për fondin 100 milionë eurosh të caktuar për bonusin e fundvitit të pensionistëve. Kjo solli reagimin e demokratëve të cilët u ngritën në këmbë duke e konsideruar këtë si një tallje të kryeministrit. *Pasi seanca u ndërpre për 5 minuta deri në rikthimin e normalitetit, Rama sqaroi se për këtë fundvit bonusi për pensionistët që marrin deri në 20 mijë lekë në muaj, do të marrin 150 euro, ndërsa ata të cilët e kanë pensionin mbi 20 mijë lekë, do marrin 100 euro bonus. *Ndër të tjera, kreu i qeverisë njoftoi se do të ketë edhe një bonus në pranverë për pensionistët, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Sa i takon protestave të organizuara nga “Lëizja Bashkë” ku u mblodhën qindra pensionistë poshtë kryeministrisë, Rama i cilësoi këto si përpjekje për mashtrimin e të moshuarve në prag të zgjedhjeve. *Teksa tha edhe shifra me pretendime për rritjen e mirëqenies në vend, Rama në fund të fjalës u shpreh i bindur për një fitore historike të PS në zgjedhjet e ardhshme dhe pati edhe një shpërthim me fyerje ndaj opozitës. Me të mbyllur fjalën, Rama u largua nga Kuvendi.
VIDEO/ “Na bën si i fortë”, Bardhi dhe Nallbati përplasen me deputetin socialist
Diskutimet në Kuvend për projektbuxhetin 2025 sollën debate mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. Gjatë kohës që ministri i Financave Petrit Malaj mori fjalën e tij në foltore, deputetët e PD u ngritën në këmbë dhe u drejtuan drejt tij.
Gardistët u rreshtuan para foltores, ndërsa kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi Malajt që fillimisht t’u përgjigjet pyetjeve dhe më pas të vijojë me fjalën për buxhetin.
Reagimi i deputetëve opozitarë solli edhe reagimin e deputetit socialist Toni Gogu i cili u ankua për zhurmën e krijuar. Gazment Bardhi dhe deputeti tjetër Bledion Nallbati u afruan në karrigen e Gogut dhe debatuan ashpër me të. Versus.al
Bardhi: Buxheti 2025 i shërben një grushti personash! I përgjigjet edhe Ramës për fyerjet ndaj opozitës
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi hodhi akuza ndaj qeverisë sa i takon projektbuxhetit 2025 duke e konsideruar atë si “buxhet për oligarkët”.
Sipas Bardhit, ky buxheti u shërben vetëm një numri të pakët personash dhe nuk ka asnjë ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të shumicës së popullsisë.
“Ky buxhet u shërben një grushti njerëzish që e mbysin tregun e lirë dhe pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ky është buxhet për oligarkët. Për 12 vite me radhë secili prej jush e ka parë sesa vjen e blihet më pak, ka më pak për të mbajtur familjen dhe fëmijët”- u shpreh Bardhi.
Ndërsa pati edhe një përgjigjie për shpërthimin e kryeministrit ndaj opozitës duke i quajtur përfaqësuesit demokratë “mbeturina”.
“Ne jemi ndryshe nga ty që mban karrigen e kryeministrit me krimin e organizuar. Se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Shko lahu, kurohu dhe bëj pastaj kryeministrin e Shqipërisë. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant. Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për fermerët. Lëmoshat i jep për pensionistët për zgjedhje. Çmimet janë rritur aq shumë, sa shumica e popullsisë nuk i përballon dot”- shtoi Bardhi. Versus.al
VIDEO LAJM/ Me lopatë në duar, deputeti i PD hyn në Kuvend me presh e lakra
Deputeti demokrat Dashnor Sula ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’u paraqitur në Kuvend duke marrë me vete një sërë produktesh bujqësore.
Duke ironizuar gjendjen ku ndodhen sot bujqit dhe fermerët e vendit në seancën ku diskutohet buxheti, Dash Sula ka marrë me vete një lopatë, presh dhe lakra.
Kjo është e disata herë që deputeti bën gjeste demonstrative në Kuvend ku herë pas here është paraqitur i veshur në mënyra të ndryshme. Versus.al
“Mbeturina”, Rama shpërthen ndaj opozitës: Do dilni më keq në zgjedhjet e ardhshme
Kryeministri Edi Rama në mbyllje të fjalës së tij ku prezantoi projektbuxhetin 2025, pati një gjuhë të ashpër ndaj opozitës duke u thënë demokratëve se do të dalin shumë më keq me rezultat në zgjedhjet e ardhshme.
“Ua kam thënë mblidheni mendjen se keq dolët këtë herë, më keq do dilni herën tjetër. Pranverën e ardhshme do të japin me vendimin e tyre një gjykim që do jetë më i miri historik për PS dhe më i merituari historik për këto mbeturina koha e të cilëve nuk kthehet më”- u shpreh Rama në mbyllje të fjalës së tij.
Menjëherë pasi përfundoi fjalën në Kuvend, Rama u largua nga salla e seancës plenare. Ndërsa u pasua nga deputeti Flamur Noka i cili e akuzoi kryeministrin si "mashtrues". Versus.al
Rama për protestat e pensionistëve: Janë bërë shesh për Sudet dhe Llapushët me qilima fluturues
Gjatë fjalës së tij në seancë kryeministri Edi Rama ka ironizuar edhe protestat e fundit të pensionistëve të mbledhur jashtë godinës së qeverisë.
Duke shënjestruar organizatorët e këtyre protestave, kryesisht drejtuesit e “Lëvizjes Bashkë”, Rama tha se qëllimi i tyre është mashtrimi i të moshuarve për të përfituar vota në zgjedhjet e ardhshme elektorale.
“Ka shumë për të thënë për temën e pensioneve e cila në vigjilje të ballafaqimit elektoral është bërë shesh për ata që janë shpallur si shpëtimtarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë qilimin fluturues të Sudes dhe Xhaferrit. Këta shitës qilimash fluturues disa të njohur për punë të këqija për shtetin disa të panjohur.
Kanë marrë rrugën për t’u shitur pensionistëve qylymya fluturues. Ndërkohë që këto Sude dhe këta Llapushë do na ndihmojnë për ta bërë të qartë ecjen tonë të mëtejshme”- u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se gjatë kohës para se PS të vinte në pushtet, pensionistët ishin të lënë mënjanë nga qeveria e asaj kohe.
“Për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 11 vjecari dalin më të larta, ndryshe nga çfarë ndodhte me të pensionuarit para ardhjes tonë në qeveri kur Sudet dhe Llapushet e asaj kohe as nuk i llogarisnin fare. Në vend që të luftonin punën në të zezë dhe të mendonin edhe për popullin, ata i kishin rënë shkurt deri në 2013-ën, kishin vendosur një tavan, sado të kishe punuar nuk e kapërceje dot tavanin 24 mijë lekësh”- deklaroi Rama. Versus.al
Pr/buxheti 2025, Rama për pensionistët: Trefishohet bonusi i fundvitit për ata që marrin deri në 20 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në nisje të seancës plenare maratonë për projektbuxhetin 2025. Ai e nisi fjalën e tij duke njoftuar për rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët duke përdorur një fond prej 100 milionë eurosh.
Kreu i qeverisë sqaroi se pensionistët të cilët marrin deri në 20 mijë lekë pension, do të përfitojnë bonus 150 eurosh ndërsa ata me mbi 20 mijë lekë pension, do të përfitojnë 100 euro bonus.
“Qeveria ka vendosur të përdorë një fond prej afro 100 milionë eurosh për bonsuin e fundvitit që do ndahet në dy shkallë. Të gjithë ata që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin trefishin e bonusit që kanë marrë herën e kaluar pra në masën 150 euro. Ndërsa të gjithë ata që kanë pensionet më të larta se 20 mijë lekë do marrin dyfishin e bonsit të deridjeshëm në masën 100 euro. Kjo është për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët”- u shpreh Rama.
Kjo solli reagimin e opozitës. Deputetë demokratë u ngritën në këmbë duke e akuzuar kryeministrin me thirrjet “mashtrues”. Rama kërkoi 5 minuta pushim deri në rikthimin në normalitet të seancës.
Në rinisje të fjalës, Rama njoftoi se përveç bonusit të fundvitit do të ketë edhe bonus të pranverës, pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025. Ai shtoi se nga këto bonuse përfitojnë 511 mijë pensionistë.
“Fondi i dytë do jetë ai i pranverës, me këto dy bonuse vjetore plus indeksimin vjetor, pensionistët tanë do mund ta prekin me plot gojë rritjen shembullore ekonomike. Vitin e ardhshëm do kemi gati planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes së ekonomike që do sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët duke mos rrezikuar stabilitetin financiar të vendit”- shtoi kryeministri. Versus.al
Sot seanca maratonë për pr/buxhetin 8 mld euro, PD protestë jashtë Kuvendit pas diskutimeve
Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, sot Kuvendi mblidhet për të diskutuar lidhur me projektbuxhetin 2025 në një seancë plenare maratonë që nis në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë deri të martën vonë kur të bëhet votimi.
Projektbuxheti me 8 miliardë euro në total, është më i madhi në historinë e vendit dhe sipas mazhorancës planifikohet për të financuar vijimin e reformave dhe përfundimin e kantiereve të hapura aktualisht.
Në projektbuxhet nuk parashikohet ndonjë rritje pagash apo fond të caktuar për rritjen e pensioneve gjatë vitit të ardhshëm, pavarësisht se qeveria ka bërë me dije vazhdimisht se po punohet për krijimin e një skeme të mirëfilltë pensionesh. Problematikë mbetet edhe mungesa e shtimit të financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmën e shtresave në nevojë.
Gjatë raportimeve të bëra në komisionet parlamentare, zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila është njëkohësisht ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, deklaroi se ky buxhet do të përdoret për financimin e projekteve infrastrukturore siç është autostrada “Durrës-Tiranë”, rruga Ndroq-Plepa dhe Elbasan-Qafë Thanë.
Ndërkohë, opozita u rikthye në Kuvend dhe në komisionet hetimore vetëm për të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin, ka paralajmëruar të mbajë një protestë ditën e nesërme jashtë Kuvendit në momentin kur të bëhet votimi i buxhetit. Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetesve të PD të mblidhen kundër atij që e konsideroi si “buxheti i vjedhjeve”. Megjithatë, pas diskutimeve në parim, votat e mazhorancës janë të mjaftueshme për të miratuar buxhetin e vitit 2025, një ndër më të rëndësishmit në historinë e vendit për shkak të shumës së alokuar për t’u përdorur. Versus.al