Çfarë do të gjeni në brendësi
*Presidentja e Komisionit Europain Ursula von der Leyen ka zhvilluar vizitën e saj të parë në Tiranë në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. *Ajo u prit me ceremoni nga kreu i qeverisë Edi Rama *Gjatë konferencës për shtyp Presidentja e KE-së u shpreh se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga plani i rritjes duke shtuar se BE po punon me qeverinë shqiptare dhe për projekte të tjera. *Pas hapjes së kapitullit të parë të negociatave, Presidentja e KE-së tha se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE varet nga integrimi duke shtuar se nëse ecën si duhet kapitujt do të hapen në fund të vitit të ardhshëm. *E pyetur nga gazetarët në lidhje me arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Von der Leyen u shpreh se nuk komenton vendimet gjyqësore. *Kreu i qeverisë Edi Rama foli për herë të parë për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. *Rama u shpreh se rasti i Ilir Metës është rasti tipik që i përket drejtësisë.
Presidentja e KE-së përgjigjet se kur Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidentja e KE, Ursula Von der Leyen u pyet nëse ka një afat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pas hapjes së kapitullit të parë të negociatave.
Presidentja e KE, tha se procesi varet nga merita dhe nga integrimi i Shqipërisë dhe nëse ecën si duhet, kapitujt do të hapen deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Procesi varet nga integrimi, me Shqipërinë kemi shembull të shkëlqyer. Nëse ecën si duhet do të hapim kapitujt deri në fund të vitit të vitit të ardhshëm, por duhet bërë puna”-tha Von der Leyen./Versus.al
Ursula von der Leyen në Tiranë: Shqipëria përfiton 920 milionë euro nga plani i rritjes

Pas takimit kokë më kokë Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama kanë mbajtur një konferencë për shtyp me gazetarët.
Gjatë fjalës së saj, Presidentja e KE-së tha se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga plani i rritjes ndërsa përgëzoi kryeministrin Rama për hapjen e grup kapitullit të parë për negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Ursula van der Leyen: I dashur Edi jam me të vërtetë shumë e lumtur që rikthehem në Tiranë dhe të shoh sa ka arritur Shqipëria në rrugëtimin drejt BE. Javën e shkuar ne hapëm negociatat për grupkapitujt. Çfarë suksesi ky, një sukses pas shumë pune dhe përkushtimi për këtë objektiv. Ju keni treguar vizion, durim dhe këto gjëra po tregojnë rezultatet e tyre. Falenderoj të gjitha ekipet që kanë punuar ditë e natë për këto gjëra që janë arritur. Të jeni të sigurt që zgjerimi do të vijojë të jetë edhe në mandatin tim të ardhshëm përparësi.
Më lejoni të përmend tre çështje kryesore. E para ka të bëjë me planin tonë të rritjes, ju e dini qasjen që ne kemi. Ne e hapim derën për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Këto reforma mbështeten nga ne me anë të investimeve shtesë. Ka një vit qëkur ka nisur puna dhe shumica e vendeve e kanë gati axhendën e reformave. Ju keni bërë një punë të shkëlqyer për reformat tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion Eurosh deri në fund të vitit. Edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion Euro nga Plani i Rritjes. Ju jeni në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e pagesave në Euro që prej vitit të ardhshëm kjo do të thotë që transfertat në para do të jenë më të shpejta më të sigurta dhe falas. Nisma e dytë është plani ynë i investimeve për BP që e kemi filluar katër vite më parë. Janë mobilizuar në Shqipëri 1.4 miliardë Euro me fokus drejt tranzicionit për përfitimin e energjisë së pastër. Ju e dini që BE ka filluar punën për neutralitetin e karbonit ndaj është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të BP të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Ne po punojmë me ju për projekte që mund ta forcojë këtë lidership. Kemi hidrocentralin e Vaut te Dejës me energji diellore mbi lumin Drin. Kemi edhe një program prej 50 milion Euro për reficencën e energjisë. Po investojmë edhe për transportin e pastër, përfshirë lidhjen hekurudhore të Shqipërisë. Çështja e tretë është një projekt tejet i veçantë, kampusi i Kolegjit të Europës. Ju patët këtë ide para dy vitesh dhe ja ku jemi dy vite më vonë. Ne zyrtarisht do të hapim vitin akademik ku mezi pres të takoj këto studentë që do studiojnë këtu në Tiranë. E ardhmja e Europës po formësohet këtu në Tiranë me këta të rinj.
Ndryshe nga të tjerat sepse sivjet Shqipëria u desh që të përballej me zjarret, janë këto fatkeqësi që po ndodhin gjithnjë e më shpesh, por ama këtë realitet ne po e luftojmë me pasurinë më të madhe të solidaritetit dhe ju kemi dhenë të njëjtat masa solidariteti që kemi brenda BE. Katër herë gjatë verës ne mobilizuam avionë për të luftuar zjarret sepse në fund të fundit ja çfarë duhet të thotë të jesh fqinji ynë, partneri ynë dhe shteti i ardhshëm anëtar në BE. Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtari i BE/Versus.al
Arrestimi i Ilir Metës,Von der Leyen: Nuk bëj komente për vendimet gjyqësore! Rama: Rasti tipik që i përket drejtësisë!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrit Edi Rama, janë pyetur nga gazetarët lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.
Presidentja e Komisionit Evropian u shpreh se nuk do të bënte komente për vendimet gjyqësore duke shtuar se BE po punon për reformën gjyqësore në Shqipëri por kjo nuk ka të bëjë me çështje individuale.
'Procesi varet nga merita e çdo vendi, kjo është e rëndësishme për vendet anëtare, që ju të shikoni rezultatin e punës.' u shpreh ndër të tjera Von der Leyen.
Ursula von der Leyen: Unë nuk do të bëj komente për vendimet gjyqësore. Ne punojmë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëje me çështje individuale. Procesi varet nga merita e çdo vendi, kjo është e rëndësishme për vendet anëtare, që ju të shikoni rezultatin e punës. Me Shqipërinë kemi një shembull të shkëlqyer, tregon që gjerat kanë ecur shpejt dhe nëse ecin siç duhet në ndoshta do hapin të gjithë grup kapitujt deri vitin e ardhshëm. Duhet bërë gjithë puna për të qenë vend anëtarë dhe kjo varet nga puna e çdo vendi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se që kur reforma në drejtësi ka nisur as ai dhe as forca e tij politike që udhëheq nuk bëjnë komente sa i takojnë drejtësisë. Ndërsa përsa i përket rastit të Metës , kreu i qeverisë u shpreh se është rast tipik që i përket drejtësisë.
Rama: Në prani të miqve të huaj, qysh se ne e kemi nisur reformën në drejtësi dhe që kur ka filluar të zbatohet, as unë dhe as forca ime politike që udhëheq nuk bën komente sa i takojnë drejtësisë. Kur ndodh që çështje të përmbyllen, mbase në ndonjë rast ia vlen të komentohet sidomos në raste kur vihet drejtësia, si shpifja. Rasti konkret është tipikisht një rast që i përket drejtësisë./Versus.al
Ursula von der Leyen mbërrin në Tiranë, Edi Rama pret me ceremoni Presidenten e Komisionit Europian

Në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë.
Presidentja e KE-së u prit në ambientet e Kryeministrisë, nga kreu i qeverisë Edi Rama.
Vizita e parë e Von der Leyen do të jetë në Tiranë, ku do të qëndrojë dy ditë 23 dhe 24 tetor.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Kryeministria, pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës.
Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian. Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik./Versus.al







