Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i qeverisë, Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste. I rrethuar nga një ekran gjigand ku shfaqeshin të listuara synimet dhe pamjet e projekteve të ndryshme për mandatin e ardhshëm. *Rama tha se synimi i PS gjatë mandatit të katërt qeverisës do të jetë rritja e rrogës mesatare të mësuesve dhe të mjekëve, duke thënë se do të shkojnë përkatësisht në nivelet e 1250 euro dhe 2000 euro. Gjithashtu premtoi që nga 1 janari do hyjë në fuqi vendimi për pagën minimale 500 euro. *Sa i takon projekteve infrastrukturore, Rama tha se në fillim të 2026-ës përfundon faza e parë e rikonstruksionit të superstradës Tiranë-Durrës dhe se aktualisht janë në diskutime me qeverinë e Kosovës për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. *Një pjesë e rëndësishme e programit të prezantuar nga Rama, e zënë çështjet sociale. Kryesocialisti tha se do të investohen 300 milionë euro për strehimin social dhe se do shpërndahen 50 mijë banesa.
"Dorëzojmë 50 mijë banesa për strehim social", Rama: Gjatë mandatit të ardhshëm, do të furnizojmë me ujë 90% të territorit
Një pjesë e programit elektoral të PS i ishte kushtuar edhe çështjeve sociale si nevoja për strehimin e familjeve në nevojë. Kryeministri Edi Rama tha se gjatë mandatit të ardhshëm do të investohen 300 milionë euro në strehimin social duke synuar që të dorëzohen 50 mijë banesa.
Më tej tha se do të ketë një plan të caktuar për lehtësira ndaj çifteve të reja të cilat shteti ka interes që t’i mbajë në Shqipëri duke pasur parasysh dhe faktin që janë profesionistë në fusha të caktuara.
“Do të investojmë 300 milionë euro në strehim social me synimin për 50 mijë çelësa, 50 mijë dyer. Nga një anë për çiftet e reja, me një program krejt të veçantë për profesionistët e fushave që kanë interes të drejtpërdrejtë publik dhe që duam t'i mbajmë në Shqipëri.
Kemi nisur me mjekët, kemi nisur me mësuesit, kemi nisur me punonjësit e policisë, kemi nisur me ushtarakët.
Do ta thellojmë këtë edhe për profesionistët në sektorin privat, profesionistët e rinj dhe ata që duan të kthehen nga emigrimi. Dhe nga ana tjetër, do të investojmë duke filluar nga kampusi i Universitetit të Durrësit në kampuset universitare rezidenciale ku studentët do të kenë mundësi të kenë dhomat e tyre”- u shpreh Rama.
Më tej iu rikthye një premtimi të kahershëm për furnizimin me ujë të pijshëm në 24 orë në gjithë vendin. Ai përsëriti argumentin e dhënë edhe më herët duke thënë se kur PS mori pushtetin, vetëm 4 zona urbane në Shqipëri furnizoheshin me ujë gjatë 24 orëve. Ndërsa tha se në mandatin e ardhshëm do të mund të realizohet që 90% e territorit të furnizohet me ujë gjatë 24 orëve.
“Vijmë tek uji, sepse edhe te uji kemi për të treguar faktet. Faktet që nuk dalin në televizor, faktet që nuk dalin në portale, faktet që mbulohen çdo ditë nga llumi i kënetës, nga moçalishtet, nga të gjithë insektet që jetojnë mbi ujin e kënetës dhe pastaj shkojnë edhe parkojnë nëpër ato, nëpër ato kashtoret e studiove televizive.
Kur ne morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte vetëm në 4 zona urbane, asnjë zonë rurale.
2024 ne e kemi mbyllur me 43 zona urbane dhe me 98 zona rurale, që furnizohen 24h rregullisht dhe deri në fund të mandatit të katërt, kemi këtë situatë për të adresuar: 16 zona urbane të mbetura, nga të cilat 11 janë në kantier sot që flasim dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm 90% i perimetrit të Republikës 24 orë, ndërkohë që ai 10% janë pika shumë të largëta nëpër male, që është e pamundur dhe që ekzistojnë edhe në vende të tjera”- premtoi kreu i qeverisë. Versus.al
Projektet infrastukturore, premtimi i Ramës: Ndërtojmë 700 kilometra rrugë deri në 2029-ën
Kreu i qeverisë, Edi Rama nuk ngurroi të përmendte kritikat e bëra nga opozita teksa prezantoi projektet infrastrukturore që synohen të përfundohen gjatë mandatit të ardhshëm nëse PS do jetë sërish në pushtet.
Ai tha se do të ndërtohen plotë 700 kilometra rrugë deri në 2029-ën, ndërsa tha se deri më tani PS ka shtruar me asphalt mbi 935 km rrugë.
“Flasin e flasin këneta dhe të gjitha moçalishtet e vogla, 1909 lloje analizash laboratorike të akredituara nga BE, gjatë mandatit të katërt do e çojmë në 500 milionë euro investimin në bujqësi dhe 1 mld euro eksporte. Kur ta zhveshim bufin me të gjitha puplat e zogjve të kënetës, bëmë 935 km rrugë kombëtare, kemi vazhduar të punojmë me rrugët e mbetura rrugëve, këneta dhe bufi me daulle ka hapur shumë kantierë për të fituar vota me ato 10 mijë km fantazmë, një të vetme jo që nuk e kanë përfunduar por as s’e kanë financuar, e kanë hapur me 5 lekë një rrugë që bën 1 lek dhe na lanë një gropë e madhe”- deklaroi kryeministri. Versus.al
“E çojmë pagën mesatare të mësuesve 1250 euro”, Rama shpalos programin: Do ndërtojmë 200 shkolla
Gjatë prezantimit të programit qeverisës, kryeministri Edi Rama tha se përgjatë mandatit të ardhshëm, synohet që paga e mësuesve të shkojë në 1250 euro.
Ndërsa shpalosi planin për ndërtimin e 200 shkollave të tjera gjatë mandatit të ardhshëm.
“Paga mesatare e mësuesve është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne e morëm detyrën. Ishte 420 euro në vitin 2013 dhe sot është 950 euro. Ndërkohë që në Shqipërinë 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro.
Kur ne morëm detyrën, tekste falas kishte zero. Të gjithë prindërit i blinin librat e fëmijëve dhe nuk po hyj këtu se ç' lloj librash blinin, një xhungël. Sot prej vitesh, 238 mijë nxënës i marrin tekstet e shkollës falas.
Ne kemi ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës që sot hyjnë dhe dalin në shkolla që nuk kanë asgjë mangut, jo të gjitha shkollave në Bashkimin Europian, por shkollave më të mira në Bashkimin Europian. Në mandatin e katërt, këtij gjerdani do t'i shtohen edhe 200 shkolla të reja”, tha Rama. Versus.al
FOTOLAJM/ Rama prezanton modelin e pasaportës shqiptare nëse vendi anëtarësohet në BE
Kryeministri Edi Rama në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, e ka përqendruar të gjithë retorikën e tij në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Gjatë prezantimit të programit elektorale të PS, Rama e ka nisur me thirrjet që qytetarët ta votojnë PS-në duke pretenduar që gjatë mandatit të ardhshëm, vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Madje ka publikuar edhe një foto të modelit sesi do të dukej pasaporta evropiane shqiptare në rast se Shqipëria do të anëtarësohet në BE.
“Kjo është fytyra e pasaportës shqiptare evropiane,” u shpreh Rama, duke theksuar se dizajni i ri përmban elementët e sigurisë të standardeve të BE-së. Versus.al








