Live Updates /

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4 ministra! Debat për KAYO-n, ministri i mbrojtjes: Është një shoqëri që prodhon siguri!

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

5 Postime
3 ORE ME PARE

“Erdhe ti tani dhe shpike rrotën!”/ Përplasje në Kuvend mes Ina Zhupës dhe Mirela Kumbaros! Ministrja braktis” sallën pa mbaruar interpelancën

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4

Seanca plenare në Kuvendi i Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes deputetes demokrate Ina Zhupa dhe ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro.

Gjatë interpelancës, Zhupa akuzoi Ministrinë e Arsimit se po rëndon sistemin me udhëzime që krijojnë burokraci dhe paqartësi për mësuesit, sidomos në lidhje me procesin e licencimit. Ajo e cilësoi “absurditet” faktin që mësues me përvojë shumëvjeçare detyrohen të rikthehen në procese licencimi.

Debati u tensionua edhe më tej kur Zhupa iu drejtua ministres me përemrin “ti”, çka solli ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i tërhoqi vëmendjen për shkelje të etikës parlamentare.

Ky moment u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët argumentuan se vetë ministrja nuk kishte qëndruar deri në fund të interpelancës.

Nga ana e saj, Kumbaro hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se detyrimi për licencimin e mësuesve buron nga ligji që prej vitit 2012 dhe nuk është një nismë e re. Sipas saj, provimi i shtetit nuk përbën pengesë, por një garanci për standarde të barabarta profesionale.

Ministrja siguroi se procesi nuk synon largimin e mësuesve nga puna, por përmirësimin e sistemit dhe mbështetjen e atyre që ende nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore.

Pjesë nga debati:

Ina Zhupa: Nëse unë abuzoj ju keni detyrimin të më thoni ajo nuk ka të drejtë të lëvizi nga vendi atje

Niko Peleshi: Po me atë sjellje që bëni ju... 

Ina Zhupa: Ka një detyrim që të qendrojë atje dhe të dëgjojë për mësuesit, ajo nuk më respekton mua se nuk e dua respektin e saj por nuk të respekton ty, këtë kuvend

Të nderuar kolegë të maxhorancës, ju që bëni turin nëpër Shqipëri,  punët e Shqipërisë takoni edhe mësuesët, se ndoshta do t’i thoni ministres tuaj ti mbështesi

Një mësues humbi jetën në diell e shi vetëm për të bërë mesim

Peleshi: është e vërtetë ministrat duhet të qëndrojnë deri në fund kur ka interpelancë, nëse shkel dikush rregulloren nuk do të thotë se legjitimojmë gjithë të tjerët, po të doni të hiqni pjesën e etikës, e votojmë e heqim dhe flasim këtu si të duam

Nëse është në kodin e sjelljes, unë kam për detyrë të tërheq vëmendje

Pjesë nga debati mes Zhupës dhe Kumbaros:

Ina Zhupa: 2000 mësues në sistemin arsimor. Këta mendojnë se si të shtojnë hallet dhe problemet e mësuesve me udhëzimet e vetë ministrisë. Kujtohen dhe thonë, pasi ke 15 vite si mësues, pasi ke kaluar fazat nga mësues i kualifikuar, në specialist dhe më pas mësues mjeshtër, këta thonë “shko bëhu edhe njëherë student dhe jep provim licence”. Mësuesit me 15 vite në sistem, i detyrojnë të futen për të marrë kualifikimin si mësues mjeshtër për provim licence. Je student, mbaron shkollën, futesh bën licencën dhe për tre vite ke të drejtë të kualifikohesh si “mësues i kualifikuar”, pas gjashtë vitesh si “mësues specialist” dhe pas 15 vitesh si “mësues mjeshtër”. Me këtë logjikë i bie që edhe nxënësit t’i kthejmë dhe të bëjnë provimin?! Janë absurditete, të cilat ju i bëni me qëllim duke ngatërruar kriteret e punësimit me ato të kualifikimit.

Erdhe ti tani dhe shpike rrotën që këta duhet të jenë të licencuar, se kështu ta lexojnë ata juristët e paaftë që ke në ministri, apo ato drejtoreshat që i ke të kërkuara, arrest shtëpie, dhe të bëjnë këto lloj udhëzimesh. Është shembje e sistemit juridik.

Kumbaro: Më vjen keq që një grup deputetësh nuk i shoh në sallë, do të thotë nuk janë të interesuar, por paskan firmosur një kërkesë për interpelancë pa qenë fare të interesuar. Detyrimi për licencimin e mësuesve ka filluar që me miratimin e ligjit nr. 69/2012. Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi: të ketë kryer me sukses praktikën profesionale; të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Dhënia e provimit të shtetit nuk është një pengesë, por një garanci, një instrument që vendos barazi për të gjithë ata që hyjnë në profesion, duke siguruar që çdo mësues të përmbushë të njëjtat standarde profesionale, pavarësisht kohës apo mënyrës së hyrjes në sistem. Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë. Dhe mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues që ende nuk e kanë kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, që nuk e di se nga e shpikët! Nuk ka asnjë politikë, asnjë vendim dhe asnjë nismë që synon largimin e mësuesve nga vendet e tyre të punës për shkak të këtij procesi./Versus.al

3 ORE ME PARE

Interpelancë për KAYO-n në Kuvend, ministri i Mbrojtjes sqaron rolin e kompanisë: Është një shoqëri që prodhon siguri

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4
Ermal Nufi

Në Kuvendi i Shqipërisë është zhvilluar një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, lidhur me funksionimin e shoqërisë KAYO dhe rolin e saj në industrinë ushtarake.

Gjatë fjalës së tij, ministri sqaroi se KAYO nuk është konceptuar si një kompani prodhuese në kuptimin klasik, por si një strukturë holding që bashkëpunon me kompani të specializuara dhe investitorë privatë në fushën e mbrojtjes.

Sipas tij, ky model synon të tërheqë kapital privat dhe të kontribuojë në zhvillimin e industrisë ushtarake shqiptare, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe angazhimet e vendit si anëtar i NATO-s.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se përmes kësaj strukture janë siguruar marrëveshje me Izraelin për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së avancuar, të cilët pritet të rrisin kapacitetet e forcave tokësore.

Ai shtoi se bashkëpunimi me kompani të specializuara në prodhimin e municioneve mund të sjellë përfitime ekonomike deri në 400 milionë euro dhe të krijojë mbi 1 mijë vende pune.

Sipas Nufit, deri më tani buxheti i shtetit për KAYO-n ka qenë rreth 3 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e investimeve vjen nga kapitali privat.

Nufi: Është rast shumë i mirë të prezantoj detyrat e shoqërisë KAYO. KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por qëllimi i saj është të ketë një funksion holding, pra të bashkëpunojë me kompanitë e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore. Fusha e ushtrisë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është e vërtetë që edhe në vende të tjera ka kompani private që prodhojnë, janë private jo shtetërore. KAYO është themeluar në vitin 2024. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës. Ka vende në BE që sot kanë prodhuesin dhe rregullatorin që bashkëpunojnë, pra nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Qëllimi i KAYO-s është rijetëzimi i industrisë ushtarake shqiptare, si një angazhim që Shqipëria duhet ta marrë si anëtare e NATO-s.

Në kundërshtim nga çfarë pretendon deputeti i nderuar, që i gjykoj të nxituar dhe aspak serioze për sa kohë flasim për sigurinë kombëtare dhe kapacitet prodhues në Republikë, do të ishte shumë e drejtë të ishte një realitet tjetër, sot fqinjët tanë kanë 5 miliardë euro në vit fitim nga industria ushtarake përveç faktit që forcat e ushtrisë kanë rezerva të garantuara për sigurinë kombëtare. Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital, deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milion euro, të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat./Versus.al

4 ORE ME PARE

Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit dhe Xhelal Mziut për interpelancë! Peleshi: Çështja është nën hetim!

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4

Debate janë shënuar në Kuvendi i Shqipërisë, pasi është rrëzuar kërkesa për interpelancë e deputetit të opozitës, Xhelal Mziu, me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e hodhi në votim kërkesën, e cila u rrëzua me 74 votat e mazhorancës. Interpelanca kishte në fokus çështjen e fondeve IPARD.

Nga foltorja e Kuvendit, Mziu e cilësoi vendimin të padrejtë dhe kërkoi që t’i jepej e drejta për të zhvilluar interpelancën, duke theksuar se kërkesa ishte bërë prej javësh nga ai dhe një grup deputetësh.

Sipas tij, argumenti se çështja lidhet me hetime nga SPAK nuk qëndron, pasi Kuvendi dhe organet e drejtësisë kanë funksione të ndryshme.

“Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar prej javësh një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe në mënyrë të papritur ju zoti kryetar bëni anulimin e kësaj interpelance, për shkak se në një nga pikat kërkohet të diskutohet për fondet e IPARD-it, me pretendimin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut. Ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it thoni se bie ndesh me SPAK. Është e paimagjinueshme. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK heton individët për korrupsion, deputetët janë personat që marrin qeverinë në pyetje për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Është e padrejtë dhe dua të më jepet e drejta e interpelancës.”, tha Mziu.

Nga ana tjetër, Peleshi sqaroi se pas shqyrtimit të kërkesës, ajo është refuzuar pasi nuk plotësonte kushtet ligjore për t’u pranuar, duke qenë se çështja është nën hetim nga SPAK.

“Do të cënonte parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në këto rrethana kërkesa nuk mund të pranohet.”, tha Peleshi. 

7 ORE ME PARE

Nis seanca plenare në Kuvendi i Shqipërisë, në rend dite interpelanca dhe projektligje

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4

Ka nisur seanca plenare në Kuvendi i Shqipërisë, e cila përfshin në rend dite një sërë çështjesh të rëndësishme politike dhe ligjore.

Menjëherë në nisje, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka lexuar pikat e rendit të ditës. 

Peleshi njoftoi gjithashtu se Konferenca e Kryetarëve ka miratuar projekt-kalendarin e punimeve parlamentare. Kryeparlamentari u shpreh se çdo ministër do të mbajë fjalën vetëm njëherë, ndërsa 74 deputetë votuan pro për bashkimin e interpelancave/Versus.al

 

9 ORE ME PARE

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, interpelanca me 4 ministra dhe shqyrtimi i disa projektligjeve! (Rendi i ditës)

Seanca plenare në Kuvendi! Opozita kërkon përballje me 4

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare të radhës, e cila nis në orën 10:00 dhe parashikon një rend dite të ngarkuar me çështje të rëndësishme politike dhe ligjore.

Seanca do të hapet me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të datave 9 dhe 16 prill, si dhe me njoftime të ndryshme procedurale.

Një pjesë kyçe e diskutimeve do të jenë interpelancat me anëtarë të qeverisë. Deputetë të opozitës kanë kërkuar interpelanca urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Po ashtu, do të zhvillohen disa interpelanca me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, të kërkuara nga deputetët Kliti Hoti, Bardh Spahia dhe Erisa Xhixho.

Në rend dite është edhe një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, e kërkuar nga deputeti Zija Ismaili.

Ndërkohë, ministri i Financave, Petrit Malaj, do të marrë pjesë në një seancë pyetje-përgjigje me deputeten Jorida Tabaku.

Seanca plenare do të shqyrtojë gjithashtu disa projektligje të rëndësishme, mes të cilave ai për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, si dhe ndryshime në ligjet për etiketimin e produkteve me ndikim në energji, taksat kombëtare dhe Gardën e Republikës.

Në përfundim, deputetët pritet të zhvillojnë edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Rendi i Ditës:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.4.2026, ora 10:00. II.

Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 9.4.2026 dhe 16.4.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

5. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Kliti Hoti.

6. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Bardh Spahia.

7. Interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.

8.Interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputeti Zija Ismaili.

9. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.

10. Projektligji “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”. 11. Projektligji “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”.

12. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2024, “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.

13. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës Shumëpalëshe, “Për lehtësimin e zbatimit të shtyllës së dytë, subjekt i rregullit tatimor”.

14. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.

15. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

16. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Tags:

kuvendi

Poll